Pse bashkimi kombëtar i shqiptarëve i frikëson të gjithë?

Bashkimi i Kosovës dhe Shqipërisë është zgjidhje për stabilitet dhe prosperitet në Ballkanin Perëndimor apo bërthama e një lufte të re? Në fakt asgjë më shumë se një bashkim që nuk refuzohet, por mbështetet nga e Drejta e Popujve dhe Kartat e OKB-së. Pse shqiptarët kanë frikë nga bashkimi i Kosovës me Shqipërinë?

Nga Baton Haxhiu

-Letër nga kryeqyteti i dytë

Ditën që u shua Helmut Kohl shumica e mediave kryesore të botës patën këtë kryemesazh: “Vdiq dirigjenti dhe realizuesi i ribashkimit të Gjermanisë”. Kjo arritje e ish-kancelarit gjerman, bashkimi i popullit të tij, u afirmua si kulmi sublim i biografisë dhe suksesit të tij si lider për histori.

Çka ndodh nëse shembullin e tij e ndjek ndonjëri nga kryeministrat e sotëm shqiptar. Arsyet e tij do të ishin po aq të forta dhe të argumentuara sa ato të Kohlit, ngase do të donte bashkimin e dy shteteve që për nga natyra, kultura dhe historia janë një.

Mund të parafytyrojmë histerinë që do të shpërthente. Do të çmendej bota nëse shteti shqiptar dhe ai kosovar shpalojnë ndonjë strategji të bashkimit në një si dy gjermanitë së fundi? Dhe histeria e jashtme nuk do të ishte më therëse se sa ajo e brendshmja; ka plot shqiptarë andej e këndej kufirit që si duket e kanë të pamundur të lënë mendtë të imagjinojnë edhe më gjatë drejt të ardhmes se sa vetëm për tri ditë.

Pse tremb kaq shumë bashkimi i shteteve shqiptare “botën”?

Çka ka ndryshuar nga thyerja epokale e bllokut me drapër dhe çekan që favorizonte bashkimin e Gjermanive aq shumë saqë bashkimi i shteteve shqiptare të duket variant i natyrshëm, madje edhe për më tepër; të jetë një plus gjeostrategjik për BE-në dhe SHBA që ta ruajë stabilitetin dhe t’ia bëjë vetes një fortesë që thyen dominimet e mundshme të blloqeve sidomos nga Lindja?

Po ka ndryshuar shumëçka. Jo vetëm nga rënia e murrit të Berlinit, por edhe sjelljet e fuqive të mëdha ndaj shqiptarëve kanë ndryshuar shumë.

*

Ky ndryshim qasjesh shihet sidomos në relacion me sovranitetin e Kosovës.

Edhe pse në shekullin e 21-të nuk ekziston një sovranitet i pakushtëzuar, ai sovranitet mbetet kushti thelbësor për krijimin dhe ndërtimin e shtetit. Po cili është sovraniteti i Republikës së Kosovës sot? Ai nuk është vetëm i kushtëzuar por edhe vetëmashtrues. Ky është një fakt që nuk e dëgjojnë me qejf qeveritë e as partnerët e Kosovës, por po t’i pyesim qytetarët se si ndihen ata, shumica absolute ta jep përgjigjen se cilin realitet ndiejnë; ata ndihen të jetojnë në një shtet me sovranitet të mashtruar e të mashtrueshëm!

Kosova nuk do të ishte shtet mashtrues, por momenti i krijimit të saj, dhe më shumë se sfida e vazhdueshme e sovranitetit të saj, nga jashtë dhe brenda, e ka bërë shtetin në mendjen e njerëzve të jetë një mashtrim i madh. E ky status, ky model i trashëguar antagonist i kombit mashtrues nuk krijon në asnjë mënyrë prosperitet, demokraci dhe të ardhme të sigurt. Asnjëherë!

Që të jetë ndryshe duhet që shqiptarët brenda gjeozonës së natyrshme të tyre të veprojnë sipas asaj mendësie që e argumentojnë qysh herët Davide Hume në veprën e tij “On the Balance of Power” dhe Montesquieu në veprën “Fryma e ligjeve” kur flet për interdependencën e gjeografisë me historinë. Kulturosfera shqiptare, me timonin e dy shteteve kërkon rikonfigurim më të mençur dhe më strategjik gjeopolitik në Ballkan dhe brenda Europës.

