Qeveria premton dëmshpërblim për të dëmtuarit

Kryeministri Edi Rama ka premtuar dje se qeveria do të zhdëmtojë të gjitha familjet e prekura nga përmbytjet e ditëve të fundit.

Gjatë mbledhjes së Komitetit të Koordinimit dhe Menaxhimit të Emergjencave Civile, Rama kërkoi nga ministrat dhe nga organet e tyre që të angazhohen me seriozitetin maksimal për të bërë gati faturën e dëmeve, dhe më pas për të nisur sa më parë procesin e kompensimit e familjeve që janë dëmtuar nga reshjet e dëmtuara të shiut e që sollën përmbytje në disa zona të vendit.

Rama ka kërkuar që të bëhet kujdes i veçantë që të mos mbeten jashtë kësaj liste familjet në nevojë.

“Tani duhet të fokusohemi paralelisht tek identifikimi një për një i të gjitha dëmeve dhe inventarizimi një për një i të gjitha pasojave. Duke renditur në radhë të parë banesat, pastaj rrugët, urat, nuk diskutohet për shkollat që janë prekur dhe që duhet ndërhyrë menjëherë për të bërë të mundur që më- simi të nisë sa më parë.

Fatura e zhdëmtimeve dhe kompensimeve duhet të përgatitet me transparencën më të madhe dhe me seriozitetin më të plotë në mënyrë që askush nga njerëzit e prekur dhe në radhë të parë nga familjet në nevojë të mos mbetet jashtë listës”,- ka deklaruar dje Kryeministri.

INFRASTRUKTURA

Më tej, Rama ka cilësuar si prioritet dhe rehabilitimin e infrastrukturës rrugore, e cila duhet të shoqërohet me një plan masash. Për kreun e qeverisë, angazhimi duhet të jetë dhe në planin afatgjatë, pasi fenomeni i përmbytjeve po ndodh çdo dy vjet, ndaj sipas tij duhet të merren masa parandaluese.

“Planet për rivendosjen e situatës normale të infrastrukturës duhen përgatitur me shpejtësi, e di që, ndërkohë, ministri i Infrastrukturës ka dhënë udhëzimin qysh ditën e djeshme për ekspertët e ministrisë, që jo vetëm të regjistrojnë pasojat në infrastrukturë, por të fillojnë menjëherë një plan masash që sapo të kalojë kriza, të kenë mundësi që të fillojnë me rehabilitimet.

Nga ana tjetër duhet të përgatisim dhe analizat në nivel qarku dhe nivel kombëtar për të avancuar më tutje me një program të qartë, që është në fakt vijimi i punës nisur dy vjet më parë dhe plotësimi i nevojave në të gjitha aspektet sepse këto përmbytje nuk janë njëherë në 100 vjet, por tani, mesa duket, janë pjesë e jetës sonë të përvitshme apo përdy-trevitshme, duke parë dhe kushtet e përgjithshme klimaterike të vendit por dhe të rajonit dhe të kontinentit dhe botës që ka shumë sfida me fatkeqësitë natyrore”,- ka thënë ai.

DËBORA

Përkeqësimi i kushteve meteorologjike kryesisht në veri-lindje të vendit, ku pritet të fillojë dëbora dhe ngrica, për Kryeministrin duhet të jetë në fokus të komunitetit të Emergjencave Civile. Rama tha se duhet të jenë në gatishmëri kontraktorët që mirëmbajnë akset rrugore, duke përgatitur masat për zhbllokimin e tyre.

“Sipas parashikimeve, do të ketë reshtje dëbore në zonën verilindore të vendit dhe për këtë dua ta përsëris, kontraktorët duhet të garantojnë që të hidhet kripa në akset rrugore që mund të preken nga dëbore, ashtu siç parashihet në kontrata dhe të mos shkojnë pas dëborës, por të kemi një masë të thjeshtë parandaluese për pasigurinë që shoqëron rënia dëborës në kushtet kur s’ka asnjë masë të kësaj natyre. Në të gjitha aspektet këto kontrata të reja të mbështetura në standarde të reja të monitorohen sepse këto janë momentet e provës së zjarrit për kontratat dhe për kontraktorët që janë angazhuar”,- ka thënë Rama.

Shkruar Nga
More from Revista User

Librat që mund të lexojmë para gjumit

Gjithë çfarë duam pas një dite të lodhshme, është shtrati dhe komoditeti...
Read More