Qeveria ‘Rama 2’ pa negociata/ Dy emrat që e kanë të sigurt që do marrin ministri

Kryeministri Rama do të shpallë emrat e ministrave dhe strukturën e re qeverisëse ditën e diel, në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare. Dilema për emrat pritet të marrë fund para anëtarëve të Asamblesë, ndërsa prej ditësh qarkullojnë emra që vijnë dhe ikin nga qeveria.

Ndryshe nga 2013-ta, kur Rama bëri publikë emrat e ministrave të tij një muaj para mbledhjes së Kuvendit të ri dhe nisi me ta të hartojë planet e ndërhyrjes së qeverisë në 300 ditët e para në dy takime, në Vlorë dhe Korçë, kësaj radhe ai do t’i bëjë publikë emrat e qeverisë së tij vetëm një javë para nisjes nga puna të Kuvendit të ri.

Madje, ai nuk ka bërë asnjë takim me ministrat aktualë për t’u thënë atyre nëse do të jenë ose jo pjesë e kabinetit të ri qeveritar. “Skuadra e re qeverisëse do të jetë gati vetëm në fillim të shtatorit dhe askush, përveç meje, s’ka pse humbet kohë për t’u marrë me këtë punë.

Gjithçka zien e do të ziejë me siguri më tutje, në kazanët e katundit mediatik, është thjesht pjesë e llogjeve të atij katundi e asgjë më tepër”, tha Rama në takimin e parë me deputetët e rinj, në fillim të korrikut.

MINISTRAT
Mësohet se kabineti i ri qeverisës do të ketë jo më shumë se 12 ministra, ndërsa, siç e shprehu edhe vetë Kryeministri Rama, parimi në ndërtimin e këtij ekipi do të jetë “më shumë me më pak”.

Grupi i punës që është marrë me studimin rreth efikasitetit të institucioneve i ka paraqitur një projekt Kryeministrit Rama, që parashikon grupimin e disa ministrive, agjencive dhe autoriteteve për një eficiencë më të madhe të punës së tyre.

Skema e re e strukturës së qeverisë synon të bashkojë Ministrinë e Bujqësisë me atë të Mjedisit, Ministrinë e Turizmit me Kulturën dhe Sportin, Ministrinë e Ekonomisë me Energjinë dhe Ministrinë e Zhvillimit Urban me atë të Pushtetit Vendor.

Po ashtu, diskutohet për një ministri të re të Thesarit, si dhe një tjetër të Gruas dhe Rinisë. Vetë Kryeministri Rama lajmëroi dje para ambasadorëve edhe emërimin e një ministri shteti për Diasporën.

Gjatë fushatës zgjedhore, kryetari i PDIUsë, Shpëtim Idrizi, është shprehur se ka propozuar një Ministri Emigracioni, ose për Diasporën. Duket se kjo ministri, sipas deklaratave të Kryeministrit Rama në fushatë, do të realizojë edhe votimin për herë të parë në zgjedhjet e ardhshme të shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit. Mësohet se në strukturën e re të qeverisë, zv.kryeministri do të mbulojë funksionet e një prej ministrive të rëndësishme.

Qeveria aktuale ka në përbërje të saj 19 ministri, ndërsa bashkimi i disa ministrive duket se do të na kthejë në skemën qeverisëse të 2013-s. Duket se emrat e konsoliduar në kabinetin “Rama 2” do të jenë Fatmir Xhafaj, Damian Gjiknuri, Mimi Kodheli e Lindita Nikolla, ndërsa pritet të ketë dhe emra të rinj. Mësohet se do të ketë një numër më të madh zv.ministrash, detyrat dhe kompetencat e të cilëve do të ndryshojnë pas bashkimit të disa ministrive.

 

Shkruar Nga
More from Redaksia

Dosja, dëshmitë/ Vrasja e gjyqtares, fëmijët: Kur ne qanim, babi qeshte

Gjykata e Krimeve të Rënda la në burg Fadil Kasemin i akuzuar...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.