PS ka qenë, është dhe do të jetë pasardhëse e Partisë së Punës

Nga Fitim Zekthi* – Vazhdimisht në këto 27 vite pluralizëm ka patur zëra jo të paktë që kanë thënë se Partia Demokratike nuk ndryshon nga ajo socialiste, se partia demokratike ka patur komunistë, ish-sigurimsa etj., të cilët kanë qenë në drejtim të saj, e kanë themeluar atë dhe kanë bërë që ajo asnjëherë të mos ndryshojë thelbësisht nga partia socialiste. Me kalimin e viteve, pas 1992, këta zëra janë shtuar. Zërat më të shumtë kanë ardhur nga të persekutuar të regjimit komunist, nga njerëz që e ndjenin veten antikomunistë, por edhe nga të tjerë skeptikë.  Në këtë kor zërash ka patur edhe komunistë, fanatikë të partisë së punës apo asaj socialiste të cilët i janë bashkuar këtij qëndrimi për shkak të inatit apo urrejtjes ndaj PD-së. Kjo kategori e komunistëve, fanatikëve të partisë së punës apo asaj socialiste mendonte se mund ta deligjitimonte PD-në duke thënë se ajo ishte e mbushur me komunistë apo ish-sigurimsa.

Partia demokratike ka një dallim radikal, të thellë me partinë socialiste, dallim i cili është në gjenezë të PD-së por edhe të PS-së. Partia demokratike u krijua nga protestat dhe në protestë ndaj regjimit komunist. Thirrjet e protestuesve ishin Enver- Hitler dhe Liri – Demokraci.  Partia demokratike ishte me studentët në dhjetor, ishte me studentët në shkurt që kërkonin heqjen e emrit Enver Hoxha  nga universiteti dhe ishte me popullin e Tiranës në 20 shkurt të 1991 që rrëzoi shtatoren e Enver Hoxhës. Partia Socialiste në këtë kohë nuk ekzistonte. Ajo atëherë ishte Partia e Punës. Ajo ishte kundër heqjes së emrit të Enver Hoxhës, ajo nxori gardën kombëtare për të mbrojtur shtatoren e tij etj.

Njerëzit që votuan për Partinë Demokratike në 31 mars të vitit 1991 kur ajo humbi dhe ata që votuan këtë parti në 22 mars të vitit 1992 kur ajo fitoi kundër Partisë socialiste votuan kundër krimeve të komunizmit, kundër gjenocidit të Enver Hoxhës, votuan nën sloganin Liri Demokraci, votuan duke patur në mendje se Enver Hoxha dhe komunizmi ishin si Hitleri dhe si nazizmi, votuan kundër kooperativave shkatërruese, pro lirisë ekonomike etj. Njerëzit që votuan Partinë e punës në vitin 1991 votuan për Ramiz Alinë dhe Nexhmije Hoxhën, votuan për drejtimin e vendit nga një parti që kishte kryer krime të përbindshme, votuan me mendimin se ajo që kishte bërë Enver Hoxha nuk kishte asgjë kriminale. Njerëzit që drejtonin partinë e Punës as që kishin ndonjë thërrmijë në indet e tyre që ta quante komunizmin një regjimin kriminal dhe Enver Hoxhën njeri që kishte kryer gjenocide ndaj popullit të vet.

