Qeveria mblidhet në Vlorë. Takim dyditor për mandatin e ri


Një ditë pasi Edi Rama bëri publikë emrat e kabinetit të ri qeverisës, ashtu si katër vite më parë, ata janë mbledhur në një takim jozyrtar në Vlorë.

Mësohet se takimi, i cili është parashikuar të zgjasë dy ditë, është thirrur nga vetë kryeministri Rama dhe veç ministrave të rinj në të do të jenë të pranishëm dhe Gramoz Ruçi, emri i propozuar për kryetar Parlamenti dhe Taluant Balla, i propozuari për kryetar të grupit parlamentar të Partisë Socialiste.

Top Channel mëson se në këtë mbledhje do të diskutohet mbi skemën e re qeverisëse dhe funksionimin e ministrive të krijuara rishtazi, përbërjen dhe drejtimin e komisioneve parlamentare, si dhe ristrukturimin e Partisë Socialiste në të gjitha degët.

Por kur do të nisë punën qeveria e re? Referuar Kushtetutës së Shqipërisë, e më konkretisht neni 67, “Presidenti i Republikës mbledh Kuvendin e porsazgjedhur jo më parë se data e përfundimit të mandatit të Kuvendit paraardhës, por jo më vonë se 10 ditë pas mbarimit të këtij mandati”.

Pra, seanca e parë e Paralmentit të ardhshëm do të jetë brenda periudhës 9-19 shtator. Por Kushtetuta parashikon dhe një hap nëse presidenti nuk e ushtron këtë kompetencë, duke i dhënë të drejtë Kuvendit të mblidhet në ditën e fundit të parashikuar nga afati kushtetues, pra datën 19 shtator.

Pas dekretimit të datës së seancës së parë, partia që ka fituar shumicën në Parlament, në këtë rast Partia Socialiste, i drejtohet zyrtarisht presidentit të Republikës, duke i paraqitur kandidaturën për kryeministër të ardhshëm Edi Ramën.

Pas kësaj, në një takim në Presidencë, Meta mandaton Ramën për të formuar qeverinë e re, e cila fillimisht duhet të dekretohet pikërisht nga kreu i shtetit, më pas votohet në Parlament e në fund betohet përpara presidentit, në mënyrë që ministrat të nisin zyrtarisht detyrën e tyre.

Sipas afateve kushtetuese dhe duke përjashtuar çdo të papritur gjatë këtij procesi dekretimi, votimi e betimi, Shqipëria do të ketë qeverinë e re në detyrë përpara fundit të muajit shtator.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Heidi Klum në Meksikë me të dashurin shumë më të ri se vetja..

  Të dielën, 44 vjeçarja Heidi Klum është fotografuar topless në krah...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.