PS-LSI, 48 orët e fundit para 1 prillit të marrëveshjes

Pritja e gjatë për të vendosur nëse do jenë bashkë në një koalicion të ri zgjedhor ka shtyrë PS-në dhe LSI-në në akuza e kundërakuza të tjera. Tahiri ka akuzuar LSI-në se po shan qeverinë për të fituar vota. LSI nuk pranon të jetë me PS-në në zgjedhjet e Kavajës

Vetëm 3 javë nga afati përfundimtar i regjistrimit të koalicioneve në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, të majtët nuk janë ende në gjendje të deklarojnë nëse do të jenë sërish bashkë në një koalicion zgjedhor në 18 qershor.

Partia Socialiste ka shprehur tashmë dëshirën për të qenë sërish bashkë, ndërkohë që LSI nga ana tjetër ka vijuar të mos ketë një përgjigje ndërsa ka deklaruar se vendimi iu përket strukturave partiake.

Kjo situatë e gjatë pritjeje duket se ka bërë që palët të humbasin durimin dhe në vetëm 24 orët e fundit të bëjnë deklarata të drejtpërdrejta të cilat cenojnë jo pak frymën e besimit se PS dhe LSI mund të jenë sërish bashkë edhe në këto zgjedhje.

Nga njëra anë kreu i socialistëve të Tiranës dhe ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri ka vijuar të shigjetojë LSI-në se po përpiqet që me anë të sulmeve ndaj qeverisë të përfitojë kapital politik për zgjedhjet.

Ndërsa nga ana tjetër LSI ka vendosur ta lërë vetëm PS-në në zgjedhjet e Kavajës, duke deklaruar se nuk mund të bëhej pjesë e një gare farsë, ku veç mungesës së opozitës, ka shprehur kritika edhe për mënyrën e përzgjedhjes së kandidatëve për kryetar bashkie.

Ndërkohë që në vijim të linjës se nuk mund të ketë zgjedhje demokratike pa opozitën, kreu i LSI-së, Ilir Meta nga Fieri u ka bërë thirrje dje palëve që të dialogojnë për të zgjidhur krizën politike dhe për të shmangur një krizë zgjedhore.

Tahiri-Balla

Nga Paskuqani ku mori pjesë në një bashkëbisedim me banorët e zonës, ish-ministri i Brendshëm, ashtu si edhe dy javë më parë ka sulmuar hapur Lëvizjen Socialiste për Integrim për rolin që po luan në politikën shqiptare dhe sidomos brenda koalicionit qeverisës.

Në cilësinë e kreut të PS-së së Tiranës, ai ka deklaruar brenda koalicionit ka forca që për të përfituar sa më shumë vota kanë parë si strategjinë më të mirë për t’u paraqitur para shqiptarëve duke sharë dhe kritikuar qeverinë ku ata vetë bëjnë pjesë.

“Qeverinë e ardhshme e keni ju në dorë, dhe jo në korridoret e politikës. Duhet të shash qeverinë që të dalësh në lajme, që të bësh lajm, që të mbledhësh ca vota më shumë. Sa më shumë sulmojnë aq më shumë duan të na tërheqin në vorbullën e sherrit, t’i thonë se ‘ja ku jemi të gjithë njësoj, dhe ndaj s’ka rëndësi se ku e çojmë votën’. Sa më shumë sulmojmë ata, aq më shumë me qytetarët duhet të flasim, aq më shumë duhet të bëjmë, aq më fort duhet të luftojmë të gjithë bashkë. Përgjigja jonë është puna, për çdo sulm, për çdo akuzë, për çdo baltë që hedhin ndaj nesh. Ne jemi të vetëdijshëm që do na gjykojnë për punën, jo për llafet”, -tha Tahiri, por pa përmendur për asnjë rast emrin e LSI-së.

Por ndërsa ai është përpjekur të tregohet i kujdesshëm në fjalën e tij për të mos krijuar një konflikt të hapur me LSI-në, zyra e tij e shtypit ka bërë të ditur se deklaratat i drejtoheshin pikërisht LSI-së.

Madje njoftimi zyrtar i shpërndarë për mediat nga PS e Tiranës, nis pikërisht me theksin se Tahiri etiketoi LSI-në.

“Kryetari i Partisë Socialiste të Tiranës Saimir Tahiri gjatë një takimi me banorët e Paskuqanit ka shigjetuar edhe një herë tjetër Lëvizjen Socialiste për Integrim. Duke iu referuar koalicionit për zgjedhjet e 18 Qershorit, Tahiri theksoi se Partia Socialiste kërkon një koalicion jo për të fituar vota, por për të punuar akoma pas 18 qershorit”, – thuhet në këtë njoftim të shpërndarë nga adresa “njoftime.pstiranë@gmail.com”.

