Pse mendohet LSI?! 7 arsyet që mbajnë pezull koalicionin

02 Rama Meta 2017LSI ka zgjedhur të mbajë pezull të ardhmen e koalicionit të shumicës duke shtyrë vendimmarrjen për në prill, ndërsa ngërçet janë bërë më të dukshme dhe përplasjet reale për presidentin apo zbatimin e Reformës në Drejtësi priten ende të ndodhin…

Nga Vladimir Karaj

LSI me sa duket e shtyu për ditë më të ngrohta marrjen e vendimit për koalicionin apo daljen vetëm në zgjedhje. Më herët ajo pati njoftuar si afat dhjetorin e vitit që shkoi, pas zgjedhjeve në parti, por ndërsa dhjetori është harruar, tashmë forca e tretë më e madhe politike në vend, vijon ta mbajë pezull pozicionin e saj. Arsyet e kësaj pezullie duket se vijnë prej një liste të gjatë faktorësh. Ato kanë të bëjnë me dilemat elektorale të LSI, përfshirjen e PDIU-së në koalicionin e shumicës, zgjedhjen e Presidentit, atë të Avokatit të Popullit, vijimin e Reformës në Drejtësi, reformën zgjedhore dhe me gjasë ambicien e LSI për të qenë parti e parë në vend. E ndërsa PS ka shpallur se i beson vijimit të koalicionit dhe madje Rama shpalli në dhjetor një  triumvirat mes tij, Metës dhe Idrizit, LSI është larg pasjes së një qëndrimi. “Ka kohë deri në 19 prill”, -tha dy ditë më parë Ylli Manjani.

Krizat e koalicionit

Është e qartë se punët mes socialistëve të Edi Ramës dhe socialistëve për integrim të Ilir Metës nuk kanë shkuar mbroth në këtë 4-vjeçar qeverisjeje. Krisjet e koalicionit kanë qenë të lexueshme publikisht në deklarata të segmenteve të qeverisë që godisnin qeverinë apo pjesëve të shumicës që bënin opozitën. Dy hendeqe të mëdha, një që u krijua pas zgjedhjeve lokale të qershorit 2015 dhe ai i fundit i krijuar me Reformën në Drejtësi, pas të cilës u fol edhe për qeveri teknike, u mbyllën prej Ramës dhe Metës me qëndrime publike që duket se janë vetëm një kapak në një tenxhere që vlon.

Mjaft t’i hedhësh një sy faqeve sociale të përfaqësuesve të mesëm e të lartë të të dyjave, për të lexuar, kunja, akuza, kërcënime. Një klimë e tillë ka prodhuar deri barsoleta se zëvendësministrat e njërës palë, mezi kanë një karrige në ministritë që drejton pala tjetër. Ky lloj tensioni që herë-herë duket si “apokaliptik” dhe ku mund të lexohet fundi i bashkëpunimit sheshohet aty për aty në dalje televizive me mesazhe bashkëpunimi, por pa qenë asnjëherë mjaftueshëm i sheshuar sa për të mos nxjerrë sërish kokë.

Pas fitores së Donald Trump në SHBA, që është lexuar nga LSI si një avantazh mbi PS-në (duke u nisur me gjasë nga sulmet që Rama i beri Trump në CNN), të cilin siç tregonte një shkrim i BIRN po përpiqet edhe ta kapitalizojë përmes lobimit, duket se ka sjellë edhe një “trimërim” të ri dhe përplasje të reja.

Arsyet elektorale

Ministri i Drejtësisë Ylli Manjani ishte i ashpër me qeverinë, pjesë e të cilës është, të Enjten në Top Story. Nuk është hera e parë që ai luan rolin e një opozitari të distancuar. Ai sulmoi ministrin e Brendshëm për hashashin. Më herët ai ishte kundërshtar i draftit të qeverisë për Reformën në Drejtësi dhe me raste ka prodhuar deklarata kundër qeverisë, në të cilën bën pjesë. Ai duket se përfaqëson në fakt atë pjesë të LSI që bën opozitaren sa herë e ndjen këtë të nevojshme, duke marrë në mbrojtje sipas saj interesat publikë, kur këta sigurisht nuk janë nën pjesën e pushtetit që LSI mban në qeverisje. Ky lloj opozitarizmi, që është sulmuar herë nga PS dhe herë nga PD si hipokrit, mund të lexohet edhe si një përpjekje e LSI për të mos u asimiluar, siç ka ndodhur me republikanët apo parti të tjera të ngjashme që kanë humbur identitetin dhe o janë shkrirë ose gati janë shkrirë me partinë kryesore. Një qasje e tillë dhe lëvizje të befta kundër partisë së madhe e bëjnë LSI një zë të mëvetësishëm në arenën politike në vend, ato po ashtu janë thirrje populiste drejt të pakënaqurve nga qeverisja dhe njëkohësisht amortizim ndaj propagandës së socialistëve në këtë rast, se LSI është pjesa e keqe e mollës së pushtetit. Megjithatë, në një opinion publik të velur nga lojërat dhe mungesa e transparencës qëndrimet ambige të LSI, gjysmë opozitë dhe gjysmë qeveri janë një farë talljeje. Por për LSI ky qëndrim i dyzuar, me një këmbë në qeveri dhe një dorë në opozitë, duket se është vital dhe duket se ka të bëjë me kalkulimet elektorale që do vendosin se si do dalë ajo në zgjedhjet e ardhshme duke i mbajtur hapur të tria versionet.