Pra, fluksi i votuesve të PD-së në 1991, në 1992 dhe në të gjitha vitet më pas deri sot e ka menduar Enver Hoxhën kriminel, e ka menduar Partinë e Punës një parti që ndërtoi me vetëdije një regjim gjenocidal, që mjeroi popullin e saj, që shkatërroi masivisht familjet, ekonominë dhe gjithçka për 45 vite.  Sigurisht që në Partinë Demokratike hynë  njerëz që kishin patur role të ndryshme në regjimin komunist. Mund të kenë hyrë edhe ish-sigurimsë, mund të kenë hyrë edhe njerëz që në brendësi të tyre e kishin dashur komunizmin dhe Enver Hoxhën, mund të kenë hyrë bij sigurimsash, bij drejtuesish të zakonshëm të komunizmit. Së pari, duhet thënë që në Partinë Demokratike nuk hyri askush që kishte qenë në Byronë politike, në Komitetin qendror, që kishte qenë kryetar dege, gjyqtar apo prokuror i komunizmit. Së dyti, diskursi i thellë antikomunist, pro perëndimor, pro lirive ekonomike dhe atyre fetare e bënte të pamundur që dikush në PD, dikush nga drejtuesit e saj në çfarëdo niveli të mbronte në qoftë se e kishte bindjen e tij prokomuniste. Së treti dhe kjo është më e rëndësishmja, fluksi i votuesve të Partisë Demokratike ishin njerëz që e cilësonin Enver Hoxhën kriminel, Sigurimin e Shtetit një makineri gjenocidale, të zezë, të ndyrë, ishin njerëz që urrenin mjerimin e kooperativës dhe donin një Shqipëri si Europa etj. Nuk ekziston një elitë politike askund në botë dhe sigurisht që mund të dilte kurrë një elitë politike e PD-së që të ishte kundër bindjeve të këtij fluksi votuesish.

Të gjithë ata njerëz që mund të ishin infiltruar në PD nga gazetat e Partisë së Punës, nga Zëri i Popullit, nga Bashkimi, nga Zëri i Rinisë apo nga televizioni shtetëror, të gjithë ata njerëz që mund të kishin hyrë në PD nga sigurimi i shtetit apo nga lidhje të tjera me komunizmin nuk kishin asnjë fuqi të mbronin ndonjë gjë të komunizmit, të mos e quanin atë një regjim kriminal. Sigurisht që bindjet e fluksit të votuesve dhe diskursi i thellë antikomunist i PD-së nuk mjaftojnë për ta bërë vendimmarrjen e PD-së një vendimmarrje të djathtë, vendimmarrje antikomuniste, një vendimmarrje që të përmbushë ndërtimin e Shqipërie të dekomunistizuar, ku institucionet dhe ekonomia zhvillohen në liri dhe respektojnë demokracinë. Pavarësisht se nuk mjaftojnë PD ka qeverisur pakrahasimisht më mirë se sa PS në të dyja rastet. Ekonomia është rritur më mirë, liria ekonomike, reformat për përmirësimin e klimës së biznesit kanë qenë të dukshme, ka patur përparësi sektori privat etj. Gjatë qeverisjes së PD-së janë ligje për dëmshpërblimin e ish të përndjekurve dhe ish të burgosurve. Ka patur një qasje shumë më miqësore me këtë shtresë, ka patur qëndrime të forta ndaj komunizmit, janë dy herë ligje lustracioni që më vonë janë rrëzuar etj. Sigurisht që prania në PD e ish-sigurimsave, e njerëzve që vinin nga Institutet e Nexhmije Hoxhës, nga gazetat e regjimit komunist, prania e fëmijëve të sigurimsave dhe kryetarëve të kooperativave ka bërë që ndjeshmëria ndaj të përndjekurve, ndaj kthimit të pronave të jetë shumë e vogël. Madje mund të thuhet se PD ka dështuar plotësisht me kthimin e pronave. Edhe korrupsioni në qeverisjen e PD-së është në një masë të madhe si pasojë e pranisë së këtyre njerëzve.

