Pse duhet akoma të paguajmë për Televizionin Publik Shqiptar

Nga Edi Vlusha

Duke u nisur nga debati i këtyre dy ditëve për financimin e televizioneve private nga ana e qeverisë nuk shoh ndonjë mëkat por një nismë mjaft pozitive, ku televizioneve private u jepet mundësia të garojnë në projekte ku mund të jenë shumë herë më eficiente se sa televizioni publik shqiptar.

Së pari, duhet të theksoj se, Televizioni Publik Shqiptar nuk ofron falas programacionin e tij për të na argëtuar informuar apo edhe edukuar. E kundërta që përflitet është thjesht një mit, pasi çdo familje shqiptare paguan 12 mijë lekë në vit, ku në total janë rreth 600 mijë të tilla dhe buxheti vjetor që Televizioni Publik Shqiptar posedon, duke shtuar edhe paratë që merr nga buxheti i shtetit është rreth 12 milionë Euro. Çka do të thotë që TVSH-ja financohet direkt nga publiku, dhe është në pronësi të tij.

Në Shqipëri ka me dhjetëra kanale televizive dhe radio, si dhe miliona media online nëpër botë për t’u argëtuar dhe informuar, atëherë pse na nevojitet Televizioni Publik, ku në transmetimet e veta nuk prodhon asgjë unike dhe për të mbajtur mend.

Pse duhet të vazhdojë të paguajë tatimpaguesi shqiptar, ku nëse marrim për bazë kompanitë që kryejnë matjen e audiencës të televizioneve shqiptare, del qartë që Televizioni Publik Shqiptar zë 3-5 % të saj.

Pse duhet të vazhdojmë të paguajmë televizionin publik, ku nuk është më shumë edukativ se televizionet e tjera private dhe këto fondet mund të përdoren shumë herë më mirë në sektorin e arsimit.

Pse duhet të vazhdojë të paguajë shoqëria shqiptare, ku as edicionin informativ nuk e ndjek në këtë televizion, por preferon të informohet nga televizionet private, ku pagesa për këto televizione është 0 lek.

Mbajtja e televizionit publik mund të kishte kuptim ndoshta 10–15 vjet më parë, kur televizionet private ishin më të kufizuara në numër, kur pengesat ishin më të mëdha, dhe të pamundura për një mbulim të gjerë të sinjalit të tyre. Sot jemi në një mjedis krejt tjetër, më të zhvilluar, me lehtësira rregullatore, ku me anë të teknologjisë sot çdokush me disa mijë euro dhe një lidhje interneti mund të nisë një seri televizive ose një program radioje dhe të arrijë një audiencë me miliona ndjekës.

Në qoftë se televizionet private mundohen të mbahen ekonomikisht me anë të transmetimit të reklamave, ndërkohë TVSH-ja me gjithë buxhetin që ka marrë dhe vazhdon të marrë nuk ka arritur të ngrejë as nga ana cilësore dhe as nga ajo sasiore programacionin e saj, ku për më tepër edhe karrige nuk gjenden për të ftuarit në studio. E gjitha kjo ndodh se historikisht në tranzicionin shqiptar, fondet publike kanë qenë gjithmonë mundësi abuzimi, si çdo shërbim që ndodh ku si ofrues ka shtetin.

Si përfundim, mediat e financuara nga qeveria nuk janë të destinuara të kenë sukses, ato ose duhet të mbyllen ose duhet të privatizohen.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Replikë me Fatos Lubonjën, ja pse hapja e negociatave ndëshkon Ramën

Nga Ervis Iljazaj Ka disa kohë që publicisti Fatos Lubonja artikulon tezën...
Read More