Pse nuk po e shohim problemin e madh te vdekja e shoferit të Xhafajt

Nga Enton Palushi

Një vdekje që po ngjall shumë diskutime, por që duket se lë pas në hije një problem shumë të madh të shoqërive të sotme. A duhet të diskutojmë më shumë për vetëvrasjen dhe përse është kaq e vështirë që të mos pikasim sinjalet para saj?

Vdekja e gardistit Shkëlzen Qordja do vazhdojë të mbetet gjatë në vëmendjen e mediave tradicionale dhe atyre sociale. Të gjithë pjesët e pazëllit e ndezin imagjinatën duke u mundësuar secilit nga ne të krijojë trillerin e tij. Psikologët thonë se kjo është arsyeja se përse truri ynë e ka më të lehtë të besojë teoritë konspirative.
Kur kjo ndodh në vende me institucione të forta, në Shqipërinë tonë, trilleri është shumë më i zjarrtë. Kjo është arsyeja, ndoshta më pak e rëndësishme e momentit, se përse një qeveri normale nuk e lejon situatën që të shkojë në këtë pikë, duke luajtur me besimin që i është dhënë.
Sepse nuk mund të akuzosh të tjerët se përse besojnë historinë e vrasjes, kur e ke ushqyer tashmë zjarrin e mosbesimit me vendosmërinë për të mos larguar një ministër të shumëpërfolur. Politika është zanat i besimit dhe shkatërrimi i këtij të fundit mund të duket sikur nuk sjell pasoja për momentin, por në terma afatgjatë, madje edhe afatmesëm, pasojat janë të tmerrshme. Mjafton të hidhni në sy në Europën e këtyre ditëve për ta kuptuar. Megjithatë historia e Qordjes, pavarësisht skenarëve, fsheh nga pas një problem të madh, për të cilin pak flitet, por që përbën një nga dramat më të mëdha të kësaj kohe. Edhe për shoqërinë shqiptare.

***
Edward Mallen ishte një djalë i shkëlqyer. Britaniku luante bukur në piano dhe mund të thuhet pa hezitim se 18-vjeçari kishte gjithçka mund të ëndërrojë një djalosh i moshës së tij. Vinte nga një familje e pasur, shkonte në një shkollë të mirë, ishte popullor mes nxënësve dhe mësuesve. Pak pasi ai shkroi një ese, për të cilën mësuesi i tij tha se nuk kishte lexuar diçka më të mirë, në derën e babait të tij, Steve, trokiti policia.
“Menjëherë e kupton se diçka e tmerrshme ka ndodhur,” thotë ai për “The Guardian”. Djali i tij, Edward i kishte dhënë fund jetës duke u hedhur përpara trenit, me të cilin shkonte rregullisht në shkollë.
“Duhej ta kisha kuptuar që kur e la pianon. Kishte pak kohë që nuk luante më. Por unë mendoja: Epo djaloshi ka shumë gjëra të tjera për të bërë”.
Hera e fundit që Steve e dëgjoi të birin duke luajtur piano, ishte në funeralin e tij. Shokët kishin përgatitur një performancë, ku Edward luante një pjesë, të cilën e kishin regjistruar në celular. Tingujt e pianos mbushën kishën Trinia e Shenjtë, jo shumë larg vendit ku ai i dha fund jetës. “Djali im luajti piano në funeralin e tij,” thotë Steve.
“Si baba duhej të bëja një gjë në jetë dhe dështova,” shton ai me zërin që i dridhet. “Djali im po vdiste para meje dhe unë nuk e shihja dot, pavarësisht edukimit tim, pavarësisht se jam një baba i përkushtuar”.
Steve ka nisur një fushatë me shpresën se do të shpëtojë njerëz nga vetëvrasja, si një përpjekje për të shpëtuar të birin në retrospektivë. “Teksa qëndroja pranë arkivolit të tij, i bëra një premtim. Thashë se do të hetoj atë që i kishte ndodhur dhe do të kërkoj reformim në emër të gjeneratës së tij. Shumë e thjeshtë, do përpiqem që ta mbaj premtimin ndaj birit tim. Ky është motivimi më i fuqishëm që mund të imagjinosh, pasi nuk do e zhgënjej dy herë”.
Si mundet që një baba britanik, i pasur dhe i mirëedukuar, i përkushtuar ndaj të birit, nuk arriti të shohë shenjat se i biri po shkonte drejt vetëflijimit?
A është e lehtë në të tilla kushte, me një stigmatizim kaq të madh ndaj problemeve mendore, që prindërit dhe të afërmit e viktimave të vetëvrasjes në Shqipëri, të pikasin tragjedinë e tmerrshme?

