PS-PD kundër propozimit të LSI-së për listat e hapura

Kuti VotimiDy forcat e mëdha kanë kundërshtuar propozimin e listave të hapura, duke argumentuar se ai do sillte vështirësi në votim dhe në numërim. PD drejt tërheqjes nga propozimi për votim e numërim elektronik, për shkak se nuk ka më kohë për t’u realizuar, por edhe sepse maxhoranca nuk e ka përkrahuar atë

Dy partitë e mëdha kanë “rrëzuar” propozimin e ardhur nga Lëvizja Socialiste për Integrim për të votuar në zgjedhjet parlamentare me lista të hapura. Megjithëse e konsiderojnë një variant më demokratik sa i përket të drejtës që u jepet qytetarëve për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre, socialistët dhe demokratët janë kundër një varianti të tillë dhe kjo për shkak se një teknikë e tillë do të sillte vështirësi në menaxhimin e procesit zgjedhor. Ndërkohë që nga ana tjetër Partia Demokratike ka humbur shpresën se procesi i votimit dhe numërimit elektronik mund të realizohet për sa kohë nuk ka vullnet nga pala tjetër, megjithëse e konsideron atë si domosdoshmëri për të patur një proces zgjedhor të ndershëm.

Listat

Duke folur për propozimin e LSI-së për listat e hapura, bashkëkryetari i komisionit të Reformës Zgjedhore, Taulant Balla ka theksuar se në rast se do të zbatohet një zgjidhje e tillë, atëherë kjo do vështirësonte shumë procesin zgjedhor. Dhe kjo sipas tij për shkak se do të vështirësonte votimin e zgjedhësve pasi ata do duhet të votonin si për subjektin ashtu edhe për kandidatët brenda listave. Jo vetëm kaq por kjo do zgjaste edhe më tej procesin e numërimit dhe nxjerrjen e rezultatit final, një nga problemet e vazhdueshme të zgjedhjeve shqiptare edhe në këto kushte, kur votimi është më i thjeshtë. “Listat e mbyllura garantojnë një proces shumë të rregullt. Sa e vështirë është në Shqipëri të përfundosh një proces zgjedhor kështu siç jemi. Imagjinoni se ç’do të ndodhte në Shqipëri, sikur pas numërimit të votave të subjekteve politike, të niste një proces pafund për numërimin e votave për kandidatët. Ky është një element teknik, por ka plot argumente të tjera të cilat e hedhin poshtë propozimin për të pasur lista të hapura”, -tha Taulant Balla për Top Channel. Ndërkohë që edhe numri dy i Partisë Demokratike, Arben Ristani, duke folur edhe si ish-kryetari i KQZ-së ka qenë në sinkron me qëndrimin që mbajnë socialistët, duke theksuar se aplikimi i listave të hapura sjell një proces të vështirë votimi dhe numërimi. “Për mua, sistemi me listë të hapur, ndonëse është i pranueshëm, paraqet vështirësi për t’u zbatuar”, – tha Ristani.

Votimi elektronik

Nga ana tjetër edhe sa i përket çështjes së votimit elektronik të dyja partitë e mëdha po shkojnë drejt një mirëkuptimi të detyruar dhe kjo për shkak të refuzimit të vazhdueshëm të socialistëve për të mos e pranuar atë. Në kushtet kur mbeten edhe pak muaj nga zgjedhjet demokratët kanë pak shpresa se kjo mund të realizohet për këto zgjedhje. “Duhet të marrim masa që të sigurojnë besueshmërinë e procesit zgjedhor, duke futur votimin elektronik dhe numërimin elektronik. Për ne, në rast se ka zgjedhje të lira e të ndershme, të gjitha llojet e sistemeve janë të pranueshme”, – shprehet Ristani. Ndërkohë që deputeti tjetër, Genc Pollo shprehet se për sa kohë që PS nuk e pranon këtë propozim, ky propozim është i pamundur të kthehet në ligj. “Ndryshimet bëhen me konsensus. Pra propozimet e PD dhe PS po nuk u miratuan nga pala tjetër e kanë të vështirë të kthehen në ligj”, -shprehet Pollo. Nga na tjetër dje kryeministri tha se “në parim nuk është kundfër votimit elektronik, por testet që janë bërë në të kaluarën kanë dështuar”. Por dy partitë e mëdha duket se bashkohen në parim sa i përket votimit të emigrantëve, megjithëse ndahen te mundësitë e realizimit të tij. “Debati më i rëndësishëm që duhet të zhvillohet është debati për të drejtën e votës së shqiptarëve që jetojnë jashtë. PS-ja ka paraqitur një platformë, ku fton të gjitha partitë që të shprehen në favor të këtij propozimi. Modalitetet infrastrukturore për organizimin janë të thjeshta. Qoftë me postë, qoftë përmes shprehjes së votës në pikat tona konsullore”, -shprehet Balla. “Jemi pro mundësive të votimit të emigrantëve shqiptarë, nëse arrihet kontrolli i duhur”, -shprehet Ristani. Ndërsa sa i përket një tjetër propozimi të ardhur nga LSI dhe që ka të bëjë me reduktimin e numrit e të zgjedhurve, PS dhe PD mbajnë qëndrime të kundërta. Për PS, Shqipëria nuk ka nevojë të reduktojë numrin e deputetëve pasi nuk ka një parlament të madh, ndërsa PD mbështet në këtë pikë LSI-në, duke theksuar se kjo do ishte pozitive.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Bujar Hudhri: E trishtueshme vetmia e librit shqip në Frankfurt

Dje, dita e fundit e ngjarjes më të madhe të librit në...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.