Publikohet për herë të parë: Moisiu i “pajetë” nga arkivat e Vjenës

 

Në 83-vjetorin e vdekjes, për herë të parë publikohet fotografia me sargun dhe trupin e pajetë të Aleksandër Moisiut, para se të digjej në krematorin e Vjenës më 23 Mars 1935. Në vitin kulturor Shqipëri-Austri pritet të hapet në Vjenë ekspozita me fotografi dhe dokumente të panjohura mbi aktorin shqiptar. Studiuesi Pjetër Logoreci, kurator i ekspozitës, i bën thirrje shtetit shqiptar për të ndërtuar një muze në nderim të aktorit.

Viti kulturor Shqipëri-Austri duket se ka marrë një konotacion më të gjerë të komunikimit dhe këmbimit kulturor mes dy vendeve, ndryshe nga importi që përmbyt Tiranën në stinë pranvere apo vjeshte. Pra, ky vit kulturash mes dy vendeve, mban një raport të ndërsjellë: personazhe e histori që në vite e shekuj, kanë këmbyer “tokat”, në kontribut më jetëgjatë se sa mund t’i takonin vendit amë. Rasti për të cilin po flasim është ai i Aleksandër Moisiut, aktorit legjendë shqiptar, që ndërtoi një karrierë artistike me plot enigma, vrulle, e të stuhishme në Austri.

Më 26 Mars mbushen 83 vite nga vdekja e aktorit, të lindur në Shqipëri, dhe larguar kur ishte 19-vjeçar, duke prekur majën e aktrimit në Vjenë, një prej aktorëve më të angazhuar të atij vendi në teatër. Me këtë nderim të posaçëm, arkivi i Vjenës si në të rralla raste, ruan një foto ekzemplar, ku shihet sargu me trupin e pajetë të Aleksandër Moisiut para se të digjej në krematorin e Vjenës më 23 Mars 1935, të publikuar nga studiuesi Pjetër Logoreci, i cili pritet të hapë në ditën përkujtimore edhe ekspozitën me fotografi dhe dokumente të panjohura më parë mbi jetën e aktorit.

Logoreci krahas publikimi të kësaj fotoje në rrjetin e tij social, në Facebook, bën thirrje që edhe shteti shqiptar të ndërtojë një muze mbi Aleksandër Moisiun.

“HOMAZH…83 vjet ma parë, në Vjenë, vdiq aktori Aleksandër Moisi. Ky është sargu me trupin e tij, para se të digjej në krematorin e Vjenës, me 23 Mars 1935…Pushoftë në paqë…Nderim emrit dhe veprës tij… Shpresoj që shteti shqiptar të ndërtojë Muzeun Aleksandër Moisiu! Foto nga arkivi i Vjenës”. Studiuesi ka mbledhur 44 fotografi të masave 70×50 të aktorit Aleksandër Moisiu, fotografi të cilat do të ekspozohen në Vjenë në kuadër të fotoekspozitës: Aleksander Moisi, njeriu dhe artisti.

“Unë si studiues i tij kam mbledhur materiale të panjohura si fotografi dhe dokumente të tjera, të cilat janë fryt i kërkimeve të mija shumë vjeçare, kurse me mbështetjen e Ambasadës së Shqipërisë në Vjenë do të hapi këtë fotoekspozitë”, -tha kuratori për Kultplus. Ai tutje tregoi se kjo fotoekspozitë do të jetë e lëvizshme, duke menduar të shfaqet në të gjitha trevat shqiptare.

Me rastin e Vitit të Kulturës Austri-Shqipëri janë duke u organizuar shumë aktivitete. Shqipëria por edhe Austria do të ofrojnë një numër të madh të aktiviteteve, këtë vit, të cilat përfshijnë ekspozita, koncerte, konferenca, shfaqje të filma, e të tjerë. Kjo ekspozitë është një prej tyre.

Moisiu sot adhurohet dhe respektohet sidomos në Shqipëri si një ndër aktorët më të mëdhenj të vendit, edhe pse ai që nga rinia e tij më nuk e vizitoi Shqipërinë. Shkolla e aktrimit në Tiranë, Universiteti i Durrësit, Shkolla e mesme e përgjithshme në Kavajë dhe teatri i Durrësit e mbajnë emrin e tij. Në vitin 1935, pak kohë para vdekjes së tij, Moisiu kërkoi shtetësinë e Shqipërisë si dhe atë të Italisë. Shqipëria refuzoi këtë kërkesë, kurse Italia ia dha shtetësinë Moisiut, kur ai ishte i shtrirë në shtratin e vdekjes.

Moisiu botohet në Kosovë

Qendra Multimedia ka njoftuar se në muajin prill do të bëhet promovimi i librit biografik në gjuhën shqipe, të shkrimtarit të madh shqiptar “Aleksandër Moisiu. Trieste – Berlin – Nju Jork. Një legjendë aktrimi”, nga autori gjerman Rüdiger Schaper. Aktori shqiptar i cili karrierën e tij e filloi në Austri, e zhvilloi në Berlin e në tërë botën, ndërsa e përfundoi ne Itali, Aleksandër Moisiu, mbetet një ndër figurat më të rëndësishme të kulturës shqiptare.

Moisiu, i cili vdiq në vitin 1935 në Vjenë, ishte një ndër aktorët që përmblidhte të gjithë spektrin e literaturës evropiane të teatrit, duke filluar që nga tragjedia antike greke e deri te koha moderne. Ky libër erdhi si projekt i përbashkët i Qendrës Multimedia në Prishtinë, Shtëpisë Botuese PA dhe Traduki dhe u botua në nëntor të vitit të kaluar.

Autori i librit, Rüdiger Schaper u lind në vitin 1959 në Worms (Rheinland-Pfalz). Autori gjerman, gazetar dhe kritik teatri, jeton dhe punon në Berlin dhe, që nga viti 1999, punon për gazetën “Tagesspiegel”, ku drejton rubrikën e fejtonit. Libri u përkthye nga Feride Xh. Berisha, si dhe është promovuar në Berlin në fillim të muajit mars, dhe tani do të promovohet në Prishtinë dhe në Pejë.

Shkruar Nga
More from Redaksia

‘The Guardian’: Ngacmime seksuale dhe përdhunime edhe në OKB

   Historia e ngacmimeve seksuale dhe përdhunimeve nuk përfundon me akuzat e...
Read More