PS ka arritur të shpenzojë plot 1 miliard lekë në fushatë, rreth 100 milionë më shumë se të ardhurat. PD ndonëse humbi zgjedhjet ka arritur të kursejë 300 milionë lekë, pasi ka shpenzuar vetëm 580 mln nga 880 mln që ka pasur të ardhurat. LSI ka shpenzuar rreth 300 mln lekë më shumë se PD. Ja kompanitë e konsulencës për tri forcat kryesore dhe shumat që përfituan
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë dje publike raportet financiare të partive politike për fushatën zgjedhore të 25 qershorit. Por ndërsa në zgjedhje morën pjesë vetëm 18 subjekte zgjedhore, vetëm 10 prej tyre e kanë plotësuar detyrimin për raportet financiare. Ajo që vihet re nga raportet e tri partive kryesore është se shpenzimet e deklaruara variojnë nga 500 milionë lekë në rastin e PD-së deri në 1 miliard lekë në rastin e PS-së. Një element i rëndësishëm është ai që ka të bëjë me LSI-në, e cila ka arritur të shpenzojë plot 300 milionë lekë më shumë se PD. Kjo e fundit megjithëse ka patur mundësi të shpenzojë deri në 800 milionë lekë, aq sa ka pasur dhe të ardhurat ka shpenzuar vetëm rreth 500 milionë lekë. Një element i rëndësishëm është që dy forcat kryesore nuk i kanë deklaruar donatorët fizikë dhe juridikë, duke i mbajtur të fshehura. Nuk ka ndodhur e njëjta gjë me LSI-në, e cila i ka deklaruar të gjithë ata që kanë bërë dhurime mbi 1 milion lekë. Gjithashtu, një tjetër element i rëndësishëm janë edhe shpenzimet që kanë bërë këto parti për kompanitë e konsulencës zgjedhore. PS rezulton të ketë marrë për konsulencë një nga kompanitë që ka kontribuar në fushatën e presidentit Trump, ndërkohë që PD ka kontraktuar dy kompani amerikane, njërën prej të cilave për të lobuar për çadrën. Dy kompani amerikane ka kontraktuar për konsulencë edhe LSI.
PS
Partia Socialiste ka shpenzuar më shumë nga të gjitha forcat politike gjatë fushatës elektorale. Në total shpenzimet kapim vlerën e afro 1 miliard lekëve të vjetër, ose gati 100 milionë lekë të vjetra më shumë se sa ka pasur të ardhurat. Në total PS ka deklaruar 938 milionë lekë të ardhura, nga të cilat 280 milionë nga buxheti i shtetit financim për fushatë, 90 milionë të ardhura nga persona fizikë dhe 560 milionë të ardhura të krijuara nga vetë partia, ku përfshihet fondi i dhënë nga Buxheti i Shtetit si financim për partinë dhe të ardhurat nga kuotat e anëtarësisë. Vlen të theksohet se sa i përket personave fizikë që kanë financuar fushatën e PS-së, emrat e tyre nuk janë bërë publikë nga PS, me përjashtim të disa personave nga Erseka. Ndërkohë që ajo që vihet re nga të dhënat e deklaruara nga PS, rezulton se kjo forcë politike në përfundim të fushatës ka mbetur në borxh me 110 milionë lekë. Një pjesë e mirë e shpenzimeve të socialistëve gjatë fushatës kanë shkuar pikërisht për konsulencë zgjedhore. Socialistët kanë bërë publike në raport se kishin si konsulent për zgjedhjet një nga kompanitë më të mëdha dhe të njohura amerikane, “Ballard Partners”. Kompani kjo që rezulton të ketë kontribuar në fushën e konsulencës në shumë vende të botës, përfshi edhe kontributin e dhënë në fushatat e disa prej presidentëve apo kandidatëve për president amerikan, përfshi këtu edhe presidentin aktual të SHBA-ve, Donald Trump. Në total kjo kompani është paguar nga socialistët me rreth 140 milionë lekë të vjetra, ose thënë ndryshe më shumë se 110 mijë dollarë. Shumë kjo e dhënë në 6 këste të ndryshme dhe më konkretisht 25, 25, 24, 24, 23 dhe 23 milionë lekë secila. “Ballard Partners” është e specializuar në të gjitha aspektet e çështjeve qeveritare dhe publike, duke përfshirë avokimin legjislativ dhe çështjet administrative.
