PS propozon tryezë Rama-Basha, opozita e refuzon

Reforma zgjedhore bën bashkë PS, PD dhe LSI, që pritet të nisin punë në ditët në vijim. Ndarja mes tyre për përfaqësimin politik, ku PS kërkon që takimet e përmuajshme të jenë në nivel kryetarësh, por PD e refuzon. Ku do përqendrohet puna për reformën zgjedhore dhe këmbëngulja e opozitës që në zgjedhjet e ardhshme të përfshihet numërimi dhe votimi elektronik.

Partia Socialiste dhe ajo Demokratike nuk do jenë më në retorikën boshe për bashkëpunim, por pritet të institucionalizohet me takime të përmuajshme të nivelit të lartë politik. Forcat kryesore politike janë në dakordësi të plotë që sa më parë të ngrihet një tryezë diskutimi për çështjen e reformës zgjedhore. “Dua të shpreh dëshirën tonë për të institucionalizuar një tryezë politike të një niveli të lartë, e cila të adresojë të gjitha çështjet që na bashkojnë, por edhe ato që sot na ndajnë, por që duhet të na bashkojnë në interes të integrimit europian të Shqipërisë. Kjo tryezë duhet të përmbajë partitë më të rëndësishme politike të vendit dhe sigurisht që përfaqësimi i tyre të jetë në nivelin më të lartë, me kryetarin e partisë”, deklaroi dje Kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla. Deklarata e tij u lexua si një “dakordësi” që kryetarët e partive të ishin në takimet e përmuajshme, por një takim të ri Rama-Basha duket se nuk mund ta shohim shpejt. “Ne jemi të fokusuar tek objektivi ynë i këtyre 4 viteve, pra reforma zgjedhore. Për të bërë këtë nuk ka nevojë për një tryezë politike të nivelit të lartë. Edhe në marrëveshjen e 17 majit, Rama tha se në zgjedhjet e ardhshme do të hyhet në proces me votim elektronik, për këtë nuk kemi më çfarë flasim”, u shpreh Spaho, duke paralajmëruar se nuk është i nevojshëm takimi në nivele të larta politike për reformën zgjedhore. Partia Demokratike mbetet e fokusuar në rezultatin që do të dalë nga grupi i punës me përfaqësuesit e PS, PD dhe LSI për reformën zgjedhore. “Objektivi ynë është t’i japim qytetarëve shqiptarë zgjedhje të lira e të ndershme. Në përgjithësi zgjedhjet në Shqipëri, 2013, 2015, 2017, kanë patur probleme thelbësore, veçanërisht shitblerja e votës. Këto probleme do të evidentohet edhe në raportin e OSBE/ODIHR për zgjedhjet e 2017. Kur themi që duhet të kryhet reforma zgjedhore, përveç votimit elektronik, evitimit të shitblerjes së votës, është e rëndësishme që t’u mundësohet qytetarëve një sistem zgjedhor i ndershëm. Ndaj synohet të kalohet në një sistem të ri zgjedhor, i cili do të mundësojë të zgjedhurve dhe zgjedhësve votë dhe garë të ndershme”, theksoi kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Edmond Spaho.

