Protestat e Partisë Demokratike, jo kreative, të përsëritura dhe aspak efikase

Nga Ervis Iljazaj

Ditët e fundit, Kryetari i Partisë Demokratike është duke zhvilluar takime me anëtarët e kësaj partie për të përgatitur protestat e Janarit, të cilat janë paralajmëruar në seancën e fundit parlamentare të vitit që lamë pas.

Që nga marrëveshja e 18 Janarit midis dy aktorëve kryesorë të politikës, Lulzim Basha sesionin e ri politik e ka filluar dukshëm duke rritur dozat e konfliktualitetit me mazhorancën, e cili kulmoi me protestat me zgjedhjen e Kryeprokurorit të përkohshëm të përgjithshëm, dhe me paralajmërimin e një sezoni të ri protestash politike që do të fillojnë nga Janari.

Në këtë mënyrë, mjeti politik i Partisë Demokratike në vitin e ri që po afron, me sa duket, do të jetë protesta. Sigurisht, që një opozitë dhe kushdo tjetër që ka një kauzë për të fituar, ka të gjithë të drejtën për të protestuar, por në këtë rast, nuk kemi të bëjmë me një kauzë, por thjesht me një instrument, që pretendohet se do t’i sjellë kredite politike opozitës.

E megjithatë, edhe për këtë arsye, kjo protestë duke si një mjet i sforcuar, aspak kreativ, e mbi të gjitha, aspak efikas në objektivat e opozitës.

E sforcuar për faktin se, të gjitha protestat e thirrura nga partitë politike, dhe jo si një vullnet spontan i shoqërisë, janë të gjitha të tilla. Fakti që protestat janë shtyrë për një kohë të dytë, apo që parapërgatiten me takime, të cilat dhe nga ato nga ana e tyre janë të sforcuara, për faktin se po zhvillohen në ditë festash, e tregon më së miri këtë. Duket sikur opozita shqiptare, në mungesë të ideve apo krijimit të një fryme popullore që të mblidhet rreth saj, duket si një mjet aspak kreativ, duke krijuar idenë e një force politike amorfe, që shpresën më të madhe për të fituar terren politik e kërkon të tensionimi tradicional i politikës shqiptare.

E përsëritur, sepse jemi po në pikën zero. Duket sikur situata politike është kthyer edhe njëherë në periudhën e çadrës. Një periudhë e cila bllokoi shumë procese politike, të cilat nëse do të ishin përfunduar, tani do të kishim një situatë politike totalisht të ndryshme. E përsëritur edhe për faktin se, tregon një mungesë aftësie për të përdorur mjetet që politika lejon, si për shembull idetë, frymëzimin, apo strategjitë dhe negociatat politike.

Por, mbi të gjitha, protestat e paralajmëruara të Partisë Demokratike, nuk janë aspak efikase për objektivat e saj politikë, për tri arsye kryesore. Në radhë të parë, me anë të këtyre protestave, Partia Demokratike dhe opozita në përgjithësi, janë duke u larguar gjithmonë e më shumë nga faktori ndërkombëtar, që është një faktor ende shumë i rëndësishëm për mekanizmat politikë në Shqipëri. Në radhë të dytë, që të mundohesh të tronditësh pozitat e një qeveria, kërkohet një protestë popullore masive dhe konstante, dhe jo një çadër apo një cep rruge, që shërben më shumë si turbinë mediatike dhe jo si një mjet për të arritur objektivat politikë. Në radhë të tretë, përplasja frontale me mazhorancën, pa një mbështetje të madhe popullore, që deri më tani për opozitën nuk e kemi parë, është një mënyrë e cila më shumë të dëmton se sa të forcon. Rrugët kryesore, që një opozitë duhet të përdorë për të kufizuar një mazhorancë, përpara se të arrijë ajo e protestës, janë ato juridike apo të marrëveshjeve, rrugë të cilat opozita shqiptare nuk i ka konsumuar.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Ditënetët e librit: Për herë të parë lexuesi e shkrimtari, muzikë e pikturë në një festë

Me hapësira intime, jo aq të mëdha, ku shumë kthina e labirinte...
Read More