Qeveria “Rama 2”, ministrat interpelancë me qytetarët

Qeveria, grupi parlamentar dhe PS do të nënshkruajnë një marrëveshje mirëkuptimi për bashkëqeverisje. Sipas saj qeveria do mblidhet një herë në vit në çdo qark, ministrat duhet të shkojnë të qëndrojnë në bazë. Rama zgjodhi Sajmir Tahirin si koordinator kombëtar për bashkëqeverisjen me qytetarët 

Janë pjesë e së njëjtës mazhorancës, por qeveria, grupi parlamentar socialist dhe vet Partia Socialiste do të nënshkruajnë një marrëveshje mirëkuptimi.

Një praktikë e re kjo për këtë mandat të dytë të socialistëve në pushtet dhe që kërkon të forcojë marrëdhëniet mes këtyre tre pjesëve të të njëjtit ekip. Ishte vet kryeministri, Edi Rama ai që bëri të ditur këtë lajm pas mbledhjes së kryesisë që mbajti punimet dje në orët e para të ditës, duke folur para grupit parlamentar, ku dhe u bënë të ditura emrat që do të plotësojnë kupolën drejtuese të strukturave parlamentare.

Rama theksoi se mes qeverisë-grupit dhe partisë do të firmoset një marrëveshje për të forcuar bindjen, së pari se në ndarjen e pushtetit brenda PS-së nuk ka të diferencuar, dhe së dyti për të rrënjosur tek çdo përfaqësues socialistë në grupin parlamentar se ata nuk janë formalisht në ato pozicione, por se kanë në dorë një fuqi të madhe bashkëqeverisje.

Marrëveshja për bashkëqeverisjen do të firmoset mes kryetarit të grupit parlamentar të PS, Taulant Balla në emër të deputetëve, Sekretarit të Përgjithshëm të PS Gramoz Ruçi në emër të partisë dhe të gjithë anëtarëve të kabinetit qeveritar.

“Në mbledhjen e ardhshme do të firmosim marrëveshjen e mirëkuptimit mes grupit dhe qeverisë. Kjo marrëveshje do i shpërndahet të gjithë deputetëve. Është një marrëveshje që sanksionon rregullat e bashkëpunimit dhe ndërveprimit mes qeverisë, grupit dhe PS, si tre pjesë të pandashme të të njëjtit ekip. Marrëveshja përmban gjithçka na duhet për të pasur një fuqi qeverisëse si asnjëherë më pare”,- tha Rama.

Ai theksoi se marrëveshja përcakton në mënyrë të qartë se drejtuesit e grupit parlamentar dhe të komisioneve nuk janë në këto pozicione në mënyrë fiktive, por se ata me funksionet dhe detyrat specifike që kanë duhet të ndihen pjesë e qeverisjes.

“Lidershipi i grupit, nuk është formal, por është pjesë e ekipit qeverisës dhe po ashtu me detyra të përcaktuara për çdo nënkryetar grupi për të garantuar sinergji. Jemi një parti. Jemi një fuqi. Nuk  jemi të ndarë në shtresa. Shtresa e lartë në qeveri, shtresa e mesme në kuvend dhe shtresa e ulët, atje larg për të cilët kujtohemi vetëm kur ka zgjedhje” – deklaroi Rama.

Qeveria në çdo qark

Kryeministri Rama njoftoi se në marrëveshjen që do firmoset mes grupit-partisë dhe qeverisë është parashikuar që qeveria të mblidhet brenda një viti nga një herë në çdo qark, për t’u njohur me problemet e njerëzve.

“Qeveria gjatë një viti politik do të mblidhet nga një herë në çdo qark, jo për mbledhje simbolike, por për t’u spostuar dhe për qëndruar më shumë sesa mbledhja, por për të kaluar kohë dhe për të punuar me deputetët për të thirrur drejtuesit e institucioneve, për t’u ulur me kryetarët e bashkive të majtë dhe të djathtë dhe me njerëzit për problemet”, – u shpreh kryeministri Rama.

Një formë e re qeverisje me anë të së cilës Rama kërkon që të zbusë në radhë të parë diferencat që krijohen mes ministrave dhe elektoratit, por pse jo dhe me vet deputetët.

Shpesh herë gjatë legjislaturës së shkuar elektorati dhe deputetë të caktuar të mazhorancës u ankuan edhe publikisht për një lloj arrogance të ministrave, të cilët nuk i ngrinin më as telefonat.

Ndaj për zbutur këto lloj diferencash, por edhe për të krijuar mundësi komunikimi, në këtë marrëveshje Rama paralajmëroi se do të përfshihet edhe një pikë tjetër që do të detyrojë ministrin që një ditë në një muaj duhet të qëndrojë në një qark të caktuar dhe kjo pikërisht për tu njohur me problematikën, por për tu përgjigjur para anëtarësisë por edhe institucioneve të tjera për zgjidhjen e problemeve apo çështjeve të ndryshme që shqetësojnë komunitetin.

