Prova e madhe e qeverisë Rama, negociatat

Nga Ervis Iljazaj

Përtej të gjitha problematikave që mund të ketë qeverisja në këto momente, testi më i rëndësishëm i saj, dhe Edi Ramës personalisht, që ndoshta do të përcaktojë dhe fatin politik të tij, është padyshim vendimi për negociatat që pritet vitin e ardhshëm.

Sepse vendimi që u mor këtë vit nga institucionet e Bashkimit Europian për çeljen e negociatave ishte një vendim i ndërmjetëm. Në kuptimin që, nuk ishte asnjë po e qartë dhe as një mbyllje dere totale.

Vendimi i BE-së për Shqipërinë hapi kaq shumë diskutime midis palëve politike, për faktin se ishte një vendim politik dhe jo teknik. Nuk ishte një vendim i prerë ku të thuhej se Shqipëria ka plotësuar kushtet e duhura apo jo. Por, si gjithmonë në mënyrë diplomatike, BE ka ndërmarrë një vendim të ndërmjetëm. Kështu që, negociata me Shqipërinë as janë hapur plotësisht dhe as janë mbyllur plotësisht.

Në këtë aspekt, vitin që vjen, është viti i së vërtetës për qeverinë Rama.

Praktikisht dhe teknikisht marrja e negociatave varet më së shumti nga puna e qeverisë. Sado konflikte politike të krijojë opozita, përtej rasteve kur kërkohen reformat e përbashkëta, në fund të fundit, ajo që vlerësohet nga Bashkimi Europian është puna e qeverisë.

Aq më tepër kur nuk ka asnjë reformë, e cila kërkon një votim bipartizan, i cili të jetë kusht i vendosur nga Bashkimi Europian. Prandaj, merren ose jo negociatat, kryesisht është sukses ose dështim i qeverisë.

Pa dashur të reduktojmë rolin e opozitës për frymën dhe mesazhin që ajo përcjell, i cili luan një rol të rëndësishëm, Bashkimi Europian është një mënyrë qeverisjeje interqeveritare. Për këtë arsye, roli kryesor i mbetet qeverisë.

Mirëpo, një nga proceset më të rëndësishme të shqiptarëve, siç është i integrimit, ka ngelur totalisht në harresë nga opinioni publik dhe nga aktorët politikë. Ndërkohë që, e kundërta duhet të ndodhte. Askush deri më sot nuk e di se në ç’pikë ndodhet i famshmi procesi i screening.

Të gjitha energjitë politike duhet të fokusoheshin në këtë drejtim. Aq më tepër kur ky proces është bërë edhe më i vështirë. Mjafton të kujtojmë klimën aspak të mirë politike, që vetë Bashkimi Europian po kalon në këto momente.

Zgjedhjet për Parlamentin Europian janë në prag, dhe me siguri do të jenë një test i rëndësishëm për fatin e Bashkimit Europian. Motorët e kësaj fushate janë ndezur që tani në shumë nga vendet e rëndësishme europiane. Dukshëm, forcat nacionaliste dhe euroskeptike janë në një rritje, e cila nëse vazhdon me këto ritme, atëherë do të përbëjë një lajm të keq për Shqipërinë dhe të gjithë Ballkanin Perëndimor, që pret të integrohet në këtë komunitet.

Kështu që, duke parë këtë kontekst, qeveria Rama, por e gjithë politika, në vend se të fokusohet totalisht në këtë aspekt, harxhojnë energji pafund çështje që, sigurisht janë të rëndësishme, por, nuk mund kurrsesi të marrin të gjithë vëmendjen e shoqërisë dhe politikës.

Deri vitin tjetër, Shqipëria ka për detyrë, nëse kërkon që të hyjë në fuqi hapja e negociatave, të vazhdojë të zbatojë Reformën në Drejtësi, të bëjë reformën zgjedhore dhe të luftojë krimin e organizuar.

Të tria këto aspekte kërkojnë një impenjim të madh politik të dypalësh, por sidomos të qeverisë.

Për këto arsye, qeveria Rama 2, të vetmen betejë që ka përpara dhe që duhet ta fitojë me patjetër, për të mirën e shqiptarëve, por edhe të vetë fatit politik të qeverisë, është sigurisht beteja për negociatat.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Refugjatët vajtje-ardhje: Pse Shqipëria u bë prapë “qendra e botës”

Ditë vendimtare në Europë për krizën e refugjatëve nga Lindja. Plani për ta...
Read More