Publike vs private –Kadia dhe Shabani përballen në Forumet UET

Sipas Kadisë kapitalizmi është i moralshëm, respekton të drejtat dhe liritë e individit si parakusht për të krijuar një ekonomi të mirë. Shabani u fokusua te privatizimet e ndërmarrjeve shtetërore duke i cilësuar të gabuara dhe korruptive.

Formati i Forumeve UET u organizua këtë të martë në një formë përballjeje idesh dhe argumentesh mes dy specialistëve të ekonomisë; Drejtorin Ekzekutiv të Institutit Europian Pashko, që natyrshëm e gjen veten te liberalizmi, Besart Kadia dhe Endri Shabani, i shkolluar në Oxford, por me pikëpamje të kundërta.

Kadia dhe Shabani diskutuan mbi temën “Ndërmarrjet private vs Ndërmarrjet publike” , ku Kadia mbrojti tregun e lirë dhe menaxhimin privat si motor të zhvillimit, ndërsa Shabani trumbetoi një model të majtë e social, pak a shumë modeli i vendeve nordike, duke kërkuar më shumë barazi në shpërndarjen e të mirave materiale dhe menaxhimin prej shtetit të ndërmarrjeve që kanë të bëjnë me pasuritë kombëtare si nafta, uji, mineralet etj.

Duke iu përgjigjur pyetjes “kush e mbron më mirë interesin publik?”, Kadia tha se “menduam se e kishim ezauruar këtë debat që në vitin 1991, por fatkeqësisht duhet të rikthehemi prapë sot”.

“Qëndrimi im është ky: sistemi kapitalist dhe tregjet e lira janë të moralshme dhe efikase. Ato lejojnë lirinë dhe të drejtat e individit më shumë se çdo sistem tjetër ekonomik që është provuar ndonjëherë në historinë e njerëzimit. Thelbi i tregjeve të lira është respekti mbi pronën private dhe lirinë e individit për të zgjedhur. Ky është sistemi më efikas që garanton më mirë se kushdo tjetër mirëqenien e individit dhe në këtë kuptim dhe vetë mirëqenia e publikut. Sistemi kapitalist e njeh suksesin ashtu siç njeh dështimin, dhe kjo e bën dhe çelësin e suksesit të kapitalizmit, sepse është e aftë që të ripërtërijë dhe rregullohet sa herë që kalon një krizë dhe të kalojë në një sistem akoma më të mirë në të ardhmen”, theksoi Kadia duke u fokusuar qartë te pikëpamjet e tij liberale.

Sipas Kadisë kapitalizmi është i moralshëm, respekton të drejtat e liritë e individit si parakusht për të krijuar një ekonomi të mirë.

Endrit Shabani u fokusua te privatizimet e ndërmarrjeve shtetërore duke i cilësuar të gabuara dhe korruptive.

“Kush është problemi kryesor i privatizimeve. A mund të themi se meqë ndërmarrjet shtetërore korruptohen hajde t’i privatizojmë. E para, korrupsioni nuk është një problem që qëndron vetëm në ndërmarrjet shtetërore, por problemi kryesor është që një shtet që nuk kontrollon dot korrupsionin në administratën e vet, pra në ndërmarrjet e veta shtetërore nuk ka se si të kontrollojë dhe privatizimin e këtij procesi. Që do të thotë që gjatë procesit të privatizimit shumë ndërmarrje shiten për “një copë bukë”, pra shiten jashtëzakonisht lirë, duke transferuar pasurinë publike te disa oligarkë në rastin ndoshta të Rusisë dhe disa oligarkë të ardhshëm në rastin e Shqipërisë, të cilët tashmë nuk kanë asnjë llogari. Po kush është diferenca këtu, nëse në një ndërmarrje shtetërore një njeri të korruptuar, mund ta kapim, ta fusim në burg dhe ta konfiskojmë pasurinë që na ka vjedhur, në rastin e privatizimit ne s’kemi çfarë i bëjmë më atij. Pra, ai e merr këtë ndërmarrjen shtetërore, e privatizon, e merr njëherë e përgjithmonë këtë ndërmarrje dhe e merr ligjërisht. Ky është një nga problemet që krijon privatizimi, i cili në vetvete nuk i përmirëson shërbimet”.

Shabani nuk mendon se tregu i lirë dhe kapitali është gjithmonë në të mirë të publikut. Ai guxoi të bënte një krahasim me kohën e ekonomisë së decentralizuar nën diktaturën komuniste duke thënë:

“Unë nuk jam kundër iniciativës private, nuk jam këtu për mbrojtur psikopatinë ose rrëshqitjen psikologjike të Enver Hoxhës. Unë po argumentoj që forma e zhvillimit, për vende si Shqipëria, nuk është e përshtatshme për të ndjekur një rrugë që as këto vende që na përmendet, që na e propozojnë, nuk e kanë bërë vetë kur kanë qenë në këtë fazë zhvillimi që jemi ne. Patjetër që Gjermania, Suedia dhe Finlanda mund t’ia lejojnë vetes sot që të privatizojnë disa sektorë që janë jetikë për vendin, por ato kanë mundësi ta monitorojnë procesin, kanë mundësi të implementojnë rregullore, kanë mundësi që këtë proces ta bëjnë në mënyrë efektive. Ne në kushtet ku jemi, ne e varfërojmë dhe e thellojmë më tepër varfërinë, e dobësojmë edhe më shumë shtetin dhe e bëjmë të pamundur ta menaxhojmë”, -tha Shabani.

Duke bërë një krahasim me kohën komuniste të Shqipërisë ai tha se sot jemi më keq në disa aspekte, siç është mjedisi, strehimi, shëndetësia dhe varfëria e një pjese të popullsisë. Ai beson se modeli më i mirë është shteti social dhe shpërndarja e barabartë e të mirave materiale.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Kontradiksioni i raportit të ministrave teknikë

Nga Ervis Iljazaj Ministrat teknikë dhanë më në fund dorëheqjen duke justifikuar...
Read More