Pse ‘Elbasani’ ia nxori bojën ‘dritareve të thyera’

Nga Enton Palushi

Shkencëtarët e quajnë “rrjedhshmëria konjitive” dhe e përdorin për të shpjeguar lehtësinë me të cilën ndryshon bindja e njerëzve kur përballet me imazhet. Mund të kishim shkruar me dhjetëra shkrime për ngjarjen e Elbasanit, ku makina e një drejtuesi policie u godit nga një mjet i blinduar, por asgjë nuk do e kishte ndryshuar perceptimin e qytetarëve si ajo video pa zë. Momenti kur një Audi godet mjetin e policisë dhe qëndrimi me pistoleta në duar pas dyerve që mbylleshin ka shokuar shumëkënd.

E dini se çfarë nuk më shqitet nga mendja prej pamjeve filmike të ngjarjes së Elbasanit? Ajo porta elektronike që rrëshqiste ngadalë, duke ngushtuar progresivisht hapësirën e hyrjes, dhe policët që mbetën si të ngrirë para vijës së pragut. Kishin mbi njëzet sekonda në dispozicion, por as që u lipseshin këto sekonda. Edhe sikur portës t’i duheshin disa orë për t’u mbyllur, ata policë do mbeteshin në anën tjetër të kufirit. Sepse vija e pragut të portës ishte tamam si një kufi.

Për ata policë, përtej ishte një botë e padepërtueshme, një vend i mistershëm që nuk ngjante me asnjë realitet dystopik të kësaj toke, me asnjë Kore të Veriut, Arabi Saudite, Filipine, Siri, Burma. Ishte më shumë sesa kaq. Përtej, ishte një botë përbindëshash, të cilët askush nuk i kish parë me sy, por që të gjithë e dinin se janë përbindësha. Kjo përshtypje të krijohej. Ndryshe, do ta kishim marrë vesh tanimë se çfarë ndodhi.

Dikush mund të ketë provuar antipati për ata policë. Unë nuk e di pse provova keqardhje e empati. Nuk m’u dukën ngordhalaqë. M’u dukën të pambrojtur. Dhe më erdhi mirë që nuk guxuan më tepër, shkruante analisti Mustafa Nano në një shkrim për gazetën Mapo para pak ditësh.

Kjo ngjarje, e shoqëruar me pamjet e dy të rinjve të shtrirë në pellgje gjaku në Lushnjë, ka bërë që njerëzit të ngrenë dyshimet e tyre për “Policinë që duam”. Pas largimit të ikonës së këtij projekti, Saimir Tahirit, kjo ishte një tjetër goditje e rëndë për atë që shkencëtarët në Perëndim e quajnë “Teoria e dritareve të thyera”. Bëhet fjalë për një teori që ka dominuar për më shumë se tri dekada në diskutimet mbi policinë dhe rolin e saj. Gjatë një intervistë për Farid Zakarian, para se të vinte në pushtet, kryeministri Edi Rama e pati pranuar se është teoria e tij e preferuar.

***

Në vitin 1969, një psikolog nga universiteti Stanford, kreu një eksperiment interesant. Philip Zimbardo vendosi dy makina në dy vende të ndryshme në SHBA: në një lagje të njohur për krimin në Nju Jork dhe në një lagje të pasur në Palo Alto të Kalifornisë. Makinave iu hoqën targat dhe u braktisën. Pas dhjetë minutash, kalimtarët në Nju Jork nisën të vandalizojnë makinën. Por në Palo Alto makina mbeti e paprekur për një javë. Atëherë Zimbardo bëri diçka të pazakontë: Mori një çekiç dhe theu dritaret e makinës. Pas kësaj, kalimtarët e ‘zhveshën’ atë brenda pak kohësh, njësoj si në Nju Jork.