Më tej në fjalën e tij Tahiri deklaroi se PS e do koalicionin me LSI-në për të çuar më tej reformat.

“Ne nuk duam një koalicion për të fituar por duam një koalicion për të punuar. Nuk duam një koalicion për të mbledhur vota por një koalicion për të punuar pas 18 qershorit bashkë me shqiptarët për Shqipërinë që duam. Disa duan në çadër pushtet, disa e duan në tavolinë. Askush nuk jep llogari për punët që nuk ka bërë”, – u shpreh Tahiri.

Ndërkohë që Tahiri nuk ka qenë i vetmi zë që ka kritikuar dje sjelljen e LSI-së. Nga Elbasani, deputeti Taulant Balla ka deklaruar se LSI po luan rolin e opozitës brenda mazhorancës.

Për këtë ai ka evidentuar edhe deklaratat kundër ligjit të arsimit të bëra nga deputetja Monika Kryemadhi, duke theksuar se ato bëhen me qëllim përfitimin e votave duke manipuluar të rinjtë.

“LSI-ja po bën opozitë në vend të asaj të vërtetës që ka bojkotuar institucionet dhe proteston para kryeministrisë. Sulmi ndaj reformës në arsim bëhet për të manipuluar brezin e ri, pasi të vetmen opozitë që kemi e kemi brenda vetes” – shtoi socialisti Balla.

LSI

Ndërkohë që po gjatë ditës së djeshme LSI ka kryer dy hapa që kundërshtojnë njëra-tjetrën.

Kështu, ajo është regjistruar edhe zyrtarisht si garuese në zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit, ndërsa ka bërë të ditur se nuk do të bëhet pjesë e zgjedhjeve të 7 majit për kryetar bashkie në Kavajë.

Kështu, KQZ pranoi kërkesën e LSI-së dhe miratoi regjistrimin e saj si subjekt zgjedhor për zgjedhjet e 18 qershorit.

Ndërkohë që në të njëjtën kohë, kryetari i grupit parlamentar të LSI-së, Luan Rama, ka bërë të ditur se sa i përket garës në zgjedhjet e pjesshme të Kavajës, LSI nuk do bëhet pjesë.

“Kavaja është një rast i çuditshëm, sepse bëhen zgjedhje për shkak të papërgjegjshmërisë në zgjedhjet e mëparshme dhe gabimit në zgjedhje dhe qytetarëve të Kavajës u jepet mundësia të korrigjojnë gabimin, që nuk e bënë. Nga kjo pikëpamje duke qenë se është jashtë fokusit të situatës dhe meqë zgjedhja e kandidaturës është bërë në mënyrë të njëanshme mbetet çështje e PS dhe LSI nuk ka pse të implikohet. LSI nuk merr pjesë në farsë, është e vendosur dhe do të ushtrojë kontributin që të zhvillohen zgjedhje me standarde europiane. Është absurde që në 2017 një vend i NATO të zhvillojë zgjedhje pa opozitën”, – deklaroi Luan Rama.

Në këtë mënyrë ai ka lënë të kuptohet se LSI nuk do ta ketë siglën e vet në fletën e votimit për zgjedhjet e Kavajës si pjesë e koalicionit të majtë, ashtu siç ndodhi edhe në Dibër apo në Ersekë.

Natyrisht që ky vjen si një paralajmërim i fortë për PS-në në prag të përcaktimit të fatit të koalicionit, si dhe të vetë zgjedhjeve të 18 qershorit.

Me këtë veprim LSI i ka treguar PS-së se pavarësisht se është regjistruar si subjekt zgjedhor në zgjedhjet e 18 qershorit, ajo nuk përjashton asnjë vendimmarrje tjetër në rast se nuk kthehet gara e vërtetë ku pjesë të jetë edhe opozita.

Në funksion të kësaj logjike, kreu i LSI-së, Ilir Meta, duke folur dje nga një takim me mbështetës të tij në Fier, ka kërkuar që palët të nisin sa më parë dialogun, pasi koha po skadon.

