Qeveria “Rama 2”, ministrat nuk dorëzojnë mandatet e deputetit


Rama ka vendosur të mos aplikojë në këtë mandat të dytë të qeverisjes së tij standardin e papajtueshmërisë së mandatit të deputetit me atë të ministrit. Ministrat e rinj pritet të mos e dorëzojnë mandatin. Shkak është se në 4 vitet e shkuara ky standard nuk solli asnjë rezultat pozitiv, përkundrazi në shumë raste solli situata qesharake

Një nga gabimet që Edi Rama si kryeministër i vendit nuk do përsërisë në këtë mandat të dytë është edhe detyrimi i ministrave që të lënë mandatin e deputetit. Ndryshe nga 4 vite më parë, ku ky veprim ishte propaganduar para zgjedhjeve të 2013 si një nga risitë që do sillte e majta në pushtet, në këtë mandat të dytë ai është lënë në harresë. Ministrat e rinj nuk do t’i lënë mandatet. Kjo pasi eksperimenti i 4 viteve të mandatit të parë qeverisës rezultoi më shumë se i dështuar, kjo pasi jo vetëm që nuk solli ndonjë rezultat më të lartë nga ministrat, por nga ana tjetër solli dhe një situatë qesharake në parlament, ku shumë emra anonimë “ngrohën” karrigen e deputetit për disa vite me radhë, duke mos dhënë asnjë kontribut të prekshëm qoftë në jetën parlamentare, ashtu edhe në atë të përfaqësimit të qytetarëve në parlament.

Burime nga Partia Socialiste kanë konfirmuar se të zgjedhurit e rinj për të qenë pjesë e qeverisë së re dhe që janë zgjedhur në të njëjtën kohë edhe deputetë, nuk do ta dorëzojnë mandatin e tyre si përfaqësues të popullit.

Kështu mësohet se kreu i qeverisë Edi Rama ka vendosur të mos aplikojë të njëjtin standard që e futi si risi në mandatin e parë qeverisës, atë të papajtueshmërisë mes mandatit të deputetit dhe atij të ministrit. Të njëjtat burime kanë sqaruar se vendimi i para 4 viteve nuk dha rezultatet e pritshme në disa aspekte, qoftë në atë të rezultatit dhe të performancës së qeverisjes, ashtu edhe atë parlamentar. Kështu, edhe pse filozofia që udhëhoqi Ramën për të ndarë mandatin e deputetit nga ai i ministrit 4 vite më parë ishte që këta të fundit të ishin më efektivë në punën e tyre, duket se ky veprim nuk ka pasur impaktin e duhur.

Sa i përket nivelit të performancës së ministrave në ushtrimin e detyrës së tyre të përditshme, kjo është diçka e pamatshme dhe jo domosdoshmërisht e nevojshme për të rritur rezultatet në kryerjen e detyrës si përfaqësues i qeverisë. Përkundrazi, ky veprim i bëri ministrat më të dobët përballë kryeministrit dhe njëkohësisht më të cenueshëm prej tij. Por ky është vetëm njëri problem dhe më i vogli që solli ky standard, pasi pasojat më të mëdha negative ai i pati në parlament.

Në shumicën e rasteve zëvendësimet e ministrave që dorëzuan mandatin e deputetit me pasuesit e tyre në listat shumemërore nuk sollën një cilësi të duhur të deputetëve të rinj që i pasuan. Shumë prej tyre ishin emra anonimë dhe pas një përvojë apo kontributi të mëparshëm parlamentar.

Dorëzimi i mandateve

Në total, gjatë këtyre viteve ishin 16 ministra ata që dorëzuan mandatin dhe që u zëvendësuan më pas me emra që në pjesën më të madhe ishin të panjohur, ndërsa nuk munguan rastet që në parlament erdhën edhe njerëz që kishin probleme me ligjin. Më konkretisht Ermonela Felaj, e cila ishte zgjedhur deputete në Berat u zëvendësua nga Anila Agalliu, Ilir Beqja që ishte zgjedhur deputet në Durrës u zëvendësua nga Esmeralda Shkjau, Damian Gjiknuri që ishte zgjedhur në Elbasan u zëvendësua nga Luljeta Arapi, Eglantina Gjermeni që ishte zgjedhur deputete në Qarkun e Fierit u zëvendësua nga Adelina Rista, Ilirian Celibashi gjithashtu i zgjedhur në Fier u zëvendësua nga Anduel Xhindi.

Gjithashtu, mandatin e deputetit e dorëzoi edhe Arben Ahmetaj dhe Erion Veliaj, të zgjedhur të dy në Gjirokastër u zëvendësuan nga Dashamir Kamberi dhe Vladimir Kosta. Por situata më qesharake dhe më absurde njëkohësisht u krijua në Qarkun e Lezhës, ku mandati i dorëzuar nga Mimi Kodheli “shëtiti” te shumë pasues të saj. Kështu në bazë të Kodit Zgjedhor mandati i një gruaje duhet t’i kalonte detyrimisht një kandidateje po ashtu grua. Por dy kandidatet femra që ishin në listën e PS-së në këtë qark u detyruan të mos e pranojnë mandatin e deputetes dhe në kushtet e shterjes së kandidateve femra, ai i kaloi Arben Ndokës.

