PS i çon Kuvendit kërkesën për shkarkimin e Zgurit


Deputetja socialiste Klotilda Bushka, ka njoftuar se deputetët e mazhorancës, i kanë paraqitur kryetarit të Kuvendit, kërkesën për shkarkimin nga detyra të kryetarit të KQZ Klement Zguri, për shkelje të rënda të ligjit të dekriminalizimit. Ndër të tjara ajo tha se Zguri është zgjedhur në detyrën e kryetarit të KQZ, si pasojë e marrëveshjes politike të 18 Majit. Por ai tashmë ka humbur besimin e investuar për të.

“Siç i kemi bërë me dije edhe më parë opinionit publik, kryetari i Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, z. Klement Zguri, arkivoi pa e shqyrtuar në KQZ vendimin e Prokurorisë së Përgjithshme për subjektin Agron Faslli Kapllanaj, kryetar i Bashkisë Mallakastër, person ky, i cili rezulton se është dënuar nga gjykata e shtetit italian me vendim të formës së prerë për vjedhje.

Vlerësimi individual që Klement Zguri i ka bërë kësaj çështjeje nga pozita e drejtuesit të KQZ është shkelje e hapur e ligjit nga ana e tij, pasi duhej të ishte Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve si organ kolegjial dhe jo kryetari i këtij komisioni si individ, organi që duhej të shqyrtonte (maksimalisht brenda 10 ditëve, sipas ligjit) në mbledhje publike rezultatet e vendimit të Prokurorisë për kryetarin e Bashkisë Mallakastër, Agron Kapllanaj.

Z. Zguri është zgjedhur në detyrën e kryetarit të KQZ, si pasojë e marrëveshjes politike të 18 Majit, pa marrë në konsideratë cilësitë që duhet të karakterizojnë nga aspekti i integritetit apo profesionalizmit një kryetar të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve.

Pavarësisht kësaj, ai nuk arriti të ngrihet mbi të kaluarën partiake, duke humbur kështu dhe besimin e investuar për të në marrëveshjen politike të 18 Majit.

Ngjarja e fundit, ku ai përmes veprimeve e mosveprimeve të tij i shtyu sa mundi jetën politike një të përzgjedhuri lokal me rekorde të rënda kriminale, vetëm e vetëm sepse është i të njëjtit krah politik me të, është për ne shembull konkret i njëanshmërisë politike dhe mungesës së profesionalizmit.

Thënë këtë, dhe duke u bazuar në dispozitat e ligjit të dekriminalizimit që zbatohet me përparësi ndaj Kodit Zgjedhor dhe nenit 18, (pika dh) të këtij kodi, ne kërkojmë shkarkimin e z. Klement Zguri, nga detyra e kryetarit të KQZ”, tha ajo.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Mbetën jashtë qeverisë, SHBA falënderon Kodhelin e Gjermenin

Ambasadori amerikan Lu u ka dërguar letra falënderimi ministres së Mbrojtjes në...
Read More