PD
Ndërsa socialistët rezultojnë të kenë bërë fushatën zgjedhore më të shtrenjtë, demokratët pavarësisht se janë një nga dy forcat kryesore në vend, rezultojnë të kenë bërë fushatën më të lirë edhe se Lëvizja Socialiste për Integrim. Kështu nga raporti i financimit të fushatës të dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve rezulton se PD ka shpenzuar shumë më pak se ka pasur të ardhurat. Më konkretisht demokratët kanë deklaruar të ardhura 880 milionë lekë të vjetra, të gjitha me burim të ardhura publike, pra nga Buxheti i Shtetit të marra të gjitha paradhënie. Në këtë raport demokratët nuk kanë raportuar të ardhura as nga donacionet e ndryshme nga persona fizikë dhe as të ardhura nga kuotat e anëtarësisë. PD deklaron në raport se përveç financimit publik nuk ka kërkuar, pranuar apo përfituar nga ndonjë burim tjetër fondesh për fushatën zgjedhore. Por ndërsa kanë patur në arkë 880 milionë lekë, demokratët kanë deklaruar se kanë shpenzuar vetëm 580 milionë lekë, duke kursyer afërsisht 300 milionë lekë. Pra, nga këto të dhëna rezulton se PD vërtet humbi zgjedhjet e shkuara parlamentare por ka mundur të ruajë një gjendje të shëndoshë të arkës së financave. Ashtu si dhe socialistët, edhe demokratët një pjesë të mirë të shpenzimeve i kanë harxhuar për konsultim. Por ndryshe nga socialistët, demokratët kanë patur jo një por dy kompani konsultimi, të dyja amerikane. Bëhet fjalë për “Clearpath Strategies” dhe “Barnes & Thornburg LLP”. E para është kontraktuar nga PD kundrejt 18 milionë lekëve të rinj që në muajin shkurt për të bërë vlerësimin e kalendarit të fushatës së saj elektorale. Pra, ndërsa kishte hyrë në çadër dhe kishte deklaruar mospjesëmarrjen në zgjedhje pa u plotësuar kërkesat e saj, PD paralelisht kishte bërë marrëveshje me “Clearpath Strategies” për të vlerësuar kalendarin e fushatës elektorale që kishte përgatitur. Ndërkohë që vetëm në prill, pra kur çadra ishte në kulmin e saj, PD raporton të ketë lidhur kontratë për shërbim konsultimi me “Barnes & Thornburg LLP”, e cila është paguar 120 milionë lekë të vjetër. Por ajo është paguar jo për fushatën elektorale por për lobim për sensibilizimin e çështjes së zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
LSI
Ndonëse realisht është forca e tretë politike në vend (edhe para edhe pas zgjedhjeve), Lëvizja Socialiste për Integrim rezulton që sa iu përket të ardhurave dhe shpenzimeve të ketë rivalizuar denjësisht me dy forcat e tjera kryesore në vend. Madje ajo ka mundur të sigurojë të ardhura rreth 100 milionë me pak se PD, por ka shpenzuar rreth 300 milionë lekë më shumë se ajo. Thënë me shifra, LSI ka patur të ardhura totale 750 milionë lekë, nga të cilat 230 milionë të ardhura publike nga Buxheti i Shtetit, 140 milionë të ardhura nga persona fizikë, 240 milionë të ardhura nga persona juridikë (Top-Channel) dhe 130 milionë të ardhura të krijuara nga vetë subjekti, siç janë të ardhurat nga kuotat. Ajo që vlen të theksohet është se LSI është i vetmi subjekt nga tri kryesoret që ka bërë publike emrat e financuesve fizikë dhe ata janë kryesisht deputetë dhe drejtorë të LSI-së në administratën e shkuar. Shumica janë emra të njohur, përfshi edhe vetë ish-kryetarin Ilir Meta. Shumat e dhuruara prej tyre variojnë nga 1 milion lekë në 6 milionë. Ndërkohë që sa i përket shpenzimeve LSI ka shënuar shifra që kalojnë shpenzimet e PD-së dhe i afrohen atyre të PS-së. Në total LSI ka deklaruar 880 milionë lekë shpenzime nga të cilat ka mbetur pa shlyer edhe afro 100 milionë lekë. Ashtu si edhe dy forcat e tjera kryesore, edhe LSI një pjesë të madhe të shpenzimeve i ka për konsulencë. Siç bëhet e ditur në raportin e KQZ-së, LSI ka kontraktuar dy kompani amerikane për konsultim dhe bëhet fjalë për “McKeon Group” dhe “JPM Stradegic Solution LLC”. Ajo që vlen të theksohet është se në rastin e “McKeon Group”, shuma e kontratës së likuiduar nga LSI në drejtim të saj nuk rezulton të jetë e deklaruar nga kompania te të ardhurat e vitit 2017.
