Qëllimi i mirë nuk bën ekonomi të mirë

Axhenda liberale

Nga Besart Kadia

“Njerëzimi gjithnjë ka mbetur me dëshira të parealizuara sepse burimet janë të kufizuara” shkruan ekonomisti Thomas Souell.   Të shpjegosh çfarë është ekonomia është ndoshta pjesa më e vështirë për një ekonomist. Tekste të shumta japin përkufizime të ndryshme megjithëse përkufizimi i bërë në vitin 1932 nga ekonomisti britanik Lionel Robbinson mbetet si përkufizimi më i plotë i ekonomisë dhe i pranuar gjerësisht. “Ekonomia është një shkencë që studion sjelljen njerëzore që synon përdorimin e burimeve të kufizuara, të cilat mund të përdoren në mënyra të ndryshme” (Sowell, 2007, p. 7). Ky përkufizim ofron dhe thelbin e ekonomisë. Sa herë që ne prodhojmë diçka ne prodhojmë më pak nga diçka tjetër me burimet që kemi në zotërim. Sa herë që njerëzit kanë qëllime ato janë të ndryshme dhe për këtë arsye konkurruese me njëra tjetrën. Sa herë që ka konkurrencë shfaqen vlerësime të ndryshme subjektive për burimet në ekonomi duke çuar në nevojën e zgjedhjes dhe në ndryshimin e vlerës në treg. Të zgjedhim se cila mënyrë është më efikase në përdorimin e këtyre burimeve të limituara është dhe detyra parësore e studimit të ekonomisë si analizë e sjelljes njerëzore.

Von Mises shkruan se shkenca e ekonomisë është shkenca më e re dhe është shkenca e studimit të sjelljes njerëzore. Por ajo nuk duhet të jetë normative, pra të bëjë cilësime morale për sjelljen njerëzore, por është pozitive, që  shpjegon si njerëzit aktualisht sillen dhe jo si ata duhet të sillen (Mises, 1949). Në këndvështrimin e autorit të gjithë palët në shoqëri kanë interesa dhe vlera që mundohen ti imponojnë shoqërisë. Këtu nuk përjashtohen as individët e pasur apo të varfër, firmat e mëdha apo të vogla, pushteti lokal apo qendror, monopole apo biznese të vogla të gjitha synojnë të zotërojnë burime të kufizuara në interesin e tyre: pavarësisht se cili është qëllimi i përdorimit të tyre. Shteti kërkon taksa më të larta se synon të ofrojë shërbime. Bizneset duan më shumë fitim se duan të zgjerohen. Familjet duan paga të larta sepse kanë dëshira e nevoja etj. Por të gjitha këto nuk mund të realizohen njëkohësisht. Në këndvështrimin tonë ekonomia është një shkencë sociale ku individë apo grupe të ndryshme shoqërore mundohen të realizojnë qëllimet e tyre në kushtet kur burimet janë të limituara (Long, 2006).

Ndaj ekonomia mundohet të studiojë pasojat e vendime të ndërmarra nga aktorë të ndryshëm dhe jo qëllimet e këtyre vendimeve. Në rast se ne themi që duhet të kemi pagë minimale 300 dollar në muaj ekonomia synon t’i japë përgjigje se çfarë ndodh me burimet njerëzore pasi vendoset kjo pagë? A punojnë më shumë apo më pak punëtorët? A ka më shumë vende pune apo më pak? A janë firmat më konkurruese apo më pak? Pra, ajo çfarë studion ekonomia është pasoja e vendimeve dhe sesi këto vendime çojnë në përmirësim apo jo të përdorimit të burimeve të limituara në shoqëri. Ekonomia mundohet të mos studiojë premisat se nga është nisur një individ, një firmë apo një qeveri për të ndërmarr një vendim por pasojat e vendimit (Soëell, 2007, p. 13).

Qëllimet e vendimit të ndërmarrë ne ekonomi vijnë për arsye të ndryshme. Ka qëllime të mira e qëllime të këqija. Por të kesh qëllime të mira në ekonomi nuk do të thotë se ka pasoja të mira ekonomike. Për shembull qëllimi i arsimit falas është një qëllim i mirë në sytë e publikut. Por pasojat e këtij vendimi në ekonomi janë të shumta dhe shpesh herë jo pozitive për studentët dhe shoqërinë. Kështu të gjithë do të donim që ne apo të afërmit tanë të shkonin në shkolla shumë të mira, me laboratorë e me teknologji të fundit, me kushte të mira infrastrukturore, me pedagogët më të mirë në botë e me libra cilësorë e mundësisht të gjitha këto të ofroheshin në Shqipëri dhe të ishin FALAS. Kjo është e mundshme. Kushdo që thotë se jo, ju gënjen!

Ne me buxhetin e shtetit shqiptar mund të shpenzojmë për arsim rreth 3 miliardë dollar në vit duke konkurruar me buxhetet e universiteteve më të njohura në botë. Por menjëherë ju filloni të mendoni. Po shpenzuam tërë buxhetin e shtetit për të siguruar një universitet prestigjioz çfarë do të bëhet me shëndetësinë, po me rrugët, po me fermerët, po me sigurinë kombëtare po … me shumë shërbime të tjera me çfarë parash do t’i ofrojmë. Pra, ne kemi potencialisht një zgjedhje ekstreme mes një universiteti me buxhet 3 miliardë dollarë por nga ana tjetër mbetemi pa rrugë të reja, pa infrastrukturë të re, pa spitale të reja etj. Universitet i mirë është i mundshëm, por a është kjo një politikë e mirë ekonomike?

