Qetësohuni! Perandoria e ‘like-ve’ zor se mund të tronditet

Nga Mark Skot*

Pas zbulimeve se pothuaj 50 milionë përdoruesve të Facebook në SHBA mund t’u jenë përdorur të dhënat pa dijeninë e tyre, njerëzit nga Kopenhaga në Çikago nxituan që të lënë rrjetin social më të madh në botë. Paçin fat! Qysh prej krijimit të tij në dhomën e konviktit të Mark Zuckerbergut në Harvard, në vitin 2004, gjiganti i mediave sociale e ka shtrirë ndikimin në të gjithë botën digjitale. Tashmë, shtrirja e tij globale e bën pothuaj të pamundur që njerëzit të shkëputen tërësisht nga një perandori online, që e ka bërë Facebook-un një prej kompanive më të pasura dhe me më shumë influencë politike në botë. Eliminimi i aplikacionit të Facebook-ut nga celulari juaj – apo edhe nëse bëni një harakiri në rrjetin social – mund të jetë një lloj katarsisi, për ata të cilëve nuk u pëlqen ideja që fotografitë, mesazhet dhe pëlqimet e tyre personale, të ndahen pa dijeninë e tyre. Dhe për të qenë të sinqertë, Facebook në fakt e ka reduktuar sasinë e informacionit digjital që ndahet me të tretët. Por këta ish-përdorues të Facebook ndoshta duhet të marrin ndonjë këshillë nga kënga “Hotel California” e Eagles: “You can check out of Facebook anytime you like, but you can never leave” (Mund të largoheni kur të doni, por nuk do të mund të largoheni dot kurrë). Kjo, sepse shtrirja globale e kompanisë nuk është më e varur vetëm prej rrjetit social origjinal. Në vitet e fundit, ai ka ndërtuar ose blerë një sërë aplikacionesh të tjera celularësh, duke përfshirë Instagram dhe Facebook, Messenger, të cilët janë bërë pjesë e infrastrukturës digjitale të jetës online të shumë njerëzve. Arsyetimi i kompanisë? Teksa gjithnjë e më shumë njerëz hynin në Facebook (një në tre vetë online sot e përdorin këtë platformë), ajo duhej të diversifikohej në shërbime të tjera, ose përndryshe do të shndërrohej në një lajm të së djeshmes – një rrjet social për gjyshen tënde, jo për ty. “Facebook krijon një marrëdhënie varësie mes platformave të veta”, thotë Anja Bechmann, drejtore e Digital Footprints Research Group në Universitetin e Aarhusit, në Danimarkë. “Nuk mund të shpëtosh pa përdorur një formë apo një tjetër të Facebook-ut”. Kjo strategji ka shpërblyer. Facebook është sot pronar i tre nga dhjetë aplikacioneve më të përdorura, sipas comScore, ofrues i të dhënave. Dhe këto shërbime të tjera digjitale, gjithashtu shfrytëzojnë informacionet digjitale të njerëzve për të furnizuar biznesin e reklamave të kompanisë, duke e bërë të vështirë – në mos të pamundur – për këdo që të shkëputen tërësisht prej perandorisë digjitale të Zuckerbergut. Ndërkohë që rregullatorët evropianë e kanë ndaluar Facebook-un që të mbledhë të dhëna të përdoruesve europianë të WhatsApp-it, një tjetër aplikacion shumë popullor në pronësi të kompanisë, rrjeti social ka vazhduar të shtrijë ndikimin e vet në internet, pasi shpalli kohët e fundit se do të blejë TBH, një rrjet social që përdoret kryesisht nga adoleshentët.

Zuckerberg: “Unë jam përgjegjës”

