Qeveria nuk korruptohet thjesht nga pushteti i madh, por nga frika e humbjes së pushtetit


Nga Fitim Zekthi – 
Gjithë historia e njerëzimit ka treguar se pushteti ka prirjen të korruptojë. Sa më i madh pushteti, aq më e madhe kjo prirje. Studiues të shumtë të filozofisë politike por edhe të lëmive të tjera të njohjes, i kanë dhënë njeriut një literaturë jashtëzakonisht të pasur mbi natyrën e pushtetit dhe mënyrat si ai korrupton. Nën këtë këndvështrim, në botën perëndimore është ndërtuar një traditë e admirueshme e kufizimit të pushtetit, si mjet i domosdoshëm në mpakjen e flakëve shkrumbuese të korrupsionit. Vende si Shqipëria, duket se e kanë të pamundur ta bëjnë pjesë të ndërgjegjes së tyre politike kufizimin e pushtetit.

Në të kundërt, etja për të rritet paprerë. Edhe sot, zjarri flakërues i një lufte ekstreme për rritje pushteti, për marrje kompetencash, për rritje të pasurisë, për dominim, djeg që nga mesi i parlamentit dhe qeverisë, deri në çdo kthinë ku mbërrin nxehtësia e tij. Edhe çështja e caktimit të Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme u shty përpara jo për shkak të ndonjë vokacioni për të respektuar ligjin apo kushtetutën, as nga dëshira për të mbrojtur Reformën në Drejtësi prej kryeministrit Rama dhe qeverisë së tij.

Thjesht u mor një pushtet. Në të vërtetë nuk është pushteti ai që korrupton. Fituesja e çmimit Nobel, dikur një lidere e burgosur e opozitës, Suu Kyi, në një fjalim monumental që dërgoi të shkruar në Stokholm (nuk mund të merrte pjesë në ceremoninë e dhënies së çmimit Nobel pasi ishte në arrest shtëpie) thotë se nuk korrupton pushteti, por frika e humbjes së tij nga ata që e kanë atë dhe frika e ndëshkimit nga pushteti e atyre që janë subjekt i tij.

Ndoshta Shqipëria ka hyrë pikërisht në këtë fazë dhe kjo është shtysa më madhore që ndikon vendimmarrjen e politikës sot sidomos në lidhje me prokurorinë dhe me gjykatat. Pra, ata korruptohen, bëjnë veprime antikushtetuese, marrin pushtete të tjera jo pse pushteti në vetvete korrupton. Korrupsioni shfaqet në katër lloje thotë Suu Kii.

Së pari, është korrupsioni i mëkuar nga dëshira për të jetuar më mirë vetë me njerëzit e afërt dhe si pasojë, njeriu vihet në ndjekje të ryshfetit.

Së dyti, korrupsioni që të fut në veprime të poshtra për shkak se kërkon t`i bësh keq dikujt.

I treti është korrupsioni për shkak të injorancës dhe më kryesori korrupsioni që vjen nga humbja e plotë e sensit të së mirës dhe të keqes, ai që shkatërron çdo kuptim mbi të mirën dhe të keqen.

Lloji i katërt është arsye edhe për të tre të tjerët. Këto forma të korrupsionit janë të njohura gjerësisht dhe ka kudo studime të gjera mbi praninë e këtyre formave në shumë vende. Pra, frika e humbjes së pushtetit është një forcë e jashtëzakonshme korruptuese, një forcë që vendos në qendër mbajtjen e pushtetit dhe gjithçka tjetër e sheh si funksion ose zgjatim të saj.

Kjo frikë e humbjes së pushtetit dhe e ndëshkimit ka bërë që për vite me radhë vendi të mos ketë gjykata të liria, të mos ketë prokurori që zhyt në burg njerëzit e pambrojtur dhe nuk prek ata të fuqishmit.

Po kështu, kjo frikë e humbjes së pushtetit ndërton gjithë veprimin politik të qeverisë, e cila orientohet nga denigrimi i opozitës dhe zgjerimi i vetë pushtetit.