13 vite më vonë, kriminologët George Kelling dhe James Wilson botuan një shkrim te revista “The Atlantic”. Të mahnitur nga ky eksperiment, ata përdorën një term për t’i dhënë jetë një teorie me kaq shumë ndikim në botën perëndimore, të quajtur ‘Teoria e dritareve të thyera’. Sipas tyre, qeveritë duhet të shpenzojnë sa më shumë para për të nxitur atë që më përpara njihej si policimi në komunitet. Me fjalë të tjera, nëse investohet shumë për të ndaluar krimet e vogla, nuk do kemi më vonë krime të mëdha. Në vend që të zgjidhen krimet serioze, duhet të pastrohen rrugët dhe të ruhet qetësia.

Teoria dukej kaq interesante dhe ndër ata që e aplikoi, ishte kryebashkiaku i Nju Jorkut, Rudy Giuliani. Ai e nisi fillimisht me ata që nuk paguanin biletat në metro. Teoria u duk se dha fryte dhe Giuliani u rizgjodh, duke vlerësuar atë që e quajti “teoria e bukur”.

Por ishte një profesor i universitetit ‘Columbia’, Bernard Harcourt që e rrëzoi këtë teori. Të dhënat e tij zbuluan se në fakt krimi kishte nisur që të binte jo vetëm në Nju Jork, por kudo në SHBA para zbatimit të kësaj teorie. Për më tepër, krimi kishte rënë edhe në ato qytete të mëdha ku nuk ishte aplikuar teoria e dritareve të thyera. Arsyeja kryesore se krimi po binte, kishte lidhje më shumë me rritjen ekonomike në vend. Kurse “Dritaret e thyera” nuk kishin kontribuar në luftën ndaj krimit, sidomos atij serioz.

Kjo periudhë e aplikimit të kësaj teorie përkoi me një rritje të ndjeshme të dhunës së policisë mbi qytetarët të thjeshtë. A nuk kemi parë edhe në rastin e Shqipërisë, shtim të rasteve ku qytetarët përfundojnë të vetëvrarë ose vdekur nëpër komisariate? Ose rastet e fëmijëve që bëhen pre e kësaj politike, duke kaluar orë të tëra nëpër komisariate?

Për më tepër, problemi ishte i madh në rastet kur policia kishte fuqi ekzekutive. Edhe në rastin e Shqipërisë, kjo prani e shtuar e policisë ka pasur efektet e saj anësore sidomos në vendosjen e gjobave. Sa herë kemi parë video ose ankesa të qytetarëve se thonë se janë gjobitur pa të drejtë, ose pa u ofruar ndonjë provë nga policia?

NPR shkruan se kjo ishte një teori që shkoi shumë keq, por që ngjiti sepse njerëzit janë të fiksuar pas teorive joshëse dhe gjërave që ‘zgjidhen lehtë’.

***

Në Shqipëri, disa thonë me të drejtë se teoria dha frytet e saj, duke vënë për vije disa probleme të thella, siç është ai i mospagimit të faturave të energjisë elektrike. Por ngadalë, policia denatyrohet në rolin e saj, që është lufta ndaj krimit të sofistikuar.

Jack Greene shkruante se që në fillimet e saj, policia lindi si një forcë reaktive, jo parandaluese. Policia nuk shihej si ‘zgjatim i komunitetit’, por si zgjatim i politikanëve të korruptuar.

Ryan McMaken i institutit liberal “Mises” thotë se parandalimi është detyrë e shkollës, familjes, shoqërisë. Për më tepër, ai shkruan se policitë private po i zgjidhin gradualisht problemet e krimit të vogël, pasi kujdesen për shumë hapësira në jetën tonë, që nga rezidencat, shkollat, qendrat tregtare, bankat, aeroportet etj.

Kthimi i agjentëve të policisë në ‘agjentë të cilësisë së jetës’ është problematik pasi është e provuar që sa më shumë kontakte të kesh me njerëzit, aq më shumë shtohet korrupsioni. Mbi të gjitha, të merresh me krimet e vogla dhe me njerëzit e zakonshëm, është rruga e lehtë, jo e vështirë. Ajo e vështira është që të luftosh krimin e organizuar.