“Dua të nënvizoj rëndësinë e vendosjes sa më shpejt të dialogut politik për të garantuar zgjedhje të standardeve plotësisht evropiane në 18 qershor, në mënyrë që vendi çdo ditë e më shumë të hedhë një hap drejt këtyre zgjedhjeve, që duhet të jenë plotësisht të standardeve evropiane dhe jo të kthehet në një hap drejt thellimit të një krize politike apo të një krize zgjedhore. Sepse kjo na largon nga Bashkimi Evropian dhe njëkohësisht cenon ecurinë e të gjithë reformave të tjera, që janë jetike jo vetëm për integrimin evropian, por në radhë të parë për të forcuar paqen sociale dhe stabilitetin politik në vend, për të forcuar sundimin e ligjit, për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin dhe për të siguruar një mjedis më të favorshëm për zhvillimin e biznesit vendës e sidomos për tërheqjen e investimeve të huaja”, – deklaroi ndër të tjera kryetari i LSI-së, Ilir Meta.

Por ai ka pranuar me këtë deklaratë se në 18 qershor do të zhvillohen zgjedhjet e programuara, megjithëse bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi, gjatë një interviste televizive do të linte të kuptohej se zgjedhjet edhe mund të shtyhen.

Nga ana tjetër ka bërë të ditur se LSI ka ambicien për të dalë forcë e parë në vend në zgjedhjet e 18 qershorit dhe të dyfishojë numrin e mandateve në parlament nga 20 në 24 deputetë.

Braho bën “paqtuesin”: Marrëveshja PS-LSI duhet ripërsëritur edhe 4 vite

Por ndërsa dy aleatët në qeverisje, PS dhe LSI po shtyjnë njëra-tjetrën në një terren që po e bën gjithnjë e më shumë të pamundur ripërsëritjen e marrëveshjes së 1 prillit të 2013-s, ka edhe nga ata përfaqësues të së majtës që po përpiqen t’i paqtojnë krerët e së majtës për të nënshkruar edhe një herë atë marrëveshje.

Njëri prej tyre është edhe deputeti Spartak Braho, i cili në 2013 u zgjodh si deputet i LSI-së në listën e PS-së.

Nën peshën edhe të këtij fakti, si një deputet konsensual i të dyja forcave, Braho nëpërmjet një letre të quajtur “Refleksione” analizon ecurinë e marrëveshjes së bashkëqeverisjes së arritur plot 4 vite më parë.

Duke evidentuar se zbatimi i kësaj marrëveshjeje nuk ka ecur si duhet dhe se palët kanë patur jo pak fërkime dhe mosbesim mes tyre në bashkëqeverisje, ato kanë detyrimin që t’i çojnë edhe më tej angazhimet e marra publikisht 4 vite më parë.

“Ky koalicion bashkëqeverisës duhet të vazhdojë ta marrë përsipër realizimin e këtyre objektivave. Kjo është parimore. Jemi në kohën e pritshme e të duhur që kjo pikë e Marrëveshjes e formuluar si një “paragraf kushtetues” i saj, të vihet në axhendën e diskutimit e rikonfirmimit në tryezën e koalicionit për vendimmarrje. Kjo do të thotë që koalicioni qeverisës PS-LSI të kalojë me prioritet në zgjidhjen e çështjeve të papërfunduara, të kryejë Reformën Zgjedhore, Reformën në Drejtësi etj., të zgjidhë krizën që imponohet nga opozita e djathtë dhe kërkesat ultimative të saj, me qëndrim të përbashkët dhe dialog të pandërprerë. Besoj se për këto qëllime të mëdha edhe në të ardhmen këto dy forca politike të të majtës shqiptare kanë një rrugë të përbashkët”, shkruan Braho në këtë letër.

Më tej ai sqaron edhe këtë periudhë pritjeje për marrjen e këtij vendimi, duke justifikuar qëndrimin e LSI-së me krizën politike.

“Ndërsa Partia Socialiste dhe vetë Edi Rama ka lënë të kuptohet për një rikonfirmim në vazhdimësi të “Koalicionit për Shqipërinë Europiane”, Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Ilir Meta janë shprehur se ky vendim, pra për vazhdimësinë e koalicionit qeverisës do të merret në forumet drejtuese në ditët në vijim. Gjykoj se kjo “pritje” është e lidhur jo vetëm me analizën e realizimit të saj gjatë 4 vjetëve ku krahas pozitivitetit ajo u shoqërua edhe me defekte e përplasje, por dhe me situatën e krizën politike aktuale”, – thekson Braho, ndërsa thekson se marrëveshja që ka pasur efekt ligjor është nënshkruar më 23 prill të 2013-s.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Rrahja e fëmijës dhe dhuna brenda nesh

Nga Gentian Dervishi Rrahja e fëmijës në kopsht është dëshmi e një...
Read More