Punësimi: 10 studentë të UET zgjidhen nga Raiffeisen Bank

Konkretizimi i përpjekjeve për punësimin e studentëve që përfshin programi 250+, i cili konsiston në një bashkëpunim të Universitetit Europian të Tiranës me më shumë se 250 biznese në vend, ka bërë të mundur punësimin e 10 studentëve për një periudhë 6 muaj deri 1 vit pranë bankës Raiffeisen.

Të zgjedhësh të studiosh për një degë të caktuar, është shndërruar sot në një nga vendimet më të rëndësishme dhe të vështira që të rinjtë marrin. Shpeshherë, kjo zgjedhje përcaktohet, jo vetëm nga pasioni personal, por edhe tregu i punës.
Universiteti Europian i Tiranës ofron një sërë mundësish për studentët e tij, në mënyrë që pas përfundimit të studimeve ata të jenë të përgatitur më së miri për t’u përballur me tregun e punës. Programi DSA (Direct Sales Agent), në bashkëpunim me bankën Raiffeisen është një ndër këto mundësi të ofruara për studentët e Fakultetit Ekonomik të UET, ku 10 studentë të vitit të tretë në ciklin Bachelor janë punësuar pranë kësaj banke. Ky është edhe konkretizimi i përpjekjeve për punësimin e studentëve që përfshin programi 250+, i cili konsiston në një bashkëpunim të Universiteti Europian të Tiranës me më shumë se 250 biznese në vend.

Për më tepër, për këtë program flet Drejtoresha e Programeve Master në UET, dr. Orkida Ilollari.

“Banka Raiffeisen ka qenë shumë prezente gjatë vitit akademik, si në rishikimin e kurrikulave dhe silabuseve, ashtu edhe në praktikat e studentëve dhe në leksionet e jashtme, ku kanë ardhur dhe kanë qenë disa lektorë të ftuar në programet Master. Bashkëpunimi më i fundit është ai për programin e Agjentëve të Shitjes Direkte. Programi DSA (Direct Sales Agent), nuk është praktikë, është punësim dhe banka i trajnon studentët e përzgjedhur për një vit të tërë, duke parë se si ata alokohen ose bëhen agjentë shitjesh. Normalisht banka i kalon pastaj në punësim të plotë, që iu mundëson studentëve të fillojnë karrierën direkt si bankierë. Në këtë program ne morëm pjesë këtë vit me 10 studentë, që është një nga rastet më të mira të mundshme, sepse banka përzgjedh në këtë lloj programi studentor dy deri në tre studentë nga çdo universitet. Në kuadër të këtij bashkëpunimi, u pa si një bashkëpunim institucional që të përfitonin më shumë dhe studentët tanë”, shprehet ajo.

Ndërkohë që 10 studentë të Universitetit Europian të Tiranës, janë shpallur fitues në këtë program, dr. Ilollari tregon se si do të funksionojë punësimi i tyre tashmë.

“Normalisht ne kemi përzgjedhur më të mirët me mesatare mbi 8, nga Fakulteti Ekonomik, nga tre departamente si IT, Menaxhim Biznesi dhe Financë. CV-të e tyre janë dërguar pranë bankës Raiffaisen dhe më pas ata kanë përzgjedhur studentët fitues. Studentët janë shumë të kënaqur nga kjo përzgjedhje, sepse ata do të punojnë 10 orë në javë pranë kësaj banke dhe normalisht do të marrin eksperiencë, trajnime, që banka ua jep si të ishin punonjës të rinj”.

Ndonëse është një nga bashkëpunimet më frytdhënëse të momentit ky nuk është bashkëpunimi i vetëm që Universiteti Europian i Tiranës ka për punësimin e studentëve të tij. Ai i radhës është me kompaninë Deloitte Albania që pritet të finalizohet së shpejti.

“Në kuadër të këtij programi (250+), përveçse me bankën Raiffeisen, po bashkëpunojmë edhe me institucione të tjera. Bashkëpunime këto, të cilat po i konkretizojmë. Dua të përmend këtu edhe kompaninë Deloitte Albania, të cilës pak ditë më parë i kemi çuar një listë studentësh së bashku me CV-të e tyre, dhe jemi në pritje që ata t’i marrin në intervistë dhe më pas t’i alokojnë nëpër departamentet e tyre”.

Taushani: Raiffeisen vlerëson të rinjtë

Z.Gani Taushani është menaxher i shitjeve direkte në Raiffeisen Bank. Ai tregon për gazetën Mapo më tepër për këtë program dhe mënyrën se si funksionon ai.

