PS, PD, LSI: Tri “banda” politike krejtësisht të ndryshme

Nga Klementin Mile

Lubonja i quan banda. Në këtë mënyrë ai nuk arrin t’i diferencojë partitë politike shqiptare. Ato janë në fakt shumë të ndryshme kur marrim parasysh elementet e influencës dhe pushtetit. Kështu, në terma të influencës PD shfaqet si partia që ka pushtet social. Influenca e saj në popull funksionon si përthithëse pasigurie, çka do të thotë se PD, po t’i kërkohet, mund t’i arsyetojë pohimet dhe deklaratat që bën. Por fuqia argumentative e PD-së dhe arsenali i arsyeve që disponon krijojnë në këtë mënyrë vetëm një pushtet social të shpërndarë dhe lehtësisht të sfidueshëm.

LSI, nga ana tjetër, ushtron një formë më të fuqishme influence, të bazuar te sanksionet pozitive (shpërblimet). Komunikimi i LSI-së me elektoratin kryhet përmes raporteve të shkëmbimit, të cilat i strukturojnë mjaft mirë veprimet e palëve. Megjithatë, pushteti ekonomik i LSI-së që rezulton prej kësaj është i kufizuar, pasi ai merr fund sapo shpërblimet nuk jepen ose zbulohen se janë iluzore.

PS ushtron një formë simbolike influence të bazuar te sanksionet negative (ndëshkimet). Kjo bën që PS të shfaqet si parti e pushtetit politik. Ky i fundit është mjaft i qëndrueshëm për të funksionuar si mjet komunikimi për sistemin politik shqiptar; por nga ana tjetër, nëse sanksionet negative bëhen shumë të ashpra dhe pa ndonjë lidhje me ligjin, kjo mund të sjellë që influenca e PS-së të mos përjetohet më si pushtet politik, por si dhunë – çka do të ishte fundi i pushtetit.

Por që influenca të shërbejë si lëndë e parë për t’u transformuar në pushtet ajo duhet të përgjithësohet. E analizuar kështu PD shfaqet si parti autoriteti, çka nënkupton influencën e përgjithësuar në kohë. Mbështetësi i PD-së e pranon influencën e partisë dhe kryetarit të saj për shkak të traditës, pasi kështu ka bërë dhe më parë, pasi ekziston një histori që priret të përsëritet vazhdimisht.

Ndryshe ndodh me LSI-në. Ajo është një parti reputacioni, çka nënkupton influencën e përgjithësuar në raport me përmbajtjet. Mbështetësi i LSI-së e pranon influencën e partisë dhe kryetarit të saj për shkak se kështu ka bërë edhe në situata të tjera dhe sepse e transferon përvojën pozitive nga një rast te një tjetër.

Së fundi, PS është parti lidershipi. Kjo do të thotë se ushtron influencë të përgjithësuar në nivelin social. Mbështetësi i PS-së e pranon influencën e partisë dhe kryetarit të saj për shkak se kështu bëjnë dhe të tjerët. Ky pushtet bazohet tek imitimi: te përforcimi i disponibilitetit për t’u konformuar për shkak të përvojës që edhe të tjerët konformohen.

Këto dallime janë të rëndësishme për t’i identifikuar partitë kryesore shqiptare dhe për të vendosur premisa në funksion të shpjegimit të ngjarjeve politike. Megjithatë, duhet pranuar se autoriteti, reputacioni dhe lidershipi janë tipa analitikë, pasi në realitet është e pamundur të përdorësh vetëm njërin prej tyre për të përgjithësuar influencën.

Kështu, lideri nuk mund të mbështetet vetëm te dimensioni social i pritshmërive të bazuara në imitim, por duhet deridiku t’i referohet edhe vlefshmërisë së motiveve përgjatë kohës, si dhe reputacionit që vjen nga vendimet e sakta dhe efikase në sektorë të caktuar. E duke qenë se vlefshmëria e influencës është relevante në raport me temat dhe personat, edhe përgjithësimi kohor (autoriteti) nuk mund të realizohet duke përjashtuar krejtësisht reputacionin dhe i afrohet dimensionit social sapo fillon të komunikohet. Opinioni i të tjerëve dhe disponueshmëria e tyre për t’u konformuar kanë veçanërisht rëndësi atëherë kur një kërkesë ose urdhër nuk sjell menjëherë dhe direkt bindje.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Opera me 170 artistë: “Carmen”, si do jetë fati i saj këtë herë?

Opera Carmen, e konsideruar si projekti më gjigant që hap sezonin e...
Read More