Qeveria e rrugës së tretë, pro biznes e Edi Ramës

Nga Ervis Iljazaj

Edi Rama ka zhvilluar një takim me sipërmarrësit më të rëndësishëm të ekonomisë shqiptare, ku i ka ftuar të bashkëpunojnë me luftën kundër korrupsionit dhe lehtësimit të procedurave administrative.

Një gjë është e sigurt, që Edi Rama nuk ka rrugë tjetër përveçse të fokusohet tek ekonomia në këtë mandat, pasi mbylli të parin nën shenjën e reformizimit dhe të rregullimit, apo siç njihet ndryshe “të të bërit shtet”. Me sa duket, shenjat e para janë që kursi politik i Ramës do të ndryshojë.

Në mandatin e parë, qeveria Rama mori një seri reformash të cilat kishin synim formalizimin e disa sektorëve të rëndësishëm të ekonomisë dhe forcimin e shtetit ligjor. Është normale, kur ka rregullim të ekonomisë të ketë dhe një tkurrje të saj. Andaj, në fillimet e mandatit të dytë, objektivi është për të nxitur ekonominë dhe për t’i dhënë asaj një frymëmarrje nëpërmjet uljeve të disa taksave që tashmë janë bërë të ditura si dhe lehtësimit të procedurave administrative.

Është e qartë tashmë që qeveria Rama 2 ka një filozofi tjetër në raport me sipërmarrjen. Një raport i cili bazohet te një ideologji tërësisht e kundërt nga socializmi klasik që ka përfaqësuar kjo parti deri më tani.

Në këtë kuptim, ata që mendojnë se Rama është duke zhvilluar politika fiskale apo mbështetje për sipërmarrësit në kundërshti me ideologjinë e socializmit klasik, duhet të kuptojnë që, Partia Socialiste me atë në krye, është tashmë e reformuar rrënjësisht, drejt një liberalizmi të majtë që ka në fokus rëndësinë e lirisë dhe konkurrencës si e vetmja mundësi për të zhvilluar ekonominë shqiptare dhe, si pasojë e saj, solidaritet nëpërmjet politikave sociale.

Këtë lloj marrëdhënie të re ideologjike që ka tashmë kjo qeveri me sipërmarrjen është e dukshme që nga shenjat e para të saj dhe mendësia me të cilën u formua.

Asnjëherë më parë, Shqipëria nuk ka patur një qeveri kaq të vogël. Në këtë mënyrë krijohet ideja i një shteti të vogël, i cili është një nga tiparet kryesore të liberalizmit politik dhe ekonomik.

Po ashtu reformimi i administratës, e cila deri më tani ka patur një numër drejtorish dhe agjencish që shërbenin vetëm për punësime partiake dhe harxhonin paratë e taksapaguesve shqiptarë. Numri i tyre është reduktuar në mënyrë të ndjeshme, duke krijuar lehtësi procedurale për të gjithë shërbimet që shteti shqiptarë ka për detyrë ndaj shoqërisë. Kështu ndërhyrja e tij burokratike do të ndihet më pak në ekonomi dhe shoqëri duke i dhënë frymëmarrje iniciativës së lirë nëpërmjet derregullimit, pra një lehtësim për shoqërinë dhe ekonominë në raport me pushtetin.

Shqipëria do të ketë një ministri posaçërisht për sipërmarrjen, duke i kushtuar kështu një vëmendje të veçantë domosdoshmërive të biznesit si një nga aktorët kryesorë të zhvillimit ekonomik. Kjo ministri, në një farë mënyre i jep kujdesin e duhur iniciativës së lirë ekonomike nëpërmjet një ure komunikimi me pushtetin politik.

Në qeverinë e re të Ramës, nuk ekziston më ministria e çështjeve sociale. Mund të konsiderohet si një mangësi, por edhe ky fakt tregon edhe njëherë filozofinë politike të Ramës. Një filozofi e cila nuk kërkon të ketë shtetin si zgjidhjen kryesore të problemeve ekonomike dhe shoqërore shqiptare, por ta kthejë atë vetëm si një rregullator dhe jo si iniciues të tyre. Shteti social do të vazhdojë të ekzistojë, por dimensioni i tij do të marrë, ose më së paku duket sikur do të marrë një drejtim ndryshe.

Për të gjitha këto arsye nuk është çudi që Rama ka një vëmendje të posaçme ndaj biznesit shqiptar në këtë mandat të dytë të tij. Të gjitha këto iniciativa janë për t’u përshëndetur, pasi, nëse ka një gjë që ka vuajtur Shqipëria në këto vite të tranzicionit është pikërisht paragjykimi ndaj biznesit, ku në të vërtetë është sektori që ka arritje të padiskutueshme në raport me çdo sektor tjetër të vendit.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Fushata pas fushatës: Pse i duhet Edi Ramës aksioni pas fitores

Fushata e çuditshme e bashkëqeverisjes me popullin pas fitores së zgjedhjeve dhe...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.