*

Në mënyrë që shqiptarët të mos jenë refugjatë dhe emigrantë, në mënyrë që të jenë qytetarë të barabartë të botës, shqiptarët në Kosovë duhet të kenë shtet në të ardhmen dhe prosperitet në të cilin ata besojnë. Ne paraprakisht duhet të kemi vetëkonfirmim dhe vetërespektim që pastaj të mundemi të respektojmë vlerat që përfaqësojnë qytetarët europianë. Në mënyrë që të kuptojmë shoqërinë dhe shtetësinë postnacionaliste, së pari duhet të përfundojmë çështjen shqiptare të papërfunduar, pasi nëse kjo mbetet e papërfunduar gjithmonë do të sfidojë udhëtimin tonë drejt paqes, sigurisë dhe stabilitetit. Dhe do të sfidojë jo vetëm tonë por do të acarohet edhe më shumë për gjithë rajonin. Kjo është më se e sigurt.

Pra, Kosova si shtet në vetvete do të jetë gjithmonë burim i paqëndrueshmërisë për vete dhe për rajonin. Ajo do të sfidohet, para dhe pas të gjitha sfidave të tjera, nga kriza e identitetit të saj. Ndjenja pra të jetosh diku që nuk i përket shoqërisë në të cilën je pjesë e saj – nuk jeni pjesë e saj, sepse dëshironi të jeni pjesë e diçkaje tjetër ose sepse ajo që ju i përkisni është sfiduar vazhdimisht – se kriza e identitetit do të jetë burim i vazhdueshëm i radikalizmit, i politikave dhe i feve. Efektin e kësaj gjendjeje tashmë e kemi parë; ajo na bën një shtet të gjymtuar siç e kemi këtu, tash, në Kosovë. Efektin helmues të zhgënjimit, mungesës së shpresës dhe zemërimit që riprodhon pandalshëm e gjithë shoqëria.

Ëndrra e papërmbushur e respektit kombëtar ndaj vetvetes gjithmonë do të ushqejë zemërimin dhe frikën dhe e dimë se me këto ndjenja, sidomos në Ballkan, e ardhmja nuk mund të jetë saktësisht e ardhmja.

*

Ne mund të debatojmë se kush më së shumti është përgjegjës për këtë krizë identiteti që nuk e bën të mundur ndërtimin e shtetit në Kosovë. E në këtë e sipër nuk ka të pafajshëm. Qeveritë tona prodhojnë vetëm telashe e jo zgjidhje. Hipokrizia e BE-së duke luajtur si modeli i lartë i rrokullisjes morale dhe që duan të rregullojnë ndërtimin e shtetit, por në të vërtetë nuk janë në gjendje të bëjnë që anëtarët e saj të njohin Kosovën. Tërheqja graduale e sponsorëve të pavarësisë së Kosovës, madje mund të themi duartrokitja e tyre sa herë Kosova dështon ta mbrojë sovranitetin e saj janë dëshmi që shqiptarët duhet t’i nxisë në strategji këmbëngulëse për t’i mbrojtur shtetet e tyre. Si të ndodhë kjo dhe me cilin synim kapital, final?

Bashkimi i Kosovës me Shqipërinë nuk ka të bëjë me krijimin e shtetit kombëtar, dhe jo për Shqipërinë e Madhe. Ai në të vërtetë është zgjidhja e vetme për tejkalimin e këtij koncepti politik duke mundësuar transformimin në një shoqëri të hapur dhe të integruar, e përqendruar në progresin përtej konfirmimit të vetë. Kjo do të thotë të mos jesh më i burgosur në historinë e saj, por të hapësh zemrat dhe mendjet për t’u integruar me fqinjët tanë në Ballkanin Perëndimor në kontekstin europian.

*

Duke parë në këtë kontekst, unifikimi mbi të gjitha do të thotë se dëshiron të jesh qytetar i Europës dhe botës, por jo si refugjat ose emigrant, por si qytetar i barabartë që mund t’i shtojë vlerë bashkësisë globale. Do të thotë të zhvendosësh nga marka ballkanike identitete antagoniste ndaj vëllazërisë në liri dhe barazi.

