Pse ikja e Renzit mund të dëmtojë integrimin e Shqipërisë

renziPas Brexit dhe zgjedhjes sё Trump, referendumi në Itali shihet si shenjë alarmi për një Evropë me më shumë telashe, ku Shqipëria do të ketë akoma më pak hapësira në rrugën e integrimit.

Nga Nevila Perndoj

Evropa humbi dje një tjetër lider pro-perëndimor, pas largimit po me referendum të ish-kryeministrit britanik, David Cameron.

Kryeministri italian, Matteo Renzi dha dje dorëheqjen pas humbjes në referendum të planit të tij për një reformë të thellë kushtetuese, e cila në thelb synonte zvogëlimin e kompetencave të Senatit dhe forcimin e qeverisë.

Analistë të huaj shpjeguan se “Jo”-ja ndaj referendumit të iniciuar nga Renzi ishte më shumë se një votë për reformën kushtetuese. Dorëheqja e tij do të çojë në një krizë të re, jo vetëm qeveritare, por edhe financiare për Italinë.

Sipas “DW” ekspertët druhen se kjo do rrezikojë stabilitetin financiar në ekonominë e tretë më të madhe në Eurozonë.

Me humbjen e Renzit apriori kanë fituar ekstremistët si Matteo Salvini i Lega Nord apo lëvizja populiste e majtë “Pesë yjet” e Grillos.

Por çfarë impakti do të ketë me Shqipërinë kjo kthesë populiste që mori të dielën një nga partnerët tanë strategjikë?

Ish-ministri i Jashtëm, Tritan Shehu thotë për “Mapo” se marrëdhëniet tona me Italinë mbeten të konsoliduara.

“Dje humbi Renzi, që pavarësisht thelbit të reformës e menaxhoi jo mirë procesin. Kjo i kushtoi dorëheqjen, që do të çojë sipas të gjitha gjasave, në një proces të afërt zgjedhor. Por asgjë nuk cenon thelbin europianist të italianëve, si dhe marrëdhëniet e forta me Shqipërinë…”.

Por Ben Blushi e sheh votimin në Itali një kaos politik që do të dobësojë më shumë eurozonën dhe entuziazmin për zgjerimin e Bashkimit Europian. Ai hedh në idenë e tij kartën e euro-skeptikut.

“Ka ardhur koha të mendojmë për t’i zgjidhur vetë punët tona. Europa nuk na ndihmon dot nëse nuk ndihmojmë veten…”, -shkruan Blushi në Facebook.

Tritan Shehu nuk duket aq pesimist sa themeluesi i “LIBRA”-s për fatin e Europës së Bashkuar.

Sipas tij, ka ende shpresë.

“Europa është opsioni i ynë i vetëm dhe i palëkundur. Çdo opsion tjetër është shumë i rrezikshëm. Ne duhet të punojmë më shumë për rrugën tonë europiane me vendet e BE, ku Italia merr një rol thelbësor…”, nënvizon Shehu.

Nënkryetari i komisionit të Integrimit, Taulant Balla e sheh rezultatin e Italisë në një qëndrim më reflektiv.

“Dorëheqja e Renzit duhet parë në kontekstin e brendshëm të stabilitetit politik në Itali dhe në një kontekst më të gjerë në kuadër të BE-së. Në të dyja kontekstet dorëheqja e një pro-europiani, kur përballë tij janë bashkuar Grillo dhe Salvini, mendoj se nuk është lajm i mirë as për Europën dhe as për Shqipërinë, shtuar këtu edhe faktin që e djathta pro-europiane në Itali si Forza Italia është në ditët e veta më të këqija…”, thotë Balla për “Mapo”.

Sipas BBC, referendumi shihet si një goditje e fortë për BE-në, edhe pse opozita në Itali është vetëm për daljen nga Eurozona.

Por Bernd Riegert në një koment të tij për “DW” shpjegon se “dalja nga sistemi i monedhës së përbashkët Euro do të thoshte fundi i bashkësisë monetare, sepse Italia është shteti i tretë i fuqishëm i Euros dhe një ndër paguesit neto në buxhetin e BE-së dhe në paketat e shpëtimit”.

Pas Brexit, zgjedhjes sё Donald Trump në SHBA, zgjedhjeve presidenciale nё Francë vitin tjetër, ku me shumë gjasë do të pritet një përballje Fillon – Le Pen, referendumi në Itali shihet si shenjë alarmi për një Evropë me më shumë telashe e ku Shqipëria do të ketë akoma më pak hapësira në rrugën e integrimit.

Prova e parë për vendin tonë është mbledhja e 9 dhjetorit mes ambasadorëve të vendeve anëtare të BE-së.

Taulant Balla jo pa qëllim thekson se qeveria e drejtuar nga Renzi ishte një mbështetëse e fortë e Shqipërisë. Sigurisht edhe në këtë drejtim.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Vend aromatic

Nga Edison Ypi Myzeqarët janë të qetë, të urtë, të butë. Por...
Read More