Pse bëjmë filozofi?

Nga Klementin Mile

Njeriu është qenie filozofike. Ai është i tillë, pasi në dallim nga gjallesat e tjera si bimët dhe kafshët, shqetësohet për qenien e vet. Të shqetësohesh për qenien tënde do të thotë të ngresh pyetje metafizike, epistemologjike, etike etj., – pra pyetje filozofike. Por kjo është tepër e përgjithshme. Në fakt ka disa motive konkrete se pse bëjmë filozofi.

Motivi noetik. Ky motiv, ashtu si dhe vetë fjala “noetik” nga greqishtja e lashtë, i referohet mendjes. Pra, njëri nga motivet tona për të bërë filozofi është thjesht ngaqë mendjet tona janë të dëshiruara për dije. Siç shkruante Aristoteli, “të gjithë njerëzit, prej natyre, dëshirojnë të dinë”. Këtë gjë shpreh edhe Kanti kur thotë se ne njerëzit nuk mund të mos bëjmë filozofi. Kjo ngaqë filozofia është natyrale ashtu si frymëmarrja; dhe ashtu si me frymëmarrjen, ne e bëjmë atë edhe kur nuk jemi të ndërgjegjshëm që po e bëjmë.

Motivi i katarsisit. Katarsis është një lloj pastrimi. E tillë mund të konsiderohet filozofia, një pastrim intelektual. Sokrati për shembull besonte se të bërit filozofi na çliron nga mendjemadhësia, nga konfuzioni, nga frikërat e kota dhe nga pasionet e dëmshme. Këto gjëra e mbështjellin shpirtin nga jashtë, sikurse balta, dhe nuk e lejojnë të mbushet me dritën e së vërtetës dhe mirësisë. Duke bërë filozofi ne i pastrojmë ato pengesa nga shpirtrat tanë. Një gjë të ngjashme me këtë tha edhe Wittgensteini kur foli për funksionin e katarsisit të filozofisë. Sipas tij, filozofia eliminon “ngërçet mendore”. Edhe mendja, ashtu si trupi, mund të pësojë ngërç. Kjo ndodh kur “gjuha shkon për pushime”, duke u keqpërdorur dhe shkaktuar konfuzion.

Motivi mistik. Hegeli, në mënyrë enigmatike, thoshte se filozofia është qenia e vetëdijshme për veten. Ai besonte se i tërë realiteti ishte një individ (pra diçka e pandashme) i vetëm i pavetëdijshëm për veten derisa u shfaqën njerëzit. Me shfaqjen e njerëzve (që janë një pjesë e realitetit), për herë të parë realiteti u bë i vetëdijshëm për veten. Ne jemi sytë dhe qelizat e trurit të realitetit. Secili prej nesh është një dritare përmes së cilës universi njeh vetveten, por jo të gjithë veten, nga një këndvështrim i veçantë. Ose siç thoshte Heideggeri, filozofia është rezultat i qenies, e cila kërkon vëmendjen tonë, pëshpërit emrat tanë, na thërret, na josh të dalim prej veteve tona individuale dhe konceptimeve shoqërore të realitetit dhe të përballemi me vetë qenien. Në këtë kuptim “njeriu është bariu i qenies”.

Motivi i urtësisë. Filozofia, literalisht, do të thotë “dashuri për urtësinë”. Ne bëjmë filozofi në mënyrë që ta kuptojmë dhe jetojmë mirë jetën. Epikteti thoshte se filozofia nuk premton të na japë ndonjë të mirë të jashtme. Filozofia na mëson artin e të jetuarit dhe materiali që ajo përdor dhe përpunon gjendet brenda njeriut, pasi është jeta e çdo personi.

Motivi sportiv. Së fundmi, njerëzit mund të bëjnë filozofi edhe ngaqë ajo u duket si një lojë tërheqëse. Filozofia është një lojë e pambarimtë dhe mund ta luajë çdokush. Si lojë, ajo e pranon edhe konkurrencën edhe bashkëpunimin. Për disa njerëz filozofia është si sporti i gjahut, me dallimin që në filozofi nuk ka rrezik t’i zhdukësh speciet që gjuan.

Pedagog në UET

Rubrika: Peripatos

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Aksidenti me dy të vdekur në Burrel, arrestohet shoferi 15-vjeçar

Policia e Burrelit ka vënë në pranga një 15-vjeçar për aksidentin e...
Read More