“Çdo ministër gjatë një viti parlamentar duhet të qëndrojë një herë në muaj në një qark, e domosdoshme”, – shtoi Rama.

Jo vetëm kaq por mazhoranca e re kërkon që ti krijojë mundësi jo vetëm deputetëve, por edhe qytetarëve që të thërrasin në interpelancë kryeministrin dhe ministrat.

“Njerëzit e zakonshëm kanë të drejtë të thërrasin në interpelancë ministrin apo kryeministrin. Kryetarët e zgjedhur sot janë edhe zëdhënësit tuaj pranë qeverisë për çdo aspekt dhe problem, përveç mekanizmave që do të përcaktojë marrëveshja”, – u shpreh Rama.

Gjithsesi ai nuk bëri të ditur se cilat do të jenë këto mekanizma që do të mundësojnë që kryeministri apo ministrat të thërriten në një interpelancë, përveç asaj që ata nëpërmjet deputetit apo zyrës së të zgjedhurit në qark mund të kërkojnë që një ministër apo vet kryeministri të vij në zonën e tyre për të dhënë shpjegime për një çështje të caktuar.

Kujtojmë se me propozim të PS-së pritet që zyrat aktuale të deputetit të riorganizohen dhe ato do të funksionojnë si zyra pritje për qytetarët në një në çdo qark.

Tahiri koordinator

Për ti dhënë gjithë këtij riorganizimi të ri një rëndësi më të madhe, kryesia e Partisë Socialiste ka zgjedhur dje ish-ministrin e Brendshëm, Sajmir Tahiri në një pozicion që do të koordinojë gjithë këtë proces bashkëqeverisje me qytetarët.

Ishte vet Rama ai që bëri të ditur lajmin dje edhe për deputetët e tij, duke theksuar se ai do të merret direkt me raportin mes qeverisë dhe qytetarëve.

“Ndërtimi me shpejtësi, qëndrueshmëri, efikasitet i koalicionit me njerëzit do të fillojë menjëherë punën në terren, duke emëruar një koordinator kombëtar për bashkëqeverisjen që do të jetë Sajmir Tahiri. Njerëzit duan shërbim, pastrim të gjithë parazitëve nga administrata” – deklaroi Rama.

Ndërkohë që për të bërë edhe më të lehtë këtë lloj marrëdhënie të re dhe vet punën e Tahirit si koordinator të bashkëqeverisjes me njerëzit, Rama bëri të ditur se shumë shpejt do të shpallet dhe platforma elektronike që do të mundësojë identifikimin dhe zgjidhjen e problematikave të caktuara që kanë qytetarët.

“Platforma që do të shpallim publikisht pas pak ditësh nuk do të jetë një faqe e radhës, por do të jetë mekanizëm i gjallë njerëzish”, – shtoi kryeministri.

Në fakt pozicioni që i ofrohet sot Tahirit ka një rëndësi të madhe pasi ai do të ketë të drejtë që t’i kërkojë llogari ministrave për çështje të ndryshme, përfshi këtu edhe punësimin, investimet etj.

Një pozicion i tillë mund të jetë i ri për PS-në si emërtim konkret, por jo si funksion. Më parë PS ka patur Tauland Ballën si koordinator për punësimet dhe Ilir Beqjen si koordinator kombëtar për programin dhe qeverisjen.

Grupi

Ndërkohë që pas përfundimit të mbledhjes, kryesisë i janë bashkuar edhe anëtarët e grupit parlamentar për të zhvilluar po ashtu një mbledhje të përbashkët, ku dhe kryetari i grupit, Tauland Balla bëri të ditur dhe vendimet për përcaktimin e emrave që do të drejtojnë strukturat parlamentare që nga posti i nënkryetarit të Kuvendit te kryetarët dhe nënkryetarët e komisioneve të përhershme parlamentare. Kështu në postin e nënkryetarit të parlamentit dhe që do zëvendësojë Ruçin kur ky i fundit mungon u zgjodh, Vasilika Hysi.

Ndërkohë që veç saj u zgjidhën dhe 4 nënkryetarët e grupit dhe ata janë: Evis Kushi, Elisa Sporali, Vilma Bello dhe Ilir Beqaj, ndërkohë që Ervin Bushati u zgjodh sekretar i grupit. Sa i përket komisioneve, kryesia e PS-së zgjodhi Ulsi Manjën kryetar të Komisionit të Ligjeve, Mimi Kodheli kryetare të Komisioni i Jashtëm, Erion Braçe kryetar i Komisionit të Ekonomisë, Ermonela Felaj kryetare të Komisionit të Sigurisë, Eduard Shalsi kryetar i Komisionit të Veprimtarive Prodhuese. Gjithashtu kryesia zgjidhi dhe emrat për nënkryetarë aty ku drejton opozita.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Shqiptarët lexojnë pak?! Tragjedia është se lexojnë më shumë se dje

Nga Klementin Mile Është krijuar ideja se shumica e shqiptarëve nuk lexojnë...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.