Kështu ndërsa Manjani sheh mundësinë për ta zgjidhur problemin me kohë, deputetja e LSI Silva Caka mendon se LSI duhet të dalë e vetme në zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit. E ftuar në emisionin “Debati në Channel One” të gazetarit Roland Qafoku, Caka tha se ky ishte mendim personal.  “…do të jetë votë publike në forumet e LSI, por a do të fitojë mendimi im apo jo, këtë do ta kenë në dorë forumet e partisë”, tha ajo.

PDIU si sherr

Manjani që përndryshe edhe deklaroi se LSI nuk ka një ftesë konkrete, pasi PS nuk ka dhënë një ide konkrete për synimet e aleancës së ardhshme, shfaqi hapur për herë të parë edhe një mëri të LSI me afrimin e PDIU. “Ne duhet të konsolidojmë të majtën e bashkuar dhe pse jo po na doli ndonjë gjë plus hajt ta marrim. Është një koalicion numrash pastaj, që ta mbyllim PD-në e të mos ketë më opozitë, apo duam që të konsolidojmë thjesht një koalicion politik dhe të vazhdojmë përpara. Zgjedhjet e 2013-s i ka fituar koalicioni e majta e bashkuar. Zgjedhjet i kemi fituar me Ben Blushin dhe jo me Shpëtim Idrizin”, tha Manjani në Top Story. Kjo hatërmbetje në fakt është një llogaritje fuqie. LSI ka qenë që në fillim e rrezikuar prej një koalicioni mes PS dhe PDIU nëse këto do të kishin numrat. Një koalicion që do ishte më i lehtë për t’u qeverisur edhe pse më pak i aftë të realizonte ndryshime të rëndësishme. Por me gjasë nuk është kjo arsyeja pse LSI nuk do të ketë me vete edhe PDIU. Forca që u tregua e shkathët të zinte vendin e LSI në Dibër, ku kjo nuk qe fort prezente, i rrezikon një numër mandatesh që i shkojnë automatikisht të dytit në koalicionin mes PS dhe LSI. Në një koalicion me tri parti që ia dalin të sigurojnë deputetë, LSI mund të humbasë në numra për shkak të sistemit dhe se një pjesë e atyre që ndahen mes koalicionit do i shkonin PDIU-së. Afrimi i kësaj të fundit e minimizon edhe rolin e LSI si forcë e domosdoshme në krijimin e qeverisë. Kjo duket se e shtyn Manjanin, i njohur në fakt për qëndrimet akuzuese ndaj PS-së, të flasë për të majtë të bashkuar apo të përmendë Ben Blushin.

Zgjedhja e presidentit

Ilir Meta e ka shpallur veten larg ambicies, por kjo mund të ndryshojë ndërsa data ofrohet. Edhe pse mbetet ende për t’u parë se si do të përvijohen negociatat, LSI në një mënyrë apo një tjetër është në garë për postin më të lartë në vend, edhe pse jo aq me peshë. “Kjo është një çështje që i takon Metës ta zgjidhë. Por LSI, krahas Metës, mund të propozojë shumë emra dinjitozë për president”, shtoi Manjani, pa mohuar as të parin si kandidat, as mundësinë e pasjes së kandidatëve të tjerë po nga LSI. Zgjedhja e presidentit pritet të jetë negociata më e vështirë mes palëve në shumicë. Për pjesën më të madhe të tyre është e qartë se presidenca duhet të jetë një propozim i të majtës, pas tri propozimeve rresht të së djathtës që ia kanë dalë të jenë në krye të vendit, por emri mbetet ende një mister dhe me gjasë Meta do këmbëngulë, në mos të jetë vetë, të ketë një dorë në caktimin e njeriut që do të mbajë atë post.