***

Për shumë njerëz, historia duket e thjeshtë, ashtu siç e prezantojnë edhe mediat shqiptare. Shihni me kujdes, sa herë ka një vetëvrasje, do gjeni familjarë dhe ‘ekspertë’ që thonë se personi në fjalë nuk ka pasur probleme më parë. Sepse kjo shkon sipas parimit të vjetër, që dikush që ka vendosur të vrasë veten, duhet patjetër që të japë sinjale të forta. Ironia është se në SHBA, një vend me një qasje krejt të ndryshme nga Shqipëria sa i përket këtij problemi, thuajse 60 përqind e personave që kanë vrarë veten nuk kanë shfaqur probleme të dukshme përpara tragjedisë, madje nuk kanë asnjë rekord mjekësor për probleme mendore.
Duhet të jetë kjo arsyeja se përse është bërë kaq viral një studim i publikuar së fundmi nga revista “Shkenca e Psikologjisë Klinike”. Në studim tregohet se gjuha që përdorin personat në prag të krizave të tilla është e ndryshme nga gjuha natyrale. Më interesant është përdorimi i përemrave. Ata përdorin më ndjeshëm përemra në vetë të parë: ‘Mua’, ‘unë’, ‘vetja ime’, ‘vetvetja’. Edhe fjalët absolute janë pjesë e fjalorit të tyre, të tipit ‘gjithmonë’, ‘asgjë’, ‘plotësisht’, ‘kategorikisht’.

***

Ura e Artë në San Françisko është një nga vendet më të bukura në botë për t’u vizituar. Megjithatë ndoshta jo shumë njerëz e dinë se ai është edhe vendi ku kryhen kaq shumë vetëvrasje, sa mund të cilësohet si ura e tmerrit. Nga viti 1937 deri në vitin 2012 janë gjetur më shumë se 1600 trupa të atyre që janë hedhur nga kjo urë. Shumica e atyre që hidhen, vdesin, ndërsa mendohet se vetëm 26 persona kanë mbijetuar nga hedhja në këtë urë. Një prej tyre është Kevin.
Një personi i duhen pesë sekonda që të bjerë nga ura në ujë. “E kuptova që nuk doja të vdisja menjëherë pasi lëshova dorën nga hekuri. Por ishte tepër vonë”. Kevin hapi sytë thellë nën ujë, shpinën e kishte të thyer. “Gjithçka doja ishte që të mbijetoja. Mbaj mend që po mendoja: Nuk dua të vdes këtu. Nëse e bëj këtë, askush nuk do e dijë që nuk doja të vdisja, që po bëja një gabim”.

***

Nuk ka dyshim që vetëvrasjet po kthehen në një nga problemet më të mëdha, edhe këtu në Shqipëri. Historiani me famë botërore, një nga mendjet më brilante të kësaj kohe, Yuval Noah Harari thotë se diçka e kemi bërë gabim, pavarësisht se në shumë aspekte, bota është bërë më e mirë.
“Sipas disa të dhënave, ne po jetojmë tani në kohën më të mirë për njerëzimin. Sot, për herë të parë në histori, më shumë njerëz vdesin ngaqë hanë shumë ushqim sesa ngaqë hanë pak, çka është një arritje e mrekullueshme. Po ashtu, për herë të parë në histori, më shumë njerëz vdesin nga mosha sesa nga sëmundjet infektive. Edhe dhuna ka rënë. Për herë të parë në histori, më shumë njerëz bëjnë vetëvrasje sesa mund të vriten nga krimi, terrorizmi dhe lufta së bashku. Statistikisht, ju jeni armiku më i madh i vetes. Të paktën, nga të gjithë njerëzit në botë, ti ke më shumë shanse të vrasësh veten sesa të të vrasin”.
Dhe dëshpërimi nuk njeh moshë, gjini, por mbi të gjitha, përkundrejt të gjitha pretendimeve, nuk ka lidhje me pasurinë dhe mirëqenien. Dy vetëvrasje të profilit të lartë kanë tronditur së fundmi Amerikën, duke vendosur në qendër të vëmendjes debatin për këtë dramë kaq të madhe të njerëzimit. Bëhet fjalë për stilisten Kate Spade dhe autorin e njohur dhe shefin e kuzhinës, Anthony Bourdain.
“Dëshpërimi nuk zgjedh. Kate nuk ishte e vetme në përpjekjet e saj dhe humbja e saj ndez një debat shumë të nevojshëm për ndërgjegjësimin mbi shëndetin mendor. Statistikisht, bashkë me Kate, 122 amerikanë do vrasin veten sot. Brenda një viti, 1.3 milionë të rritur kanë tentuar të vrasin veten, 2.7 milionë kanë në plan të vrasin dhe 9.3 milionë kanë mendime vetëvrasëse,” shkruan revista Psychology Today.
Kjo dramë kaq e madhe e shoqërisë në përgjithësi, dhe asaj shqiptare në veçanti, nuk zgjidhet duke pritur sinjalet. Zor se do ketë të tilla. Por do ishte mirë që të tentojmë të bëjmë të pamundurën për të shpëtuar jetën e njerëzve tanë të dashur. Ekspertët thonë se çdo vetëvrasje mund të parandalohet. Kjo është një sfidë shumë e madhe për Shqipërinë. Por jemi kaq larg, sa akoma nuk e kemi hedhur ndonjë hap përpara…

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

‘Titanët e Rinj’ dhe si t’i zbutësh ata

Sundimi i Google, Facebook dhe Amazon është i dëmshëm për konsumatorët dhe...
Read More