“Programi është një program për shitjen direkte, dhe në Raiffeisen ne kemi rreth 4 vjet që e aplikojmë. Numri total i studentëve që marrim, shkon deri në 150 studentë në vit dhe qëndrimi i studentëve pranë bankës sonë varion por minimumi i periudhës që studentët qëndrojnë është 3 ose 6 muaj. Megjithatë ka edhe studentë që qëndrojnë një vit. Në fund të programit ne i pajisim me një certifikatë që kanë marrë pjesë suksesshëm në këtë program. Programi konsiston në referimin e produkteve bankare pranë degëve, do të thotë që studentët angazhohen në shitjen e kredive personale, kartave të kreditit, të overdrafteve, telefonata me klientët, takime me institucione ku ne kemi pagamarrës etj. Pra, ne i angazhojmë në të tilla aktivitete”.

Duke qenë se paraqet një mundësi të shkëlqyer për të fituar eksperiencë pune çdo studentet do të dëshironte të ishte pjesë e këtij programi. Por si mund të bëhen studentët pjesë e këtij programi dhe si funksionon përzgjedhja?

“Aftësitë shitëse janë ato që ne kërkojmë tek aplikantët që kërkojmë. Që do të thotë të kenë pikë të fortë komunikimi dhe pikë të fortë këmbënguljen për të shitur këto produkte.
Në vitin e fundit kemi aplikuar një metodë të tillë, që aplikantëve iu japim karakteristikat e produkteve të bankës që ata duhet të shesin, një ditë përpara. Ata kanë mundësinë t’i lexojnë dhe gjatë intervistës që bëhet me departamentin e burimeve njerëzore dhe me ne, studentët referojnë pikërisht ato produkte që kanë mësuar një ditë më përpara. Gjatë kësaj interviste, ne shohim se cili prej tyre ka më tepër aftësi artikulimi, komunikuese, dhe më pas bëjmë edhe përzgjedhjen”.

Studentët të cilët janë pjesë e programit kanë një mundësi shumë të mirë për të shtuar dijet e tyre në fushën e sektorit bankar pasi banka Raiffeisen ofron për ta edhe trajnimet të cilat zhvillon normalisht për punonjësit e rinj. Eksperienca e fituar është një mundësi e shtuar për të ardhmen e tyre profesionale duke hapur kësisoj dyer për një punësim të shpejtë pas përfundimit të studimeve.

“Ne krahas programit të studentëve kemi edhe një program tjetër i cili nuk është me studentë, por me persona të punësuar, të cilët i quajmë punonjës “guest” ose “me qira” sepse përdorim një kompani tjetër që nuk është Raiffeisen, por është një kompani që ka një marrëdhënie me Raiffeisen dhe studentët më të mirë që mbarojnë këtë program ne i përzgjedhim. Ka mundësi që ata të fillojnë punë të qëndrueshme, të mirëfilltë më pas. Pra nga studentë, më të mirët kalojnë në agjentë të shitjeve direkte e më pas në pozicione të tjera në bankë, pra kanë mundësinë të rriten në karrierë. Ne kemi operuar shumë mirë me këtë program. Për shembull ne hapëm një projekt të ri vitin që kaloi ku kërkuam 25 agjentë shitjesh direkte dhe ky kontingjent u përzgjodh mbi 80% nga programi. Kjo sepse ata kishin një vit që ishin të përgatitur dhe ishin në gjendje të realizonin shitje, të prezantoheshin, të merrnin në telefon klientë dhe merrnin pjesë në takime. Gjithashtu, gjatë kësaj kohe ata nuk janë trajtuar thjesht si studentë por si punonjës të rinj, duke realizuar një trajnim 5-ditor, që është trajnimi për produktet e bankës. Pra, mundësitë për një punësim të mëtejshëm janë mjaft të mira”, shpjegon ai.

4 prej 10 studentëve të përzgjedhur nga Universiteti Europian i Tiranës kanë rrëfyer ndjesitë dhe pritshmëritë e tyre në lidhje me programin në të cilin janë përzgjedhur të marrin pjesë.

Merlin Fejzo: Një mundësi shumë e mirë për të ardhmen 

Studente e vitit të tretë, në degën Financë-Bankë, Merlin Fejzo është një ndër studentët e përzgjedhur për të qenë pjesë e programit dhe shprehet mjaft e entuziazmuar për eksperiencën e re që e pret.
“Në fakt përzgjedhja më habiti, por edhe më surprizoi për mirë. Mendoj që e meritoja, aplikantët ishin të shumtë dhe konkurrenca e lartë, por fakti që unë u bëra pjesë e këtij programi më bëri të ndihem mirë”.
Ndërkohë ajo shprehet se pritshmëritë e saj në lidhje me këtë eksperiencë janë mjaft pozitive dhe beson se do ta shfrytëzojë këtë mundësi më së miri.
“E vlerësoj si një mundësi shumë të mirë, një eksperiencë mjaft të vlefshme, e cila besoj do të shërbejë më vonë edhe si një mundësi e mirë punësimi. Të qenit pjesë e sistemit bankar është një mundësi që e konsideroj për të ardhmen time”, shprehet Merlin.

