Pse konventa e LSI nuk tha asgjë të re?

vladimir-karajNga Vladimir Karaj

Spektakolare në ngjyra dhe ceremonial, por partia e tretë nuk iu dha shqiptarëve as pas dy ditësh lajm. Pyetjet mbeten varur. A do të vijojë koalicioni me socialistët?! Cili është përfundimisht qëndrimi i LSI ndaj qeverisjes në të cilën është pjesë?! A do mbështesë ajo një thellim të reformave apo zbutje të tyre?!

E vendosur në mes dy forcave kryesore dhe në përpjekje për ta ruajtur ekuilibrin dhe po ashtu mbajtur gjallë shpresën për koalicion edhe me PD-në edhe me PS-në, prej konventës së LSI mesazhet ishin të squllëta dhe asnjëherë të qarta. Askush nuk është ende në gjendje të dallojë se në cilin krah do të anojë LSI, një lloj misteri që duket se i shkon përshtat asaj qoftë edhe për të mbajtur një çmim të mirë në ndarje të pushtetit me një nga dy forcat kryesore në vend.

Kështu kur Meta fliste për “potencial të pashfrytëzuar në koalicion”, kjo mund të lexohej edhe si ftesë për të vijuar, por edhe zhgënjim prej bashkëqeverisjes me socialistët. Renditja e arritjeve të qeverisë bëhej me gjysmë zemër dhe po me gjysmë zemre vinin dhe kritikat. Fjalitë më të mira u thanë për ministritë që LSI drejton, për ato u kërkua më shumë buxhet dhe për ato u kritikua shumica se nuk u kishte kushtuar vëmendje. Luan Rama, i cili u zgjodh nënkryetar, madje ishte i ashpër me socialistët. Ai i akuzoi për arrogancë, për shkëputje nga rrënjët, dhe madje ftoi për opozitarizëm ndaj qeverisë, kuptohet, asaj pjese që drejtohet nga socialistët.

LSI nuk qe as e qartë nëse mbështeste ato që ishin ndërmarrë nga qeveria, duke synuar krijimin e një opozite brenda shumicës. Një rol që LSI e ka luajtur edhe më herët, duke i dalë kundër qeverisë në nisma që bëhen shpejt jopopullore, si “formalizimi i ekonomisë”, të cilën ajo e mbështet, por ‘jo përmes masave ndëshkuese’. LSI votoi buxhetin në parim, por ajo e kundërshton atë publikisht duke iu referuar kryesisht fushave që sipas saj kërkojnë më shumë vëmendje e që koincidojnë të jenë fusha ku ajo qeveris.

Ndërsa është e gatshme të marrë prej sukseseve të qeverisjes, atyre që janë arritur sipas saj, kur vjen puna te dështimet dhe problemet LSI flet sikur të mos ishte pjesë e shumicës, por një opozitë e moderuar, e cila edhe për zgjedhje ofron rrugë jashtë shumicës qeverisëse të tipit: “koalicion kombëtar kundër kanabisit”.

Që LSI, edhe pse flet si forcë e majtë, është e paqartë në qëndrimin e saj ideologjik, u lexua edhe nga mospasja e një pikëpamjeje mbi reformat. Konventa nuk foli as për vijimin e tyre dhe as për ndryshimin e shinave në të cilat ishte futur vendi. LSI ruajti të njëjtën linjë të gjysmë opozitës, të cilën e përdor tashmë vazhdimisht në çështje me një interes të caktuar publik: mbetjet, taksimi i gazit, politika me fqinjët.

Mendimi politik madje mungonte edhe te të ftuarit ndërkombëtarë. Çuditshëm konventa u përshëndet edhe prej të djathtëve të CDU/CSU gjermane edhe prej Socialdemokratëve Europianë. Ky lloj dyzimi, edhe pse simbolik, deri në këtë pikë është me gjasë një zgjedhje e LSI, se sa një pamundësi e saj për të qenë e qartë. Një përmbajtje që mund të marrë më shumë se një formë, në varësi të enës, por që saktësisht nuk thotë asgjë.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Një tjetër kusht nga PD?

Partia Demokratike pritet të depozitojë në Kuvend një amendim në ligjin për...
Read More