Qeveria “Rama 2”: Shkrihen disa ministri, ja emrat që rikthehen

Socialistët do të kenë në fund të gushtit një panoramë të qartë të qeverisë që do të kenë në 4 vitet e ardhshme, ndërsa grupet e punës po skicojnë prioritetet. Mësohet se qeveria e re do të ndryshojë jo pak në arkitekturën e saj dhe në emrat e ministrave. Pritet që Xhafaj të kalojë te Ministria e Brendshme, Gjiknuri te Transportet, dhe Tahiri te një Ministri e re që do të mbulojë pronat, hipotekat dhe legalizimet

Nga Fejzi Braushi

Fitorja nga Partia Socialiste në zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit e shumicës së nevojshme për të qeverisur e vetme vendin në katër vitet e ardhshme, i ka dhënë mundësi mazhorancës së re që të krijojë një qeveri që iu përgjigjet prioriteteve të saj por edhe që do ta bëjë atë më fleksible ndaj pritshmërive të qytetarëve. Vetë kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur publikisht se qeveria e re do të jetë më e vogël nga ajo e deritanishmja, duke paralajmëruar shkurtime të portofoleve ministrore, por edhe të asaj pjese të administratës shtetërore që për shkak të mbivendosjes së kompetencave deri më sot ka sjellë më shumë burokraci për qytetarët. “I gjithë grupi i shushunjave do të shkrihet, pasi janë aty jo për t’i shërbyer njerëzve. Të gjitha këto po i përgatisim që në fillim të shtatorit të jemi gati me blloqet e mëdha duke filluar nga qeveria e re, që do të jetë më e vogël, më eficiente dhe patjetër, do të ketë kapacitetin për të garantuar bashkëqeverisjen. Nuk do të ekzistojnë më ministri dhe agjenci që nuk begenisin t’i lexojnë dhe jo t’u kthejnë përgjigje njerëzve”, u shpreh Rama pak ditë më parë nga qyteti i Durrësit, ku zhvilloi një takim me qytetarët në kuadër të turit të dëgjesave për përcaktimin e prioriteteve të qeverisë së re.

Dhe për këtë gjë me urdhër të kryeministrit Rama në Partinë Socialiste janë ngritur dhe po funksionojnë disa grupe pune të cilët po zhvillojnë takime me grupet e interesit dhe qytetarët për të përcaktuar prioritetet e qeverisjes së ardhshme dhe pikat ku duhet të fokusohet vëmendja e qeverisë së re. Një prej këtyre grupeve të punës drejtohet nga ish-zëvendëskryeministri, Niko Peleshi, i cili pak ditë më parë pohoi se do të ketë ndryshim të mënyrës së organizimit të qeverisë ose të asaj që ai e konsideron si arkitektura e qeverisë. “Duam të ndërtojmë një arkitekturë të re të të gjitha agjencive dhe institucioneve të varësisë, në nivel lokal dhe qendror, për të pasur një strukturë qeverisëse më eficiente, më efikase. Ne nuk vuajmë vetëm nga cilësia e punës, por edhe nga zgjidhje jo inteligjente të arkitekturës. Ka funksione të ndara mes pushtetit qendror dhe vendor që nuk meritojnë të jenë të tilla, sepse kur një funksion është i ndarë krijon kakofoni, përplasje apo paqartësi. Duam në këtë mënyrë të shmangim burokracitë, duke reduktuar korrupsionin”, -tha Peleshi gjatë një interviste mediatike.