“Alkimia” vazhdon…

Politika konfliktuale dhe deklarative e ashpër duket sikur i ka lënë hapësirën dialogut dhe “pikënisja” mban datën 18 maj të këtij viti në marrëveshjen mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës. Opozita po tenton në çdo mënyrë që çështjen e reformës zgjedhore ta ketë si prioritetin e saj kryesor, ndërsa mazhoranca është e kushtëzuar që të jetë pjesë e këtij dialogu, edhe në interes të integrimit të vendit në BE. Pavarësisht disa debateve të forta në ditët e fundit, rrjedha politike pozitë-opozitë ka marrë pamje tjetër me Bashën si lider të PD-së. Po synohet që të shkohet në zgjidhje institucionale me dialog duke anashkaluar “traditën” politike të mëparshme të përplasjeve të forta. Për Bashën është një mundësi më shumë që në zgjedhjet e ardhshme të bëhet gjithçka mundet për sa i përket problemit madhor të blerjes së votave apo deformimit të rezultatit zgjedhor. Ndërkohë Rama do ta përdorë bashkëpunimin me opozitën si një kartë të vlefshme për integrimin e vendit në strukturat e BE-së. “Është në interesin e Shqipërisë, të integrimit europian të vendit, që ne të institucionalizojmë tryezën e dialogut politik konstruktiv”, deklaroi Taulant Balla. Por përgjigjja ishte e menjëhershme nga homologu i tij Spaho, kur u shpreh se “sa i takon integrimin europian të Shqipërisë, nëse ka forcë që ka kontribuar në këtë drejtim në mënyrë të vazhduar, ajo është PD”. Pavarësisht se PS, PD dhe LSI janë në një mendje që të nisë puna për reformën zgjedhore, ndarja është për nga niveli i përfaqësimit. “Këmbëngulëm që komisioni të fillojë sa më parë nga puna dhe besoj që do të fillojë shpejt pasi në parim u shprehën dakord edhe përfaqësuesit e mazhorancës, edhe partia tjetër në opozitës, LSI”, -tha Spaho. Por kërkesa e Ballës që në tryezën e diskutimeve të përfshihen edhe kryetarët e tri partive kryesore ka hasur në stepje të PD, e cila nuk dëshiron që t’i “vetofrohet” kaq lehtë mazhorancës. Partia Demokratike këmbëngul se ky parlament nuk ka dalë nga zgjedhje të lira dhe ndershme, dhe për më shumë Basha u shpreh pak javë më parë se: “marrëveshja e 18 majit është varrosur”… Ndonëse palët mund të bien dakord për një pjesë të mirë të ndryshimeve në reformën zgjedhore, takimi në nivel kryetarësh duket se nuk do të ndodhë në një kohë të shkurtër.

LSI si “shtojcë”?

Që të tria partitë kryesore parlamentare politike në parim mbesin të hapura për nisjen e punës për reformën zgjedhore, por detajet duket se do të bëjnë ndarjen. Dilemat e LSI-së nuk janë për çështjet teknike, por mënjanim i kësaj force politike, duke ndryshuar sistemi elektoral. Për numërimin dhe votimin elektronik apo për votimin e emigrantëve të gjithë duket se janë gati të ngrenë kartonin jeshil, por çështja mbetet delikate për LSI-në për sa i përket sistemit zgjedhor. “Mbështesim një reformë të vërtetë zgjedhore. 25 qershori ishte një histori e shëmtuar e deformimit të votës së shqiptarëve. Dekriminalizuam parlamentin, tani misioni ynë të dekriminalizojmë votën e shqiptarëve”, është shprehur pak kohë më parë kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi. Një marrëveshje mes PD dhe PS për të ndryshuar Kodin Zgjedhor nuk mund të quhet “herezi” pasi në deklaratat publike është lënë një opsionin i hapur për ndryshimin e sistemit elektoral. E vetmja mënyrë për të kryer ndryshimet ligjore është bashkimi i votave pozitë-opozitë.

Raporti i OSBE-ODHIR

Në javët e ardhshme pritet të dalë edhe raporti përfundimtar i OSBE-ODHIR në lidhje me zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit në Shqipëri dhe problematika e nxjerrë prej institucioneve ndërkombëtare mund të jetë objekti i punës së komisionit të reformës zgjedhore. Mangësitë e vëna re nga përfaqësuesit ndërkombëtar të monitorimit të zgjedhjeve pjesërisht u bënë publike tre ditë pas ditës së zgjedhjeve, por raporti më i detajuar ende nuk ka mbërritur. Gjithashtu, PD ka edhe një tjetër material që do ta paraqesë në komision, pikërisht raporti i hartuar nga ministrat teknikë. Nuk përjashtohen debatet, qoftë edhe me tone të ashpra, por palët duket se janë dakord për tre nga pikat kryesore që lidhen me votimin dhe numërimin elektronik dhe mundësia e përfshirjes për herë të parë edhe e votimit të emigrantëve.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

“Statutet e Shkodrës”, Lucia Nadin: Punova për Shqipërinë si një zë nga Venecia

Botimi i edicionit “Statutet e Shkodrës”, nga gjysma e parë e shekullit...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.