Pse u mënjanua Bregu nga Basha dhe Lëvizja për Ringritjen e PD

Ajo që përfundimisht e acaroi me të gjithë ishte votimi i Reformës në Drejtësi. Qëndrimi pro votimit të reformës, debatet e zbardhura nga grupi parlamentar, qëndrimet në media për votimin e saj, ngritën renë e thashethemeve politike e partiake dhe ndezën zjarrin e mërzisë nga të gjithë

Majlinda Bregu jeton me gjasë këto kohë në mosmirënjohje. Jo për ndarjen me Lulzim Bashën dhe përjashtimin nga listat e tij, por edhe me vetë të përjashtuarit. Edhe pse pa të kaluarën e Topallit (iu bashkua PD në një ditë me Lulzim Bashën), por me gjithë arsenalin e rivalitetit që zonja e vjetër e PD, shoqja më e ngushtë e liderit, Berisha, i shpalli asaj që në ditën e parë, ish-pedagogia e Shkencave Sociale dhe me disa eksperienca në botën e medias televizive, politikania Majlindë u bë.

U bë gati siç thotë retoristi Avokat Ngjela. Rritja e popullaritetit në sondazhe dhe miqësia me Sokol Olldashin qenë çarja e parë me Lulzim Bashën, por më vonë çarje-ndarjet u bënë ideologjike, politike dhe euroatlantike. (Shumëkujt mund t’i ketë shpëtuar që edhe pse me mandatin e kryetares së Komisionit të Integrimit, Basha në vizitën e tij të parë në Bruksel si kryetar opozite preferoi siç bëri deri në fund, të shoqërohej nga Genc Pollo, duke vënë në jetë një këshillë politike që Papandreu e thoshte shpesh: kundërshtarëve në parti jepu pozicione, por hiqu detyrat).

Të shumtë ishin ata, sidomos brenda oborrit të SHQUP, që ndezën lincimin publik të saj. Dhe nuk është se Majlinda nuk i ndihmoi vetë. Tonet e deklaratat pa sharje dhe qëndrimet e saj në tryezat e përbashkëta Shqipëri-BE kur i duhej të ulej në krah të kryeministrit e ministrave nuk kishin asgjë të ngjashme në fjalor me ato to të Palokës, Nokës a deputeteve të tjera të PD-së që bërtisnin poshtë zyrës së Ramës: ne nuk jemi buçe e bordellos tënde. Nuk kishin as acarimin e Aldo Bumçit që teksa në Bruksel numëronte votat kundër të deputetëve të PD-së ndaj propozimit të PE për hapjen e negociatave më Shqipërinë, një votë nuk e mori dot. Majlinda Bregu votoi jo si të vetët, për një proces që e ka kthyer në identitetin e vet politik: pro çeljes se negociatave për anëtarësim sa më të shpejtë të Shqipërisë në Europë.

Beteja e Bregut në 4-vjeçarin e parë opozitar për PD-në qe shpesh e dukshme, e artikuluar në intervista dhe deklarata të ndryshme për ringritjen e PD-së. Pas dështimit qesharak në Dibër ku një kryetar Bashkie i PS u largua me brekë të grisura dhe PS rifitoi thellë duke i dhënë një tjetër dekoratë Damian Gjiknurit dhe tjetër faqe të zezë Lulzim Bashës solli shpërthimin e Bregut fillimisht në mbledhje të grupit parlamentar ku nëse nuk do lexonit datën, do mendonit që ato fjalë janë thënë dje. Hidhuni një sy më poshtë: “Ne nuk mund dhe nuk duhet t’u shmangemi përgjegjësive që kemi për humbjen e këtyre zgjedhjeve. Është fatalizëm nëse do të vazhdojmë të themi se na vodhën. Jemi forca kryesore politike në Shqipëri, nuk mund të presim të na shkelë syrin LSI-ja apo akoma më keq të na bëjë fushatën tonë zgjedhore Kreshniku për të arritur te fitorja. Dasma nuk bëhet me krushq, krushqit përcillen. Si është e mundur që me gjithë atë investim politik që PD bëri në Dibër, nuk shtuam asnjë votë? Jemi në konfuzion total dhe degët janë në rënie të vazhdueshme. Kemi një eksperiencë të shkëlqyer në të shkuarën. Ju kryetar, në 2015-n na shmangët nga fushata vendore. Ndërkohë në Dibër kam shkuar vetë dhe na hoqët nga lajmi. Si dikur Mehmet Shehun. E dini pse i fitoi zgjedhjet PD-ja në 2005? Ajo fitore erdhi pasi PD fitoi luftën me vetveten. Isha e bindur që largimi i Berishës do të sillte boshllëqe të tilla, por lidhja e aleancave në këtë mënyrë, pa asnjë konsultim, më duket një vendimmarrje aspak korrekte”.

Pas kësaj mbledhjeje vijoi në të njëjtat tone e mesazhe në Top Story për Sokol Ballën, në një intervistë për MAPO nga Nevila Perndoj. Mesazhet e Bregut ishin, mos prisni nga Ilir Meta, dera të hapet për demokratët. Sot të analizojmë se nesër do jetë shumë vonë…

Por ajo që përfundimisht e acaroi me të gjithë ishte votimi i Reformës në Drejtësi. Qëndrimi pro votimit të reformës, debatet e zbardhura nga grupi parlamentar e qëndrimit para mediave për votimin e saj, ngritën renë e thashethemeve politike e partiake dhe ndezën zjarrin e mërzisë nga të gjithë: Lulzim Basha e Sali Berisha ishin nën presion nga ndërkombëtarët. Edi Rama thoshte kudo se kishte votat për reformën duke insunuar se kishte dhe vota PD. Ilir Meta ndihej i kërcënuar se nëse Edi Rama i kishte numrat siç thoshte, kjo e poziciononte atë si bllokues të reformës më të rëndësishme.