Në librin e tij Henry Hazlitt “Economics in one Lesson” shkruan se një ekonomist i mirë nga një i keq dallohet nga fakti se një ekonomist i keq sheh vetëm pasojat direkte të një vendimi të marrë, ndërkohë që një ekonomist i mirë sheh pasojat afatgjatë dhe indirekte të vendimit të tij. Për shembull në rast se ne mendojmë se shteti ka për detyre të rehabilitojë qendrat e qyteteve për të rritur cilësinë e jetesës në to ne mund të themi në pamje të parë se kjo është një politikë e mirë. Paratë e taksapaguesëve duhet të përdoren për përmisimin e qendrave sepse argumenti vazhdon ajo tërheq investime të tjera private dhe çon në punësim (Hazlitt, 1946).

Por nëse punësimi është qëllimi në vetvete i investimeve publike ne jemi duke gabuar në interpretimin e ekonomisë. Shpesh thuhet në përurimin e një qendre qyteti se X numër punëtorësh janë punësuar nga ky projekt. Por ajo që të gjithë harrojmë është fakti se investimi vjen direkt nga paratë e qytetarëve. Ato para që ata do t’i përdornin për të rritur investimin dhe punësimin në biznesin e tyre. Sipas Hazlitt punëtorët që punojnë për ndërtimin e qendrave të qytetit mund t’i shohim dhe e kuptojmë, por ne nuk shohim dot efektin negativ që ka në ekonomi pasi ky investim heq punëtorët nga fusha të tjera të ekonomisë dhe ul paratë në dispozicion të qytetarëve dhe bizneseve. Me mijëra vendime investimesh merren përditë nga individë të ndryshëm pa e marr vesh kush. Marrin hua në bankë, bëjnë një projekt punësojnë njerëz në punë ofrojnë një shërbim që shoqëria e vlerëson. Por askush nuk mendon dot për ta sesi taksa e shtuar e qeverisë ndikon në vendimet e tyre për të investuar më pak. Ajo që ne shohim është se qendra e qytetit duket e bukur, njerëz janë punësuar shteti të vazhdojë të marr taksa më shumë për këtë qëllim të mirë publik. Por kjo është një qasje e anshme në ekonomi. Ku i atribuojmë një pale me interesa në ekonomi fuqi më shumë sesa aktorëve të tjerë ekonomik.

Një shembull të tillë sjell ish-Kryeministri Britanik Toni Blair i cili  shkruan në librin e tij (A Journey, 2010, faqe 80)” sesi në studimet e Universitetit të Oxfordit një student me eksperiencë ekzekutive në Indi i dha një perspektivë për rolin e shtetit që mbeti me të tërë jetën. Blari po mundohej të thoshte se shteti duhet të ofrojë shërbime të ndryshme në shoqëri dhe t’ia marrë ato kapitalistëve që veç për fitim e kishin mendjen. Përgjigja që mori nga studenti Indian ishte : “Nuk është aq e lehtë. Shteti gjithashtu ka interesa për të mbrojtur dhe këto interesa nuk janë gjithnjë interesat e publikut” (Blair, 2010).  Në këtë kuptim drejtuesit e shtetit në demokraci e kanë të lidhur jetëgjatësinë e tyre në krye të shtetit me nivelin e punësimit në ekonomi dhe me rritjen ekonomike. Në rast se përpara zgjedhjeve ata duan të rrisin punësimin nëpërmjet rritjes së investimeve publike apo ndërmjet marrjes së borxhit apo nëpërmjet printimit të parasë pasoja e menjëhershme është rritje e punësimit dhe rritje e ekonomisë. Në pamje të parë kjo duket në interes publik dhe për këtë arsye një politikë e mirë ekonomike. Por çfarë ekonomistët dinë është se kjo politikë çon në rritje të inflacionit dhe punësimi nuk është afatgjatë duke dëmtuar ekonominë, siç ndodhi në vitet 1970 ku pati papunësi të lartë dhe inflacion të lartë.

Çfarë është ekonomia? Është pranimi i faktit se “njerëzimi gjithnjë do të mbetet me dëshira të parealizuara sepse burimet janë të kufizuara.” Në rast se burimet janë të bollshme dhe jo të shterëshme dhe falas atëherë ekonomia nuk ka se çfarë të studiojë. Një ekonomi e mirë mendon sesi këto dëshira të realizohen në mënyrë sa më efikase dhe për të analizuar pasojat e çdo vendimi të ndërmarrë për të gjitha grupet në ekonomi. Ekonomistët vlerësojnë pasojat e veprimit, por jo qëllimin e tyre siç ky shembull me Milton Fridman tregon. Kur ishte në vizitë në Kinë Friedman pyet shoqëruesit e tij kinez se përse nuk përdornin eskavator për të hapur kanalin por lopata dhe shumë punëtor. “A nuk  e sheh se qëllimi ynë nëpërmjet këtij programi është të punësojmë njerëzit” i përgjigjen kinezët. “Unë mendova se synimi ishte të hapnit kanalin. Në rast se punësimi ishte synimi juaj përse nuk i jepni lugë çaji në vend të lopatave?”

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Shtetëror dhe fetar mund të jetë partikulariteti, jo universiteti!

Nga Klementin Mile Ndërsa këto ditë po debatohet intensivisht për Akademinë e...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.