Sahmet Shehu: Kjo eksperiencë do të na aftësojë më tepër në praktikë

Sahmet Shehu studion në degën Financë-Bankë, viti i tretë, cikli Bachelor në Universitetin Europian të Tiranës. Gjithashtu, i përzgjedhur për të qenë pjesë e programit për shitjet direkte, në bankën Raiffesien, ai e vlerëson mundësinë e paraqitur si një mundësi shumë të mirë për të ardhmen e tij profesionale.
“Faktin që u përzgjodha si një nga fituesit, e prita normalisht shumë mirë. Nisur nga numri i shumtë i kandidatëve, kur mora lajmin që isha dhe unë fitues, u lumturova pasi e konsideroj një arritje personale”, shprehet ai.
Sahmeti e vlerëson eksperiencën që do të fitojë në bankë, pasi e sheh atë si një mundësi të mirë për t’u rritur profesionalisht.
“Mendoj që është një eksperiencë shumë e mirë sepse do të marr eksperiencën e punës, do të mësoj si puna funksionon dhe në tërësi shumë aspekte praktike të punës. Ndonëse qëllimet e mia personale nuk janë të fokusuara vetëm në sektorin bankar por edhe në institucione private, mendoj që banka të ofron shumë mundësi. Ndaj kjo mundësi që më ofrohet është një plus i madh jo vetëm për CV-në time, por edhe për formimin tim, ndaj do të mundohem ta shfrytëzoj në maksimum”.

Gerta Mulla: Programi, një mundësi e cila nuk duhej lënë pa shfrytëzuar

“Ishte një program për të cilin na u dha mundësia nga ana e Universitetit Europian të Tiranës. Falë UET, studentët e të gjitha degëve të Fakultetit Ekonomik kishin mundësinë të aplikonin dhe të konkurronin për të qenë pjesë. Edhe unë, normalisht, sapo mësova për të, e shfrytëzova këtë mundësi dhe aplikova”.
Kështu shprehet studentja e degës Menaxhim Biznesi, e cila studion pranë Universitetit Europian të Tiranës dhe është aktualisht në vitin e tretë të studimeve.
Mundësinë për të qenë pjesë e këtij programi ajo e vlerëson si mjaft të rëndësishëm dhe premtues për të ardhmen.
“Është e vërtetë se ne jemi ende në proces studimi por jam e bindur se kjo eksperiencë do të më shërbejë për mirë në të gjitha sferat. Fakti që nga banka ofrohen edhe trajnime të shumta, njëlloj si për punonjësit e rinj, është një element mjaft pozitiv që besoj e shndërron eksperiencën në shumë pozitive”, tregon ajo.

Adolf Arizaj, praktika si çelës i suksesit

Adolf Arizaj e vlerëson gjithashtu, pjesëmarrjen në program si një mundësi shumë të mirë për të ardhmen e tij. Ai shprehet se krahas shprehive të fituara, kjo eksperiencë e re do ta ndihmojë atë të ecë më i sigurt në rrugën e suksesit profesional.
“E vlerësoj këtë mundësi, si një mundësi shumë të mirë për të fituar eksperiencë në tregun e punë dhe jo vetëm. Mua më tërheq shumë marketingu, dhe mendoj se puna që do të bëj në bankën Raiffeisen do të më ndihmojë mjaft që të përmirësoj dhe zhvilloj më tej aftësitë e mia në këtë fushë”, shprehet ai për gazetën Mapo.
Duke qenë një student mjaft i përgatitur, Adolfi beson se teoria është një pjesë thelbësore e formimit në profesion, por gjithashtu është i bindur se praktika është ajo që ndikon më së shumti në këtë formim.
“Eksperienca që pritet të marrim, besoj do të na aftësojë edhe më tepër dhe do të na përgatisë ashtu siç duhet për t’u përballur me tregun e punës, i cili për hir të së vërtetës paraqet mjaft vështirësi. Ndaj e shoh si një mundësi shumë të mirë që na ofrohet që në hapat e parë të formimit tonë”.
 

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

170 vegla muzikore popullore: Tradita jashtë vëmendjes institucionale

Shkas nga çelja e një ekspozite dhe botimit të një albumi/Fatkeqësisht duket...
Read More