“S’ka më burra,-tha në hyrje të parlamentit. Burrat e politikës sot janë bërë më keq se ato që shajnë përditë, se gratë e këqija”.

Të vonuar duken edhe Ringritësit e rinj të cilët prej publikimit të platformës të ngjajnë me rizbritës. Nuk ndodh asgjë në frontin kundërshtar të Bashës. Nuk ndodh asgjë te Basha. Të gjithë po thonë fjalët e Majlindës, por duke u kujdesur hollë që të mos i japin të drejtë. Madje as Edi Rama nuk e dashka!

Fjala e Bregut në grupin e PD pas humbjes në Dibër

A ka mundësi të flasim njëherë në këtë sallë si njerëz që e kanë kokën e tyre mbi supe dhe si pjesë e një historie që duhet respektuar për përballjen me sfidat dhe jo ikjen para çdo sfide?!A ka mundësi të themi këtu ato që i thonë jo vetëm njerëzit që takojmë po edhe shumica prej nesh këtu me njëri-tjetrin? Dhe nëse këtu ka një vullnet qorr për ta bërë këtë parti të luajë rolin e budallait, ndjesë po unë se kam këtë vullnet! Unë nuk mund të pranoj të shkojmë nga fitorja në fitore duke quajtur fitore humbjen apo duke u krenuar për humbjen si heroizëm përballë krimit! Kjo parti është me Byronë Politike apo me një qeveri që vrau në mes të Tiranës Azem Hajdarin dhe u rikthye në qeveri pasi u përball jo vetëm me kundërshtarin po edhe me vetveten! S’është sekret që unë e kam quajtur boshllëk shumë të vështirë për t’u mbushur largimin e Sali Berishës, po ama s’e kam menduar kurrë që pas tre vjetësh boshllëku do ishte më i madh se në fillim. S’e kam imagjinuar që ne këtu do vinim për të asistuar në anoncimin televiziv të vendimeve të marra pa diskutime dhe pa debat, dhe pastaj do duhet të heshtnim përballë pasojave katastrofike të këtyre vendimeve! Kemi tre vjet që dëgjojmë kërcitje dhëmbësh që nuk prodhojnë asgjë, madje bëjnë efektin e kundërt! Dhe nga ana tjetër, kemi një vit që këtej kërcasim dhëmbët e këtej presim ujin e pakët të Ilir Metës për të kapërcyer shkretëtirën! Nuk mbaj mend që në kohën e Sali Berishës të kishte degë që kalbeshin para syve nga konflikti i brendshëm dhe nga arbitrariteti i vendimmarrjeve në terr të plotë, jo vetëm pa pyetur ne por pa pyetur as ata poshtë! U trajtua Dibra si test politik dhe u shpërngul gjithë establishmenti në Dibër, po pastaj?! Kush e ka përgjegjësinë për dështimin e testit?! Mafia?! Karteli?! Po e dinim ne që ka kartel apo mafie kur e shpallëm testin apo e morëm vesh pasi doli rezultati?! Nëse e dinim çfarë testuam ne me aq pompozitet dhe me aq shumë resurse njerëzore?! Testuam mafien, kartelin apo veten tonë?! Ky për mua quhet konfuzion total, nga mungesa e plotë e strategjisë dhe e komunikimit të brendshëm në këtë godinë ku thirremi për mbledhje dhe mblidhemi për të mos folur asgjë me rendësi. Këtu ka jo pak njerëz që preferojnë të heshtin me idenë që ky degradim duhet të shkojë deri në fund! Po ku është fundi?! Dhe kush fiton në fund nga ai lloj fundi që unë nuk e di ça është përveç humbjes së sigurt që tani, në 2017?! Unë nuk do të pres fundin. Do të t’i them çdo ditë deri në zgjedhje edhe po s’të pëlqyen, por të paktën s’do më thotë dot njeri që s’fole. Nëse ky është një opsion i ndryshëm nga linja zyrtare që më duket se është të ecim qorrazi nga humbja në humbje derisa Edi Rama të divorcohet me Ilir Metën, ky për mua është një opsion po aq i keq sa i pari për PD e për këtë vend!

Disa thonë degradim total kurse së fundmi na u tha luftë totale?! Po lufta totale ça është në këtë rast, se me aq sa e di unë domethënë përdorim i armëve të shkatërrimit në masë, dhe s’ma ha mendja që të ketë këtë kuptim, apo jo?! Përpara se sa të na ndriçojë Lulzim Basha për kuptimin e luftës totale, unë dua t’ju them se për mua tingëllon si konfuzion total! Në këtë konfuzion gjeja më e rëndë nuk është ajo që bën Lulzim Basha po fakti që të gjithë jemi pajtuar me këtë situatë skandaloze dhe shtyjmë ditët qorrazi!

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Publike vs private –Kadia dhe Shabani përballen në Forumet UET

Sipas Kadisë kapitalizmi është i moralshëm, respekton të drejtat dhe liritë e...
Read More