Për shkak se me dekada në ekzistencën e saj Kosova ka dëshmuar se liria është shumë e kushtëzuar. E kushtëzuar për ata që janë peng, ka qenë për shekuj, e kushtëzuar me konsensusin e pamundur të shteteve të BE-së se ajo që vërtet është shtet dhe nëse Kosova është e kushtëzuar me interesin e fuqive botërore për të bërë studimin e rastit të rajonit për rendin e ri botëror marrje.

Për t’i ikur kësaj teposhte, konfuzioni, vërdallje mëhallëve politike të bërë pikë e pesë, për të lënë pas këtë rreth vicioz të frikës dhe zemërimit që ka arrestuar ndërtimin e shtetit, për të reduktuar paparashikueshmërinë dhe armiqësitë, për të qenë një faktor i natyrshëm , i fortë, me rol konstruktiv gjeopolitik dhe autonom në kultivimin e kulturës dhe identitetit si të drejta të panegociueshme elitat politike shqiptare duhet të mendojnë seriozisht, intelektualisht, politikisht, ekonomikisht për një shtet të përbashkët me Shqipërinë.

Kjo do të na mundësojë që të merremi me çështje të ngutshme të pabarazisë dhe radikalizmit, duke krijuar institucione demokratike, rritje ekonomike. Shkurtimisht, kjo do të na sjellë në pozitë për të nxitur të ardhmen që ka kuptim për të gjithë, për ne, por edhe për fqinjët tanë. Kjo do të bëjë të mundur që shqiptarët të jenë forcë pozitive e stabilitetit në rajon dhe me anë të kësaj të bëjnë të mundur që Ballkani Perëndimor të largohet nga kurthi i politikës së identitetit dhe të punojë së bashku për të qenë forcë pozitive në bashkësinë globale.

Ballkani Perëndimor është sfiduar vazhdimisht nga deficiti i saj demokratik dhe mënyra për ta kapërcyer është krijimi i kontekstit për marrëdhëniet më pozitive dhe bashkëpunuese mes dy kombeve, shqiptarëve dhe serbëve. Kjo marrëdhënie gjithnjë e më shumë përcakton realitetin dhe gjendjen e stabilitetit në rajon, është sfida themelore e Ballkanit Perëndimor që e mban çelësin e së ardhmes së saj. Bashkimi i Kosovës dhe Shqipërisë në një subjekt do të jetë zgjidhja e kësaj marrëdhënieje gjatë krijimit të kontekstit të ri politik në Ballkanin Perëndimor, i cili do t’iu mundësojë të dy vendeve të kalojnë në diçka që kurrë nuk kanë qenë dhe që janë miq dhe partnerë me vlerë të përbashkët të ndërtimit të ndërlidhur, demokratik dhe të begatë te shoqërisë në rajon.

Kjo është arsyeja pse tani me hapjen e dialogut midis Kosovës dhe Serbisë është pikërisht momenti për të bërë një rast të arsyeshëm dhe të shëndoshë për bashkimin. Ata do të na kuptojnë, sepse ne do të flasim në gjuhën e tyre të vetafirmimit, krenarisë dhe përcaktimit të ëndrrës së integritetit të kombit. Duhet ta bëjmë rastin për bashkim te qytetarëve tanë, fqinjëve tanë, BE-së dhe botës. Dhe kjo është se bashkimi është rasti për paqen, begatinë dhe të ardhmen më të mirë për të gjithë. Është rasti për demokracinë, jo e fiksuar dhe e paracaktuar, por që të bëhet, e guximshme dhe e re dhe ende e lashtë sa ëndrra e shoqërisë së lavdishme.

*

Në fakt dy shtete sovrane, të pavarura, kanë të drejtë të vendosin vetë se me kë bëjnë bashkime. Kjo është e drejtë e garantuar me të gjitha kartat e OKB-së dhe të tjerat. Përndryshe nuk do bashkoheshin as Gjermanitë dhe ai – bashkimi – nuk do të ishte merita historike e liderit gjerman. Është diçka e natyrshme, kur një popull i ndarë në formacione të ndryshme politike do të bashkojë fuqitë. Këtë mirëpo para gjithë tjerëve duhet ta duan shumicat shqiptare. Se vetëm kur do vetë, kur je i vendosur për diçka legjitime, i bind edhe tjerët, ndryshe jo.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Tatimi mbi pronën, shembujt që mund të përzgjedhë Shqipëria

Sistemi i vlerësimit bazuar mbi sipërfaqen që përdoret edhe në Shqipëri është...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.