Qeveri e vogël, hall i madh


Nga Gentian Gaba*

Na ishte një herë parlamenti. Na ishin një herë partitë. Po sot? Sot politika është e liderëve, dhe debati është zhvendosur nga salla e parlamentit në ekranet e televizioneve, në faqet e mediave sociale dhe të portaleve. Me cilat pasoja?

Simbioza midis shtetit dhe partive ka perënduar. Vendin e saj e ka zënë pushteti i liderit, një kthim te politika paramoderne, kur pushteti nuk ishte i ndarë nga subjekti që e zotëronte atë. Televizioni dhe mediat e reja kanë ndryshuar në mënyrë drastike qarkun e pjesëmarrjes dhe identifikimit politik.

Parlamenti dhe partitë janë zbehur dhe këto hapësira kolektive u fituan nga individi. Kemi atë, shefin, udhëheqësin, narcisin, autoreferentin, karizmatikun; një lider që është subjekt dhe objekt i narrativës politike, kampioni absolut i konsensusit, në sondazhe dhe në “like”. Por kjo nuk do të thotë se rrugëtimi i tij është pa pengesa. Nëse dikur partitë përballeshin me njëra-tjetrën në arenën parlamentare, sot lideri, heroi i vetmuar, duhet t’ia dalë mbanë me faktorin M: mediat.

Mediat, që janë origjina e transformimit të madh dhe ndriçojnë liderin me larmishmërinë kromatike të dritave të tyre, për liderin përbëjnë edhe rrezikun kryesor: nga një ditë në tjetrën, për cilëndo arsye, dritat e tyre mund të shuhen, dhe tanimë shtypi, në të gjitha format e tij, ka, kundrejt liderit politik, një rol procedural: sikurse e ndihmuan në ngritje, favorizojnë edhe dekadencën. Simbioza midis shtetit dhe partive u zëvendësua nga ajo midis masmediave dhe lidershipit.

Me pak fjalë, edhe pse fjalori ynë politik është demode, sa që flasim ende për zgjedhje, parti parlamentare, është e qartë se çdo gjë ka ndryshuar. Politika është mbretëria e kalorësve (ose timonierëve) të vetmuar, të cilët shkojnë në betejë me armët e tyre (fytyrën, atletet, tutat, pantallonat kadife, elokuencën dhe hijshmërinë) dhe luftojnë në një duel total njëri kundër tjetrit.

Partia mbijeton, kur ia del, vetëm kur vendoset në shërbim të liderit. Ramës, Bashës, Metës. Këtu te ne janë ata, duelantët. Partitë, formalisht, janë ende midis nesh dhe ende kanë një emër, por a kanë rëndësi?

Kemi është demokracia e liderit, kufij të rinj dhe të panjohur. Një kufi që, pikërisht për këtë, duhet studiuar pasi nuk ka më kuptim të masim politikën e re me mjete të vjetra. Rasti Rama është emblematik.

Ja lideri, burri i vetëm në timon. Forca e tij është komunikimi, arma e tij është aftësia për të thjeshtëzuar mesazhin. Mënyra se si ai flet bëhet më e rëndësishme se çfarë ai thotë. Mënyra se si duket bëhet më e rëndësishme se idetë që shkoqit.

Në këtë neodemokraci triumfon imazhi. Sakaq, politikanë të përgatitur, personazhe alla Majko, Patozi, Vasili, të përgatitur por të dobët në imazh, nuk mbajnë dot hapin. Për të fituar nuk ka rëndësi të qenit i aftë, rëndësi ka të jesh komunikues i madh.

Pasojat? Duhet të dorëzohemi ndaj triumfit të imazhit, të sipërfaqësores, të pamjes që mbizotëron mbi përmbajtjen. Sot imazhi është përmbajtje, dhe për brezat e rinj është normale që të jetë kështu. Por politika, përkundër gjithçkaje, mbetet diçka serioze.

Ku qëndron thembra e Akilit të liderit?

Shefi i madh mediat i mban nën kontroll, në një mënyrë apo tjetrën (i fton për mëngjes në Llogara). Por ka një armik më të vështirë për t’u menaxhuar: vetveten. Lideri, pikërisht sepse i tillë, i nënshtrohet një presioni konstant, qytetarët janë kërkues, shumë kërkues. Ia kërkojnë atij, jo të tjerëve, dhe ai në cilësinë e liderit është i detyruar të përgjigjet. Ja pra thembra e Akilit: populli pretendon gjithmonë më shumë se ai mund të japë. Brenda tij ka një brishtësi e cila është, në këtë kontekst, garancia e vetme që tendencat personaliste të mbeten në suaza demokratike.

Por, le të pyesim veten nëse populli (i cili nuk ndihet më i përfaqësuar, i zhgënjyer dhe i neveritur) nuk shkon më në qendrat e votimit, nëse politika nuk ngjall më një pasion të pastër, nëse demokracia rrezikohet nga oligarkia, nëse debati nuk gjen më hapësira ose është kthyer në teatër, mund të mendojmë që kjo brishtësi është e mjaftueshme, si “Thembër Akili”, për të na mbrojtur nga format e ndryshme të autoritarizmit?

Garanci nuk ka, ajo që mund të themi është se qeveria e vogël e mandatit të dytë është një hall i madh, për Ramën./Mapo.al/

*Msc Shkenca komunikimi

Shkruar Nga
More from Redaksia

Maks Velo: Kur pikturoja nudo në vitin 1963

Për Velon, që e ka lëvruar si në pikturë ashtu edhe në...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.