Financuesit fizikë të LSI
Mustafa Hoxha 676,050
Ardian Alushi 100,000
Nasip Naço 100,000
Viktor Tushaj 121,235
Edmond Stojku 100,000
Alfred Sadikaj 100,000
Elona Guri 100,000
Edlira Dilaveri 200,000
Erisi Zaimi 100,000
Gezim Podgorica 100,000
Bahri Shaqiri 100,000
Endrit Brahimllari 100,000
Vangjel Tavo 100,000
Ilir Meta 100,000
Majlind Lazimi 100,000
Luan Rama 100,000
Dorian Veli 100,000
Eduart Seitaj 100,000
Aurel Lamce 100,000
Taulant Kalo 100,000
Juliana Hoxha 100,000
Entiol Laco 100,000
Xheladin Toro 100,000
Mirela Meko 100,000
Eriona Bixha 100,000
Valbona Ballgjini 100,000
Argent Alltari 100,000
Gjovalin Bushi 100,000
Rudina Hoxha 100,000
Argita Totozani 100,000
Aleksander Lipivani 100,000
Athanas Kraja 100,000
Ilir Qafa 150,000
Julian Beqiri 100,000
Adriana Sokoli 100,000
Adela Karapici 100,000
Joana Smakaj 100,000
Davida Curri 100,000
Alqi Bllako 111,200
Blenard Nonaj 100,000
Blendi Kotorri 100,000
Edmond Panariti 150,000
Arjan Korpa 100,000
Viktor Tushaj 512,500
Piro Kapurani 200,000
Floida Kerpaci 125,000
Ilir Cenolli 200,000
Sention Zotaj 100,000
Daniela Cekani 100,000
Sokol Mici 100,000
Tedian Loci 410,000
Ardjan Gjoni 100,000
Gjergji Petro 313,000
Florian Lusha 110,000
Shyqyri Kapllani 200,000
Sara Lleshi 145,000
Partia Socialiste
Totali i të ardhurave 93,882,849
Totali i të ardhurave nga fondet publike 28.044.942
Totali i të ardhurave nga persona fizikë 9.213.274
Totali i të ardhurave të krijuara nga vet subjekti 56.624.633
Totali i shpenzimeve 100.884.855
Totali i pagesave të bëra 89.771.575
Totali i detyrimeve financiare 11.113.280
Partia Demokratike
Totali i të ardhurave: ALL 88,045,551.00
Totali i të ardhurave nga fondet publike ALL 88,045,551.00
Totali i shpenzimeve: ALL 58,197,289.80
Totali i pagesave të bëra ALL 58,197,289.80
Lëvizja Socialiste për Integrim
Totali i të ardhurave 75,283,960
Totali i të ardhurave nga fondet publike 23,499,960
Totali i të ardhurave nga persona fizike 13,967,727
Totali i të ardhurave nga persona juridike 24,325,626
Totali i të ardhurave të krijuara nga vetë subjekti 13,490,647
Totali i shpenzimeve 88,114,190
Totali i pagesave të bëra 54,071,188
Totali i shpenzimeve joreale 24,753,402
Totale të papaguara/detyrime financiare 9,289,600