Qeveria e re, vetëm me 104 agjenci, ja 3 premtimet e mëdha të Ramës

Në mandatin e dytë qeverisës pritet një strukturim rrënjësor i administratës publike, ku veç shkrirjes së disa ministrive do të reduktohet një numër i madh agjencish dhe inspektoratesh. Pritet shkrirja e rreth 40 agjencive shtetërore, bashkimi i tatimeve me doganën dhe riorganizimi i institucioneve që trajtojnë çështjet e pronësisë. Premtohen 220 mijë vende pune, shpërblim çdo fundviti për pensionistët dhe rritja e pagës minimale në 30 mijë lekë.

Administrata e re pritet të reduktohet duke ulur numrin e agjencive, institucioneve në varësi, apo bashkimin e disa të tjerave me qëllim krijimin e një strukture të vogël dhe funksionale. Ky ishte konkluzioni i grupit të punës për ristrukturimin e administratës, i prezantuar dje nga ish-zv.kryeministri Niko Peleshi në mbledhjen e asamblesë së PS.

Sipas këtij raporti rekomandohet krijimi i 104 agjencive nga 141 që janë aktualisht, bashkimi i tatimeve dhe doganave në një institucion të vetëm, bashkimi i të gjitha institucioneve që merren me çështjet e pronësisë si dhe shkrirja e të gjitha institucioneve që kanë deri në 10 punonjës. Për të arritur në këtë konkluzion, grupi i punës, i përbërë nga deputetët Damian Gjiknuri, Lindita Nikolla, Ogerta Manastirliu dhe Bledar Çuçi analizoi 500 institucione si dhe plotësoi një pyetësor me 341 institucione. Po ashtu, janë marrë në konsideratë rekomandimet e Bankës Botërore, OKB, si dhe strukturat qeveritare të 14 shteteve të ndryshme në Europë.

Nisur nga këto të dhëna është konstatuar se Shqipëria ka një numër shumë të madh të institucioneve të varësisë, duke përfshirë edhe degët. Janë 500 institucione varësie, agjenci dhe institucione të ndryshme, të cilat janë të shpërndara në mënyrë jo proporcionale. Për të rritur eficiencën e institucioneve sipas raportit kërkohet një organizim i plotë i të gjitha institucioneve duke rekomanduar një organizim që shmang mbivendosjet e funksioneve ndërmjet institucioneve të ndryshme.

“Si përfundim, nga 141 agjenci dhe institucione varësie të analizuara, ne propozojmë të bëjmë një projekt me 104 agjenci varësie. Ndërkohë kemi shkrirë agjencitë me më pak se 10 persona në staf dhe kemi shmangur apo shkrirë disa institucione që kanë funksione të njëjta apo të ngjashme”, tha ish-zv.kryeministri Niko Peleshi.

Institucionet e varësisë

Raporti rekomandon që në Ministrinë e Financave të bashkohet Drejtoria e Tatimeve me atë të Doganave në një institucion të vetëm që do quhet Agjencia Kombëtare e të Ardhurave. Në Ministrinë e Bujqësisë propozohet shkrirja e drejtorive të Bujqësisë dhe kalimin e funksioneve veterinare që këto drejtori kanë tek AKU, ndërsa statistikat pranë bashkive.

Në Ministrinë e Shëndetësisë, rekomandohet krijimi i 4 agjencive të Përkujdesit Rajonal përkundrejt 11 drejtorive si dhe autoriteteve rajonale shëndetësore që kemi sot. Te Ministria e Brendshme propozohet ngritja e Agjencisë së Mbrojtjes Civile, e cila përfshin edhe Drejtorinë e Rezervave Materiale dhe Emergjencat Civile. Për sa i përket Ministrisë së Mirëqenies Sociale, propozohet kalimi nga 12 drejtori të shërbimit social shëndetësor në 4 drejtori për 4 rajone.

Në Ministrinë e Arsimit propozohet ngritja e Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar, e cila bashkon funksionet e 2 institucioneve, atë të Institutit të Zhvillimit të Arsimit dhe Inspektoratit të Arsimit. Ndërkohë në nivel vendor propozohet kalimi në nivel rajonal i drejtorive arsimore: Në vend të 13 drejtorive arsimore të kalohet në 4 drejtori të Sigurimit të Arsimit Parauniversitar.