Por edhe ky nuk do ta gëzonte për shumë kohë pasi nën presionin e opozitës dhe të ligjit të dekriminalizimit dha dorëheqjen nga mandati dhe atë e mori Eduard Ndocaj. Por absurdi i kësaj situate nuk mbaron me kaq. Kjo pasi ky standard solli për rrjedhojë edhe ezaurimin e të gjithë kandidatëve nga lista, çka detyroi më vonë PS-në që mandatin e dorëzuar nga deputeti tjetër, Armando Prenga t’ia kalonte LSI-së. Ndërkohë që ministrat e tjerë që dorëzuan mandatin gjatë qeverisjes së 4 viteve të shkuara ishte edhe Ditmir Bushati, i cili u zëvendësua nga Enrieta Alhysa, Lindita Nikolla që u zëvendësua nga Blerina Gjylahmeti, Milena Harito që u zëvendësua nga Enkelejda Shkreli dhe Saimir Tahiri, që u zëvendësua nga Ervin Bushati. Kësaj nisme iu bashkua në atë kohë edhe LSI, e cila gjithashtu detyroi ministrat e saj që të dorëzojnë mandatet e deputetëve. Më konkretisht Nasip Naço u zëvendësua nga Silva Caka, Lefter Koka u zëvendësua nga Bujar Derveni, Klajda Gjosha nga Kejdi Mehmetaj dhe Edmond Haxhinasto nga Miranda Rira.

Duhet thënë se, në shumicën e rasteve deputetët zëvendësues nuk arritën që të shfrytëzojnë rastin dhe të evidentohen në jetën parlamentare, çka tregoi se ardhja e tyre në parlament kishte qenë një veprim i gabuar. Jo vetëm kaq, por shumica e tyre nuk arritën që të konfirmohen si deputetë në zgjedhjet e 25 qershorit, duke mos qenë fare në lista ose në rastin më të mirë ishin në pozicione jo fituese, çka tregon se ata sërish nuk e justifikuan shansin që iu dha nga Rama.

Por jo vetëm kaq, vendimi i 4 viteve më parë bëri që shumica e ministrave në momentin që u detyruan të iknin nga qeveria mbetën në të njëjtën kohë edhe jashtë parlamentit, duke bërë që parlamenti të humbasë kontributin e figurave të njohura politike në vend. Vlen të përmendet rasti i Saimir Tahirit, Nasip Naços, Ilirian Celibashit apo Edmond Haxhinastos, të cilët në momentin që u larguan nga qeveria u detyruan të mbeten edhe jashtë parlamentit.

Ndërkohë që dy ministrat që i shpëtuan këtij vendimi ishin: Shkëlim Cani dhe Blendi Klosi. Cani përfitoi nga fakti se PS nuk donte që mandatin e tij ta merrte një kandidate femër në listën e Dibrës, ndërsa Klosi për vetë faktin se u bë pjesë e qeverisë në gjysmë të mandatit dhe kur Rama kishte parë se ky standard nuk ishte gjeja më e mirë që kishte zbatuar. Gjithsesi duhet theksuar se PS megjithëse e ka detyrim statutor zbatimin e parimit të papajtueshmërisë së mandateve, ky detyrim nuk përfshin rastin e mandatit të deputetit me atë të ministrit.

Ministrat që dorëzuan mandatet dhe deputetët që i zëvendësuan

Ermonela Felaj u zëvendësua nga Anila Agalliu

Ilir Beqja u zëvendësua nga Esmeralda Shkjau

Damian Gjiknuri u zëvendësua nga Luljeta Arapi

Eglantina Gjermeni u zëvendësua nga Adelina Rista

Ilirian Celibashi u zëvendësua nga Anduel Xhindi

Arben Ahmetaj u zëvendësua nga Dashamir Kamberi

Erion Veliaj u zëvendësua nga Vladimir Kosta

Mimi Kodheli u zëvendësua nga Arben Ndoka

(Arben Ndoka më pas u zëvendësua nga Eduard Ndocaj)

Ditmir Bushati u zëvendësua nga Enrieta Alhysa

Lindita Nikolla u zëvendësua nga Blerina Gjylameti

Milena Harito u zëvendësua nga Enkelejda Shkreli

Saimir Tahiri u zëvendësua nga Ervin Bushati

Nasip Naço u zëvendësua nga Silva Caka

Lefter Koka u zëvendësua nga Bujar Derveni

Klajda Gjosha u zëvendësua nga Kejdi Mehmetaj

Edmond Haxhinasto u zëvendësua nga Miranda Rira

Ministrat që nuk e dorëzuan mandatin

Shkëlqim Cani

Blendi Klosi

Shkruar Nga
More from Redaksia

Veprimi pervers politik i Zaevit

Nga Kim Mehmeti* Në zgjedhjet e fundit parlamentare, LSDM-ja morri mbështetjen e...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.