Eksodusi nga Facebook është i lidhur me akuzat se Cambridge Analytica, një kompani me qendër në Londër e cila ofronte të dhëna për fushatën elektorale të Donald Trump në vitin 2016, mblodhi në mënyrë të paligjshme të dhëna të Facebook, pa miratimin e votuesve. “Kjo është një thirrje për zgjim”, -thotë Anne Helmond, profesore e mediave të reja dhe kulturës digjitale në Universitetin e Amsterdamit. “Kemi qenë shumë naivë që kemi besuar Facebook-un”. Rregullatorët e privatësisë në Mbretërinë e Bashkuar dhe SHBA tani po investigojnë pretendimet, përfshirë edhe ato, nëse Facebook ka dështuar në mbrojtjen e informacioneve digjitale të përdoruesve, duke lejuar kompani të treta që të përdorin rrjetin, për të thithur një thesar të dhënash personale. Të dy kompanitë nuk pranojnë të kenë shkelur ligje. Por Zuckerberg, drejtori ekzekutiv 33-vjeçar i Facebook-ut, tha se gjiganti i rrjeteve sociale kishte detyrë të mbronte informacionin e individëve, shpalli ndryshime në mënyrën si do të mbrohen tani e tutje të dhënat e përdoruesve, dhe me vonesë kërkoi falje për keqpërdorime të mundshme të informacioneve të njerëzve online. “Unë e nisa Facebook-un dhe në fund të ditës, unë jam përgjegjës për atë që ndodh në platformë”, shkruajti ai në një postim në Facebook. Kjo gjoja mea culpa erdhi shumë vonë, për shumë prej 2.2 miliardë përdoruesve të Facebook-ut në të gjithë botën, shumë prej të cilëve (ironikisht) shkruajtën në Facebook dhe Twitter se po e fshinin një herë e mirë llogarinë e tyre. Edhe Brian Acton, bashkëthemelues i WhatsApp, hyri në veprim duke u thënë 33000 ndjekësve të tij në Twitter: “Erdhi koha. Fshijeni Facebook-un”.

Perandoria e “like”-ve

Njerëzit që kanë fshirë llogarinë e Facebook dhe aplikacionin e tij në celular mund të mendojnë që i kanë ikur dorës së zgjatur të kompanisë. Por edhe ata nuk kanë shpëtuar. Si pjesë e objektivit të rrjetit social për t’u bërë i domosdoshëm për zakonet e njerëzve online, rrjeti social vulosi marrëveshje me dhjetëra-miliona faqe interneti në të gjithë botën, për të përfshirë butonin e famshëm “like” të kompanisë në të gjithë Internetin. Objektivi ishte t’ua bënte më të kollajtë njerëzve që të ndanin materiale me miqtë e tyre. Por shumë rregullatorë të privatësisë dhe gjykatës në BE kanë ngritur shqetësime, se këto marrëveshje i mundësojnë gjithashtu Facebook-ut që të mbledhë të dhëna për përdoruesit dhe jopërdoruesit, akuza që kompania i hedh poshtë. Shtrirja e rrjetit social përtej aplikacioneve të veta nuk merr fund këtu. Pothuaj 15 milionë faqe interneti gjithashtu i lejojnë njerëzit të regjistrohen në to përmes të dhënave të llogarive të tyre në Facebook, sipas SimilarTech, një kompani konsulence e marketingut digjital. Kjo e bën kompaninë një sistem identifikimi de facto për një pjesë të madhe të Rrjetit, ndërkohë që e ndihmon të mbledhë të dhëna për veprimtarinë e njerëzve në internet. Dhe që nga 2014, rrjeti social ka krijuar një rrjet digjital shumë fitimprurës reklamash, që zgjeron edhe më tej fushatat ekzistuese të marketingut të kompanisë. Shumë prej reklamave që shihni sot online, janë të ofruara nga Facebook. Afro 1 miliard njerëz në të gjithë botën shohin rregullisht këto reklama të gjeneruara nga Facebook, sa herë që hyjnë në internet, sipas të dhënave të vetë kompanisë. Kjo platformë globale e bën rrjetin social të dytin pas Google, për sasinë e parave që gjeneron çdo vite prej reklamave online. Por kjo nuk do të thotë se gjurma digjitale gjigante e rrjetit social do të zgjasë përgjithmonë. Bota e korporatave është e mbushur me ata që dikur kanë qenë gjigantë, si kodak apo Nokia, që u shndërruan në hije të vetvetes. Dhe që kur zbulimet për të dhënat e njerëzve në Facebook u bënë publike, kompania ka humbur pothuaj 60 miliardë dollarë në vlerë tregu, pasi investitorët nisën të shqetësohen për të ardhmen afatgjatë të saj. Por për politikanët që shfryjnë zemërimin ndaj abuzimeve të Facebook-ut me të dhënat, do të jetë detyrë e vështirë që t’i vënë fre pozicionit të rrjetit social në të gjithë Rrjetin. Ai kalë e ka nisur galopin tashmë. Ne sot jetojmë në botën e facebook-ut.

*Kryekorrespondent për teknologjinë në POLITICO.eu – Në shqip nga Bota.al

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

UET finalizon reformën e menaxhimit, ja ekipi i ri akademik 2018- 2022, rektori Gjuraj për dekretim te Presidenti Meta

Universiteti Europian i Tiranës ka prezantuar dje, në një ceremoni zyrtare, ekipin...
Read More