Pse pranohet Kosova në UEFA dhe FIFA



Elton NdrekaNga Elton Ndreka*

Duhet thënë që për shqiptarët ishte lajm i rëndësishëm pranimi i Kosovës në UEFA dhe FIFA. Interesi për këtë pranim u pa edhe në reagimet mbarë shqiptare në rrjetet sociale. -Sigurisht këtu i referohem reagimeve për aq sa ka qenë e mundur të analizohen nga unë-. Gjithashtu, nuk munguan reagimet dhe urimet nga politikanë, artistë, intelektualë dhe futbollistë. Shqiptarët përgjithësisht dhe FSHF veçanërisht, lobuan në favor të pranimit të Kosovës. Në këtë kuptim, merret i mirëqenë reagimi dhe urimi, sepse vjen si fryt i një dëshirë dhe vullneti që futbolli dhe futbollistët e Kosovës të kenë mundësi të ngjashme për kompeticione të këtij lloj.

Pas këtij lajmi të bujshëm, u ngrit edhe një si lloj shqetësimi nga intelektualët. Problemi parashtrohej disi me pyetjen: Nëse pranimi i Kosovës në UEFA dhe FIFA është në interes apo në dëm të shqiptarëve? Qëndrimet ndaj kësaj pyetjeje ishin të ndryshme, por deri diku mbisundonte teza se “shqiptarët përfitojnë më shumë se sa humbin”. Ndoshta edhe nga hovi i një “fitoreje” të mirëpritur nga shqiptarët, intelektualët pozitiv-pranues dukej sikur nën zë shpreheshin edhe për “gojë të zeza”, që ngrehin kësi dyshimesh dhe shqetësimesh. Për të mbështetur tezën e tyre i mëshonin idesë – sikur për tezën e famshme për integrimin në BE – që tashmë shqiptarët do kenë dy vota të sigurta në favor të tyre. Argumenti mbështetej edhe nga kundërshtia e Federatës Serbe të Futbollit. Pra, kuptohej që as shqiptarët dhe FSHF nuk janë budallenj për të artikuluar dhe vepruar për këtë pranim në dëm të tyre, dhe as serbët dhe FSF nuk shtiren kur kundërshtojnë këtë pranim.

Para disa vitesh, Arbër Zaimi pati shkruar një artikull ku shprehej se “Nëse dy vota të japin fuqi më të madhe në BE, atëherë ende sot do kishim dy Gjermani”. Kjo tezë – e shprehur në rastin e dy federatave shqiptare të futbollit – është e matshme për aq sa e shtrojmë problemin për nga numri dhe fuqinë e numrave. Le të themi se edhe një fëmijë mbi tre vjeç e kupton që dy janë më shumë se një, por fuqia e numrave nuk janë një ide të qartë për fuqinë që ka sasia; pra në termat e filozofisë dhe filozofisë politike – po deshët edhe teologjisë – nuk kuptohet qartë nëse njëshi është më i vogël apo më i madh se dyshi. Që të mos ngatërrohemi, para se të themi një apo dy, duhet të dimë se kush është përballë “atyre të dyve”. Në operacionet logjike të matematikës (shkencës e abstraksionit të kulluar) njësitë e numrave janë të barasvlershme, prandaj një plus një janë të barabartë me dy, çka del se dy është më i madh se një. Megjithatë, në operacionet logjike në arenën politike dhe futbollistike njësitë nuk janë aspak të barasvlershme. Sa për të thënë si shembull: Është sikur të thuash që një njeri që është deputet si Sali Berisha është i barabartë për nga fuqia politike me një njëri që është deputet si Bedri Hoxha (deputet i Burrelit), apo që Leo Mesi është i barabartë për nga performanca në fushën e futbollit, me një futbollist si Kastriot Gjergji (ish-futbollist i Besëlidhjes).