Kjo forcë madhore e detyron shumicën të hartojë ligje që zbehin pushtetin e presidentit, që ndryshojnë ligje me akte normative dhe zhbëjnë konsensusin politik. Është frika nga humbja e pushtetit ajo që bën shkarkimin e të gjithë oficerëve të lartë të policisë dhe zëvendësimin e tyre menjëherë me oficerë të tjerë.

Frika e humbjes së pushtetit çoi në mbjelljen e Shqipërisë me hashash. Është frika e humbjes së pushtetit që e bën qeverinë dhe kryeministrin të flasë me orë të tëra përditë në përpjekje të përkufizojë realitetin.

Ishte frika e humbjes së pushtetit që çoi shumicën e djeshme në zgjedhjen e një presidenti të njëanshëm pesë vite më parë apo në sulmet ndaj Prokurores së Përgjithshme, apo në betejën pa fund për moshapjen e kutive në vitin 2009.

Edhe frika e ndëshkimit nga pushteti është po ashtu një forcë madhore korruptuese. Duke qenë se pushteti mbahet me korrupsion, atëherë edhe frika nga ndëshkimi është shumë e madhe, për shkak të sulmeve personale.

Kuptimi mbi të mirën dhe të keqen është i paqenë, në gjithë sa ndodh në aulën e madhe të politikës së vendit. Tradita jonë që vjen nga komunizmi, ngjizi përdhunshëm pushtetin si vlerë të epërme, (partinë) shtetin si burim të dijes dhe të fuqisë.

Kufizimi i pushtetit nuk ishte një mundësi. Lufta për pushtetin qëndronte mbi eshtra dhe gjak, intriga dhe vrasje, pandershmëri e plotë. Kësaj tradite vjen dhe i mbivendoset përpjekja për të ndërtuar një vend ku, pushteti dhe shteti nuk shihen si e vërtetë absolute dhe as si fuqi të pakufizueshme.

Jemi përballë një alkimie shumë të çuditshme kulturore, ku disa elemente mjaft të forta vijnë nga tradita politike diktatoriale dhe disa të tjerë nga morali relativist i sotëm. Kjo alkimi rrezikon të zhbëjë indet e shoqërisë sonë.

Alber Kamy përshkruan në mënyrë të jashtëzakonshme te personazhi i Meursault-së (I Huaji) mungesën e sensit të së mirës dhe së keqes. Sipas Harry Jaffa, një filozof i njohur amerikan, ky libër së bashku me “Krim dhe Ndëshkim” të Dostojevskit dhe “Makbethin” e Shekspirit, janë veprat më domethënëse letrare që trajtojnë moralin dhe marrëdhënien me politikën.

Ndërgjegjja e Meursault është plotësisht e korruptuar, megjithatë njerëzit e pëlqejnë atë si personazh. Me anë të këtij libri, njerëzit shtyhen të admirojnë Meursault-in, thotë Jaffa. Çfarë është Meursault?

Ai është krejt indiferent ndaj moralit dhe nuk i kupton fare të tjerët që i kërkojnë t`i dojë njerëzit. Ai vret një njeri dhe dënohet me vdekje, pjesërisht edhe pse nuk qan në varrimin e nënës së tij. Meursault mendon se askush nuk ka të drejtë të presë që ai të qajë në varrimin e nënës.

Sipas Meursault-së, nuk ka asgjë në univers që mund ta duash. Indiferenca e universit është e vetmja formë e mirë, e vetmja formë mirësie dhe njerëzit duhet të sillen në këtë mënyrë, si edhe universi. Duke imituar universin, pra duke qenë indiferentë ndaj të mirës dhe keqes, atëherë njerëzit jetojnë në nivelin më të lartë.

Në një farë mënyre, lufta politike në Shqipëri dhe shkalla e korrupsionit janë dëshmi se kjo indiferencë Meursault-iane ka zënë vend. Shoqëria po ashtu, në mjaft kuptime është kapluar nga kjo indiferencë morale. Qeveria, pushteti politik është i tëri i kontrolluar nga frika e humbjes së pushtetit dhe nga frika e ndëshkimit nga pushteti i atyre që janë subjekt i tij.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Rama largohet nga Kuvendi me mbrojtje speciale, Duma-protesuesve: Salla është e juaja

Një nga tymueset e hedhur në sallën e Kuvendit iu drejtua kryeministrit...
Read More