Te Ministria e Zhvillimit Urban propozohet shkrirja e Entit të Banesave, duke qenë se enti është një funksion i bashkive. Ndërkohë ALUIZNI do të integrohet në Drejtorinë e Hipotekës. Ndërsa në Ministrinë e Mjedisit rekomandohet krijimi i Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, e cila do të bashkohet me Agjencinë për Zonat e Mbrojtura, pasi në thelb të dyja këto agjenci kanë funksione që mbivendosen.

Çështja e pronave

Zgjidhja e çështjes së pronave është një çështje kryesore për të cilën propozohet dhe kërkohet një ndërhyrje radikale. Nisur nga fakti që Shqipëria nuk ka patur asnjëherë një regjistër kadastral të pasurive, çka ka sjellë tjetërsim të pronave, sipas Peleshit kërkohet një reformë rrënjësore i të gjitha institucioneve që trajtojnë çështjet e pronësisë.

“Nuk mjafton vetëm ligji, por një kuadër i ri institucional që kemi ngritur për kthimin dhe kompensimin e pronës. Tani duhet një trajtim i pronës më integral”, -tha Peleshi. Sipas tij aktualisht janë rreth 12 institucione që lëshojnë tituj pronësie. Por me krijimin e strukturës synohet krijimi dhe përfundimi i një regjistri fillestar, sistematik, kombëtar të pronës së paluajtshme.

Kjo strukturë parashikon ndërtimin e një regjistri elektronik të pasurive të paluajtshme për pronat në fshat, për regjistrimin e pasurive pas vitit 1991, si dhe ndërtimin e një sistemi digjitalizimi të pasurive të paluajtshme përfshirë hartografinë sipas standardeve europiane. Sipas tij, jo vetëm që ka shumë institucione që lëshojnë shumë tituj pronësie, por shumë prej tyre ose të gjitha përdorin hartat e tyre.

Pra, nuk ka një hartë të unifikuar dhe ky është shkaku kryesor pse gjenerohen kaq shumë mbivendosje prone, përplasje, të cilat nuk janë mbivendosje terreni por janë mbivendosje letrash dhe hartash të institucioneve tona. Me legjislacionin e ri që është miratuar në qeverinë e kaluar, kjo çështje brenda dhjetë vjetësh do të marrë fund.

Shpërblim për pensionistët

Nisur nga dëgjesat publike të Kryeministrit në të gjitha qarqet e vendit, grupi i punës i kryesuar nga ministrja e Ekonomisë Milva Ekonomi ka rinisur një sërë prioritetesh që pritet t’iu vijnë sado pak në ndihmë shtresave në nevojë. Rritja e numrit të vendeve të punës është një nga prioritetet kryesore dhe premtimet e fushatës elektorale të Partisë Socialiste. Sipas raportit të Ekonomit, qeveria angazhohet që brenda këtij mandati do të hapë 220 mijë vende të reja pune.

Ky premtim shoqërohet me një tjetër prioritet të qeverisë që prej një pjese të madhe të popullsisë, kryesisht ata që punojnë me pagë minimale. Sipas Ekonomit, qeveria do të rrisë pagën minimale në 30 mijë lekë në muaj nga 22 mijë lekë që është aktualisht.

Ndihma për pensionistët është një tjetër premtim që vjen në raportin e dëgjesave me qytetarët, pasi qeveria parashikon një shpërblim çdo fundviti për të gjithë pensionistët. “Do të konsiderojmë paketën e solidaritetit për ata që janë pensionistë duke dhënë 7-10 mijë lekë në vit për çdo pensionist në fundvit”, -tha Ekonomi.

Sipas saj problemet më shqetësuese mbeten legalizimet, hipotekimet dhe emergjencat. Shqetësimet me karakter social janë më të larta në qarkun e Gjirokastrës, sepse ka shumë banorë të moshës së tretë; në Durrës sepse ka shumë të ardhur nga zonat verilindore; në Berat dhe në Vlorë ku ka nevojë për qendra sociale për komunitetet në nevojë. Ndërsa shqetësimet ekonomike janë më të mëdha në Vlorë, Shkodër dhe Berat; por të gjitha qarqet kanë nevojë për më shumë tregje për grumbullimin e produkteve bujqësore dhe për shtimin e produkteve turistike në rang vendi.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Veliaj: Fokusi në dy vitet e ardhshme të mandatit do të jenë Kodër Kamza, Fresku, Astiri, Unaza e Re dhe Yzberishti

Nis zgjerimi me 17 klasa të reja i shkollës 9-vjeçare “Isa Boletini”,...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.