Problemi i dytë i numërimit të shqiptarëve si një apo dy, lind te bashkëndarja e gjësë. Si të thuash, aq futbollistë shqiptar janë, aq territor shqiptar është, aq burime kemi dhe që të jemi më të fuqishëm dhe më të dobët nuk po marrim fuqi të tepruar nga të qenit dy, por njësinë tonë prej njëshi po e bashkëndajmë në dy (e kemi ndarë njëshin në dy gjysma). Këtu duhet të ndalemi dhe të fillojmë të mendojmë nëse dy kombëtarët shqiptare janë më të fuqishme të ndara apo të bashkuara në një? Pra, aq futbollistë sa kemi, e bëjnë më konkurrente në arenën ndërkombëtare kombëtaren e ndarë në dy? Në këtë kuptim, ne po ndajmë burimet për të shtuar mundësitë. Pra, ne marrim pjesë në kompeticione ndërkombëtare dy herë si një komb, por me dy kombëtare më të dobëta seç do ishin në një.

Pranimi i Kosovës në UEFA dhe FIFA, ishte disi i çuditshëm për shkak se në një nga nenet e këtyre federatave u ndalonte që të bënte pjesë shtetet që nuk ishin anëtarë të OKB-së. “Ky lëshim” që u bë për rastin e Kosovës, aq sa mund të analizohet si një lloj “drejtësie të vendosur”, duket si një lloj prapaskene e neokolonializmit bashkëkohor. Kjo akuzë drejtuar shteteve perëndimore kishte nisur që pas luftës së Kosovës, për të kulmuar në shpalljen e pavarësisë deri në ditët tona. Çarmatimi i UÇK, vendosja e UMNIK-ut dhe shpallja e pavarësisë nën një flamur që nuk lidhej në asnjë mënyrë me luftën dhe popullin e Kosovës, shfaqte një përpjekje për të shtypur identitetin e shqiptarëve. Objektiv që nuk u arrit (ose së paku ende nuk është arritur), por, nuk mund të thuhet se nuk ndikoi. Shqiptarët edhe pse e quajnë veten të tillë, flasin, po të njëjtën gjuhë, relativisht ruajnë të njëjtën kulturë shoqërore dhe politike, tashmë, në festat me ndjeshmëri kombëtare kanë bërë pjesë të tyre edhe flamurin e shpikur nga shtetet perëndimore. Sigurisht, kjo është shfaqje e një lloj mirëkuptimi dhe dashuri mes shqiptarëve të ndarë në dy shtet, çka mund edhe të ketë nervozuar disi kundërshtarët e shqiptarëve dhe shpikësit e flamujve. Çka mund të ketë frymëzuar projektuesit e flamurit të Kosovë që taktikisht projektin ta orientojnë në zona të ndjeshme nga masa siç është tifozeria e futbollit. Imagjinoni një përplasje për një kompeticion ndërkombëtar mes kombëtares së shqiptarëve të Kosovës dhe kombëtares shqiptare, me shumë gjasa mes shqiptarëve do lindte përçarje dhe urrejtje dhe ndoshta si pasojë diferencimi i identiteteve.

Ky pranim i “jashtëligjshëm” bëhet edhe më i dyshimtë po të marrim parasysh tentativën e Kosovës për të qenë pjesë e UNESCO-s. Organizata për Edukim, Shkencë dhe Kulturë e Kombeve të Bashkuara, që ka për synim të kontribuojë për paqen dhe sigurinë duke nxitur bashkëpunim ndërkombëtar nëpërmjet arsimit, shkencës dhe kulturës, është institucion që vendos për ruajtjen e trashëgimisë kulturore. Atëherë, pse shqiptarëve të Kosovës nuk ju jepet e drejta për të ruajtur dhe kultivuar trashëgiminë kulturore, shkencën dhe arsimin vendës? Pra, shqiptarëve ju lejohet – edhe pse shkelin një nen – të bëjnë kombëtaren e dytë, edhe pse mund të shërbejë si objekt ndasie mes shqiptarëve, por ju mohohet e drejta për të ruajtur dhe zhvilluar trashëgiminë kulturore.

*pedagog, UET

loading...
Shkruar Nga
More from revista mapo

Shqipëria nuk duhet të krijojë mite për rekomandimin e nisjes së negociatave me BE-në

Nga Augustin Palokaj Qeveria duhet ta kuptojë dhe qytetarëve t’ua komunikojë se...
Read More