Partia Socialiste në ndryshim nga PD është thjesht partia e Punës që në qershor të vitit 1991 ndryshoi emrin, ndryshoi statutin dhe ndryshoi programin duke u përpjekur të përshtatet me pluralizmin.  Ajo trashëgoi zyrat e Partisë së Punës, anëtarësinë e Partisë së Punës, arkivin e Partisë së Punës, strukturën, celulat dhe degët e Partisë së Punës.  Diskursi i saj ka ndryshuar me kalimin e viteve. Pavarësisht këtij ndryshimi ajo mbetet ende partia në të cilën Enver Hoxha nuk shihet si një kriminel që ndërtoi një regjim gjakatar që poshtëroi që një popull për 45 vite. Për drejtues të lartë të PS-së që nga kreu i Kuvendit te ministri i Brendshëm, nga kryeministri te ministri i Jashtëm Enver Hoxha nuk ushtroi një gjenocid mbi popullin e tij, Byroja Politike dhe Komiteti Qendror nuk ishin forume kriminale, anëtarët dhe familjarët e Byrosë politike, Pleniumit, gjyqtarët dhe qeveritarët e lartë, fëmijët e njerëzve kryesorë të komunizmit, të atyre familjeve që i mbushën shtëpitë me kufoma nuk kanë asnjë përgjegjësi. Për kryetarin e Kuvendit dhe kryeministrin, për ministrin e Transporteve, apo të biznesit, për drejtorë zyrash apo kryetarë degësh  komunizmi ka patur teprime, janë kryer krime, por përgjegjësi nuk mund t’i kërkohet asnjë zyrtari të lartë dhe asnjë familjar i tyre nuk mund të privohet nga të qenit sot drejtues i madh. Pra Partia e Punës, njerëzit e saj dhe familjarët e tyre nuk kanë asnjë ngërç moral. Ky është diskursi publik pasi në thelb te PS Enver Hoxha dhe komunizmi shihen si arritje e lartë dhe madje adhurohen si forma sublime regjimi politik. Ka mes tyre që nuk e kanë problem edhe ta shfaqin nderimin për Enver Hoxhën, Mehmet Shehun etj.

Qeverisja e PS-së në të dyja rastet, 1997-2005 dhe 2013- 2018, ka qenë shumë e keqe se sa e PD-së. Ekonomia pëson ngërç, liritë ekonomike janë më të dobëta, njerëzit që vijnë nga komunizmi mbushin zyrat e shtetit, qasja ndaj ish-pronarëve është mospërfillëse ndërsa ish të përndjekurit përdoren (rasti i ligjit për gjoja hapjen e dosjeve) dhe përqeshen fshehtas.

Në PD mund të ketë ish-sigurimsa apo fëmijë komunistësh, zyrtarësh të komunizmit etj., por askush nuk mund të mburret që vjen nga kjo e kaluar. Në PS ka  njerëz që vijnë nga qeveria e Adil Çarçanit, ka familjarë, fëmijë të anëtarëve të Byrosë Politike, ka fëmijë kryetarësh komitetesh ekzekutive, ka familjarë të njerëzve që kanë internuar, burgosur të cilët mburren me këtë të kaluar.  Ky është një dallim i thellë që reflektohet edhe në qasjet ideologjike dhe në veprimin politik. Votuesi më injorant, më i paditur i PD-së thotë se Enver Hoxha ishte kriminel dhe Partia e Punës, Byroja Politike, Komiteti Qendror, Sigurimi i shtetit etj., ishin njolla turpi të një grupimi kriminal që bëri gjenocide për pushtet. Ndërsa në PS edhe votuesi më “I ditur”, profesori i … apo aktori…, apo …, nuk mendon se Enver Hoxha ishte kriminel, nuk mendon se Partia e Punës ishin një poshtërsi mbi këtë vend. Ky është një dallim bazik  dhe ky dallim e bën Partinë Demokratike shumë më të moralshme se sa PS. Ky dallim në vend që të zbehej pasi duhet që PS të largohet gjithnjë e më shumë nga trashëgimia e pistë e Partisë së Punës, është bërë edhe më i qartë. PD vijon të ketë po atë diskurs, po atë fluks votuesish dhe ndoshta mund  të ketë më pak ish-sigurimsa dhe më pak njerëz që vijnë nga Zëri i Popullit apo Institutet e Nexhmije Hoxhës.  Të gjitha dallimet e tjera mes PS dhe PD, aq sa janë, në lëmi të ekonomisë, të kulturës, të rendit publik etj., burojnë nga ky dallim.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Gerta Banushi: Butari, shqiptari i Selanikut

  Nga Gerta Banushi, Vizion Plus Nuk është e para herë që Kryetari...
Read More