Rruga e lehtë i dha frytet në Shqipëri, kjo edhe për shkak se në diskutimin publik dominoi ideja se duhet reformuar drejtësia. Ndërkohë që për agjencinë më të madhe të ligjit në vend nuk u thanë shumë gjëra, edhe pse partnerët vazhdonin ta cilësonin si të paaftë për të arritur as standardet minimale për luftën ndaj trafikut e krimit të organizuar. Më minimale se minimalja nuk dihet se çfarë ka.

Edhe në rastin e Shqipërisë, rritja ekonomike duket se mbetet një arsye për rënien e krimit të vogël dhe dhunës. Psikologu Steven Pinker thotë se pavarësisht se cili është perceptimi në publik, i krijuar sidomos nga prania dominuese e mediave në jetën tonë, dhuna dhe krimi kanë rënë ndjeshëm në shoqëri.

Ka të paktën dy arsye për këtë: E para lidhet me zhvillimin ekonomik dhe njihet si demokratizimi i vlerave. Bollëku dhe zhvillimi i teknologjisë po e bën të panevojshëm që të rrezikosh burgun për disa mallra që mund të sigurohen nga shumica dërrmuese e njerëzve.

E dyta, jeta nuk është më e lirë si dikur. Peter Singer ka një teori interesante evolucionare, që njihet si “rrethi në zgjerim”. Sipas tij, njerëzit e zgjerojnë vazhdimisht rrethin e empatisë, duke bërë që të ulin kështu tendencën për dhunë e krim. A nuk e keni parë se sa shumë na dhimbsen tashmë gjithmonë e më shumë njerëzit e tjerë?

***

Një polici e pastër, elegante dhe e komunikueshme është e mirë. Por kësaj teorie i doli boja, sidomos në Elbasan. Besimi se ‘kriminelët po vrasin njëri-tjetrin’ rezultoi një gabim. Sepse pikërisht këta kriminelë po e bënin dëmin më të madh ndaj vendit.

Liberali McMaken shkruan se kjo teori është kaq e gjallë, pasi përdoret për qëllime politike, për të treguar se drejtuesit e vendit janë të angazhuar në punë.

Për sa kohë që forcat e policisë gëzojnë kompetenca monopoliste dhe i nënshtrohen kontrollit politik dhe jo kontrollit të tregut, e vetmja mënyrë për të minimizuar potencialin e policisë është minimizimi i mundësive të tyre ligjore, shkruan McMaken.

Dhënia e fuqisë policisë për të qenë agresiv ndaj popullsisë në emër të ruajtjes së rendit, ka të ngjarë të shkaktojë pakënaqësi, dyshime dhe pengesa në zbatimin e ligjit ndaj krimeve më serioze. Është koha që të pranojmë se teoria e dritareve të thyera ka dështuar.

Përse përhapet kaq shumë teoria se kriminelët janë të të gjithë krahëve?

Sa herë ndodh ndonjë krim i rëndë, mediat dhe disa zëra në politikë kanë tendencën që të thonë se krimi nuk ka ngjyrë politike apo se në një ngjarje kriminale janë implikuar të dy krahët e politikës. Kështu ka ndodhur edhe në Elbasan, kur është përshkruar si një ngjarje ku janë përplasur dy fise me përkatësi të ndryshme politike. Qëllimi është që të krijohet ideja se të gjithë janë të përlyer. Jo vetëm kaq. Psikologët thonë se ka një paragjykim që e ka polarizuar kaq shumë shoqërinë. Bëhet fjalë për ‘konfirmimin e paragjykimit’. Kjo është tendenca e njerëzve për të marrë nga një histori vetëm ata elementë që u pëlqejnë atyre dhe që përforcojnë bindjet e mëparshme. Ironia është se sidomos personat e arsimuar kanë një tendencë të tillë, për të përzgjedhur elementët që u duhen për të ruajtur idenë e tyre. Kjo bën që jo shumëkush të jetë kritik ndaj atij që është problemi kryesor: një qeveri që duhet të luftojë krimin sa kohë është detyra e saj.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Rruga e Ramës drejt fitores

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpalli sot rezultatin zyrtar për zgjedhjet e 25...
Read More