“Qejfharami”, një formë e re teatri në Cirkun Kombëtar

qejfharamiii

Drama satirike “Qejfharami” vjen mbrëmjen e së dielës në Cirkun Kombëtar. Regjisori dhe autori i pjesës, Armand Bora ka pohuar se me këtë pjesë vjen një formë e re e të bërit teatër jashtë klisheve. Ndërkohë pjesa ironizon forcën e pushtetit, që në lashtësi e deri në ditët tona. “Qejfharami” me regji të Armand Borës, ju pret në Arenën e Cirkut Kombëtar. Ejani të shihni një teatër interesant, atraktiv dhe që përcjell emocione të forta. Arti të ngop shpirtin dhe në këto kohë të trazuara, kemi aq shumë nevojë. Ju pres miq”, shkruan përmes një statusi aktorja Shegushe Bebeti, të cilin e ka postuar në Facebook. Drama satirike “Qejfharami” është një ritrajtim modern i mitit të Edipit.

Personazhi i Edipit është çmitizuar dhe është vendosur në situata dhe rrethana që zbulojnë anë komike dhe groteske të tij. Historia e këtij Edipi mbivendoset me situata dhe rrethana që kanë jetuar personazhe të tjerë të rëndësishëm në historinë e njerëzimit. Portretet e perandorit Kaligula, Makbethit, Stalinit apo e diktatorëve të tjerë modernë bashkohen bashkë për të sjellë në një polifoni ngjyrash dhe tingujsh, portretin e vërtetë të një pushtetari. Në dramë ka edhe një linjë lirike ku marrëdhënia midis djalit dhe vajzës në prag të martesës merr një kthesë dramatike si rrjedhojë e vendosjes së ligjit të Qejfharamit. Sipas këtij ligji, në një situatë kur të gjithë meshkujt janë të infektuar nga murtaja e kuqe, detyrohet çdo femër e martuar që fëmijët t’i bëj me mbretin Edip si i vetmi mashkull i pastër dhe i pa prekur nga murtaja. Për të bërë të mundur ndalimin e këtij ligji, djali vendos të hyjë në guvën e Qorrit duke lexuar sekretet e Tebës dhe duke zbuluar prejardhjen e infektuar të mbretit Edip.

Pas leximit të sekreteve djali humbet shikimin dhe i verbër i rrëfen të vërtetën Edipit, duke i kërkuar largimin nga pushteti. Teksti tenton të shpjegojë dhe t’u japë përgjigje disa prej problemeve që vuajnë shoqëritë postdiktatoriale. Në vepër në rolin e Edipit është Aleks Seitaj, djali Edvin Mustafa, në rolin e shefit është Shegushe Bebeti, në rolin e shitësit është Suela Bako, oborrtari Anila Muçaj, vajza Jorida Meta dhe në rolin e nënës mbretëreshë Rexhina Mollaymeri. Formulimi muzikor është Sokol Marsi, lëvizja skenike Fatjon Sulstarova dhe mjeshtër i artit marcial Shihan Enver Cakiqi. Mjeshtër i cirkut Kujtim Dumi dhe maskat janë realizuar nga Merita Spahiu. Kostumet e realizuara nga Anila Zajmi Katanolli janë të konceptuara mbi të njëjtat parime estetike dhe filozofike që është ndërtuar shfaqja.

Shkruar Nga
More from Revista User

Para se të ndahesh me dikë që e do, mendo fillimisht për këto gjëra

Dëshira për t’i dhënë fund me dikë për arsye nga më të...
Read More