Avokati i popullit

Edhe pse nuk shihet si një nga postet më të rëndësishme në vend, ai duket një pozicion i lakmuar për shkak të pozitës “kontrolluese” dhe të drejtës për të qortuar që ka mbi institucionet e tjera ligjzbatuese. Zgjedhja e Avokatit të Popullit është shtyrë me kohë dhe propozimet nuk duket se janë dhe aq tërheqëse, por duket se ka një betejë të vërtetë për emrin që do zërë këtë pozicion dhe beteja është kryesisht mes PS dhe LSI. Opozita që mund ta kërkonte atë si pozicion kontrolli mbi pushtetin nuk duket se është shumë e zëshme në këtë proces dhe as duket se ka emra të saj edhe pse në logjikën e zgjedhjes së Igli Totozanit do duhej të ishte kjo e fundit që do të merrte të drejtën e propozimit të një emri në këtë pozicion. Mosinteresi i opozitës ka shtuar siç duket përplasjen në shumicë.

Zbatimi i Reformës në Drejtësi

Me gjithë dakordësinë në dukje të palëve, LSI nuk duket e kënaqur prej Reformës në Drejtësi. Ajo nuk ka qenë dhe nuk duket se është entuziaste e kësaj të fundit, edhe pse e përshëndeti dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese për të rrëzuar kërkesën e PD-së për ligjin e “vettingut”. E ndërsa pritshmëritë për këtë reformë mbeten të mëdha, është e sigurt që PS dhe LSI do vijojnë të fërkohen në këtë pikë dhe me gjasë edhe më fort kur në lojë të jenë emrat për t’u zgjedhur në krye të institucioneve të reja apo gjykatës, që mund të cenohen nga vettingu.

Reforma zgjedhore dhe listat e hapura

Ndërsa ka pasur dakordësi mes palëve se listat e hapura e komplikonin sistemin edhe kaq të komplikuar të numërimit të votave në vend apo edhe se votimi e numërimi elektronik ishin të pamundura teknikisht, të dyja çështjet janë rikthyer në tavolinën e reformës zgjedhore. Këmbënguljes e PD-së për të realizuar votim elektronik, identifikim elektronik të votuesve dhe numërim elektronik në dukje ekzotike, pas dështimit të dy testeve pilot në 2013, i është bashkangjitur LSI, që thotë se i mbështet këto, ndërsa kërkon mbështetje për listat e hapura. Edhe pse në dukje janë kërkesa për përmirësimin e sistemit, askush nuk ka garanci se ato mund ta bëjnë një përmirësim dhe as që në fakt mund të realizohen. LSI e ka të hershëm këmbënguljen te listat e hapura, por me gjasë është duke e përdorur këtë më shumë si formë presioni apo si justifikim politik të një thyerjeje, nëse do të ketë të tillë.

Ambicia politike e LSI

Është e zakontë që forcat politike të deklarojnë forcë politike edhe më të madhe se ajo që kanë apo që mund të arrijnë në zgjedhje, por ndërsa për shumë të tjera kjo mund të mos jetë dhe aq realiste, LSI që ndërkohë drejton disa bashki dhe ka pjesë të rëndësishme të pushtetit e sheh zgjerimin e tij si një ambicie reale. Ndërsa mund të duken si blofe apo kërkesa të tepruara deklaratat e LSI për një kryeministër të sajin, që sigurisht do të ishte Ilir Meta, ato nuk janë aq jashtë realitetit nëse kalkulimet elektorale i japin asaj mundësinë edhe për ta negociuar këtë. Ndryshe nga shumë forca të tjera politike që luftojnë për të mos u zhdukur apo që të mos humbasin pjesë pushteti që kanë, LSI është në kërkim të rritjes së numrave të saj në përfaqësim, çka do i mundësonte asaj edhe më shumë hapësirë negocimi. Realizimi i kësaj ambicieje politike duket se i kërkon asaj kalkulime më të imëta. Ajo do ishte e gatshme të shkonte me PD nëse sondazhet do i tregojnë që mund ta realizojë atje këtë ambicie. Nëse dyert në PD janë të mbyllura siç ka deklaruar Lulzim Basha, LSI mund të provojë të dalë e vetme. PS mbetet sidoqoftë opsioni i parë, por pasi shumica të ketë zgjedhur presidentin dhe çështjet e tjera pezull, përfshi këtu qëndrimin ndaj PDIU-së.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Shqiptarët kanë vetëm një Kombëtare

Rudina Xhunga Unë nuk jam tifoze futbolli dhe  këtë dua ta them qysh...
Read More