Që protesta të mos jetë e varfër

 
 

Nga Klementin Mile

Opozita shqiptare e sotme, sikundër opozita shqiptare e djeshme, po paralajmëron protesta. Nuk dua ta vë aspak në dyshim sinqeritetin e kauzës së tyre. As të hyj në debatin nëse duhet protestuar apo jo. Është më e rëndësishme të kuptohet se si duhet protestuar.

Ky shkrim niset nga vëzhgimi se protestat e paralajmëruara nga opozita kanë filluar të shfaqin shenjat e një varfërie tipike të semantikës (koncepteve, imazheve, simboleve) protestuese.

Kjo nuk është çështje e parëndësishme: semantika e protestës është faktor kyç për suksesin ose dështimin e saj.

Protesta e paralajmëruar nga opozita shqiptare, ashtu si shumica e protestave në botë, shfaqet e varfër. Ajo paraqet një version të thjeshtëzuar, duke presupozuar një realitet social të karakterizuar nga kapaciteti i pakufizuar për rezonancë (reagim). Përveç kësaj, presupozon kapacitet rezonues të njëjtë për të gjitha sistemet sociale (politikën, ekonominë, drejtësinë, fenë, artin, shkencën, masmedian, edukimin etj.), duke mos e marrë në konsideratë autonominë sistemike – faktin që p.sh. drejtësia është më e ngadaltë në reagim se politika, ose që ekonomia e sheh botën ndryshe nga feja.

Në semantikën e protestuesve gjen nocione si reformat, sistemi, barazia, drejtësia sociale, korrupsioni etj. Në shoqërinë moderne këto nocione implikojnë domosdoshmërisht operacionet e më shumë se një sistemi social. Për shembull, reformat mund të ndërmerren nga politika, por efektet i japin në ekonomi, arsim ose shkencë, sipas rastit.

Po ashtu, nocioni i drejtësisë sociale iu referohet njëkohësisht operacioneve që ndodhin së paku në tri sisteme të ndryshme: politik, ekonomik dhe ligjor. Në kushtet kur secili prej këtyre sistemeve operon në bazë të logjikës së vet funksionale, janë të gjitha arsyet për të pritur një kapacitet rezonues asimetrik: një ngjarje e rëndësishme në ekonomi mund të jetë krejt e papërfillshme politikisht.

Mungesa e rezonancës sistemike për problemet sociale dhe ekologjike shihet nga protestuesit si shenjë papërgjegjshmërie, mungesë integriteti, antivlerë, paaftësi, korrupsion dhe deficit demokratik. Rrjedhimisht protesta fokusohet tek “individë” (p.sh. Rama, Tahiri, Ahmetaj) ose grupe të veçanta (oligarkët), duke lënë jashtë vëmendjes sistemet funksionale që kushtëzojnë veprimet dhe vendimet e tyre. Kështu protesta artikulohet në nivelin normativ (çka duhet bërë) dhe nuk reflekton aspak lidhur me çështjen e mundësisë së realizimit të aspiratave (çka mund të bëhet).

Natyrisht, ajo çka duhet bërë për përmirësimin e shoqërisë dhe ajo çka mund të bëhet janë sa të ndryshme aq dhe komplementare; veçse, nëse synimi i protestave është realizimi i kërkesave të tyre dhe jo krijimi i iluzioneve, çështjet e mundësisë lipset të shtrohen për diskutim përpara çështjeve normative.

Në këtë mënyrë, arsenali i dijeve të protestuesve duhet të përfshijë domosdo, përveç filozofisë dhe literaturës strategjiko-organizative, edhe teorinë sociale dhe teorinë e evolucionit social-kulturor.

Në terma abstraktë varfëria e protestës vjen për shkak se semantika e saj nuk arrin të bëjë dot dallimin ndërmjet realitetit dhe fakticitetit, dhe i referohet ekskluzivisht realitetit. Pasojat e këtij fenomeni janë të dukshme: në realitet gjithçka duket e mundshme, pasi aty gjen vetëm një perspektivë – atë të “Sistemit”.

Nëse diçka “e mundshme” nuk ndodh, atëherë problemi formulohet në termat e performancës morale dhe/ose profesionale, si dhe i atribuohet ndonjë pjese (personi, grupi, institucioni) të Sistemit. Megjithatë, mjafton të marrim në konsideratë dallimin ndërmjet realitetit dhe fakticitetit për të kuptuar se perspektiva e Sistemit kushtëzohet dhe, në këtë kuptim, mundësohet nga ambienti (ku përfshihen edhe sistemet e tjera sociale dhe psikike).

Kështu, qeverisja e keqe nuk është thjesht rrjedhojë e qeverisë së paaftë dhe të korruptuar, por edhe e opozitës po aq të paaftë dhe të korruptuar, në kushtet e një opinioni publik të karakterizuar nga ndjeshmëria e ulët dhe të sistemeve sociale të tjera që funksionojnë me logjikë autonome.

Për të rritur kompleksitetin e protestës në shoqërinë moderne nevojitet krijimi i pozicioneve kritike, pra i pozicioneve prej nga shoqëria mund ta kritikojë vetveten. Këto pozicione mund të ofrohen vetëm nga sistemet funksionale të saj.

Këtu duhen dalluar sisteme funksionale që operojnë me një logjikë konservatore dhe sisteme funksionale të karakterizuara nga një logjikë progresiste. Logjikën konservatore e gjejmë te politika (inovacioni politik është shumë i rrezikshëm elektoralisht), tek ekonomia (për sa kohë ka tregje dhe likuiditet gjithçka shkon mirë), te masmedia (t’i japim publikut atë që kërkon), te sistemi ligjor (vendimmarrje në bazë të parimeve, koncepteve dhe rregullave të vendosur).

Logjikën progresiste dhe presionin për emancipim e gjejmë në sisteme të tjera si arti (imagjinarja na mundëson të vëzhgojmë realen, ta vendosim në perspektivë dhe ta kritikojmë), feja (imanenca e shoqërisë bëhet objekt vëzhgimi nga perspektiva transcendentale, edhe pse kjo e fundit është e kufizuar nga shkrimet e shenjta), shkenca (kriteret e së vërtetës nuk bazohen te konsensusi social apo tek i ashtuquajturi common sense) dhe intimiteti (përvoja e brendshme që aktualizohet në raportet intime bëhet pikë reference për të artikuluar nevojën e ndryshimit të kushteve sociale).

Por kur një shoqëri nuk i ka zhvilluar mjaftueshëm artin, fenë, shkencën dhe intimitetin, atëherë e ka thuajse të pamundur të kritikojë vetveten. Zhvillimi i tyre nënkupton që në proceset sociale t’iu referohemi shpesh këtyre sistemeve, t’i përdorim për të marrë vendime dhe për të bërë përshkrime të vetes dhe të të tjerëve. Por faktikisht, në sa raste kemi parë të preferohet logjika artistike para asaj të masmedias, logjika shkencore para asaj ekonomike apo logjika fetare para asaj politike?

Shkruar Nga
More from Redaksia

KESH blen 7.2 milionë euro energji për shtatorin, me kredinë e Bankës Botërore

Banka Botërore zhbllokoi së fundmi një pjesë të kredisë për rimëkëmbjen e...
Read More