Arkitektura

Ndërsa grupet e punës që ka ngritur PS janë duke punuar për të tërhequr mendimet e votuesve dhe strukturave në bazë për qeverisjen e re, burime nga PS kanë bërë të ditur se qeveria e re do të ketë ndryshime të mëdha si sa i takon arkitekturës së saj ashtu edhe të emrave të ministrave. Të njëjtat burime kanë bërë të ditur se sa i përket arkitekturës pritet të bëhen shkrirje apo bashkime dikasteresh të ndryshme, që deri më sot ose kanë ekzistuar për t’i plotësuar dëshirat dhe orekset aleatëve ose që në shumicën e rasteve kanë kryer funksione që mund t’i kryente edhe një ministri tjetër. Kështu, ndryshimet do të prekin Ministrinë e Financave, Ministrinë e Ekonomisë dhe atë të Energjetikës. Mësohet se këto tri dikastere mund të rigrupohen në dy ministri, ku mund të kemi ose një bashkim të Ministrisë së Ekonomisë me atë të Financave ose një bashkim të Ministrisë së Ekonomisë me atë të Energjetikës. Sektorë të tjerë që mund të preken janë edhe ai Bujqësisë dhe i Mjedisit. Burimet bëjnë të ditur se mund të ketë një bashkim edhe të këtyre dy ministrive, pavarësisht se fushat që ato mbulojnë nuk kanë shumë afërsi. Ndërkohë që një tjetër ndryshim mund të jetë edhe ai i bashkimit të Ministrisë së Transporteve dhe Ministrisë së Zhvillimit Urban. Mësohet se për shkak se bëhet fjalë për dy ministri objekti i punës së të cilave është i përafërt ato mund të shkrihen në Ministrinë e Transporteve. Është fakt që Ministria e Zhvillimit Urban nuk ka funksionuar më parë dhe për herë të parë u organizua në nivel ministrie pas zgjedhjeve të 2013-ës. Por ndërsa pritet bashkimi apo shkrirja e ministrive konkrete, pjesë e këtij reformimi do jenë edhe shkëputja e drejtorive apo institucioneve të ndryshme të vartësisë për të krijuar institucione të reja që mund të rigrupojnë këto funksione me qëllim rritjen e efikasitetit dhe fleksibilitetit të funksionimit të tyre. Kështu, mësohet se po diskutohet për krijimin e një ministrie të re e cila mund të përmbledhë administrimin e disa prej çështjeve më të mprehta dhe problematike të qeverisjes, siç mund të jenë hipotekat, legalizimet dhe kthimi i pronave.

Emrat

Ndërkohë që paralelisht me këto diskutime, brenda PS-së kanë nisur të fliten edhe për emrat e ministrave. Burime nga PS kanë bërë të ditur se Rama do t’i qëndrojë filozofisë së tij për të patur një prani të madhe të grave në qeveri. Ndaj mësohet se sërish afërsisht gjysma e kabinetit do jetë i përbërë nga ministra gra. Sa iu përket emrave konkretë një pjesë e mirë e ministrave aktualë nuk do të jenë më në qeverinë e re, ndërkohë që disa nga emrat kyçë do të jenë sërish në kabinet. Kështu, ai që duket si i rikonfirmuar deri më tani, është Fatmir Xhafaj, i cili me shumë mundësi do kthehet për të drejtuar Ministrinë e Brendshme. Kujtojmë se disa muaj më parë ndaj tij pati një opozitë të fortë nga Presidenti Nishani dhe PD, por figura e tij mori mbështetjen e faktorit ndërkombëtar për të drejtuar ndoshta ministrinë më të rëndësishme të qeverisë. Edhe vetë kryeministri Rama do të deklaronte para zgjedhjeve se Xhafaj do të kthehej në postin e ministrit të Brendshëm, megjithëse pas zgjedhjeve për të mos paragjykuar procesin e diskutimeve që ka nisur PS, nuk e konfirmoi sërish të njëjtën deklaratë. Gjithsesi emri i tij konsiderohet si i sigurt në postin e ministrit të Brendshëm, ndërsa vetë Xhafaj pak ditë më parë zhvilloi edhe një takim me gazetarë të kronikës së zezë si grup interesi për të diskutuar pikërisht programin dhe çështjet e rendit. Ndërkohë që Arben Ahmetaj pritet të rikonfirmohet në Ministrinë e Financave, së cilës mund t’i shtohet edhe Ministria e Ekonomisë. Një lëvizje në kabinet pritet të ndodhë edhe në vendin që mbetet bosh në Ministrinë e Transporteve, së cilës nëse do t’i bashkohet edhe Ministria e Zhvillimit Urban do të kthehet në një superministri. Në këtë ministri flitet se mund të kalojë Damian Gjiknuri, i cili deri më tani mban pozicionin e ministrit të Energjetikës. Ndërkohë që një emër që pritet të kthehet në qeveri është edhe ai i kreut të PS-së së Tiranës dhe ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri. Burime nga PS bëjnë me dije se Tahiri do të drejtojë një ministri të re që pritet të krijohet dhe që do të mbulojë çështjet më të rëndësishme dhe më problematike të administratës shtetërore shqiptare. Bëhet fjalë për ministrinë që pritet të krijohet për të mbuluar pronat, legalizimet dhe pronat. Kjo edhe si një mënyrë për t’iu dhënë këtyre tri çështjeve një rëndësi specifike në 4 vitet e ardhshme. Ndërkohë që Ministrinë e Shëndetësisë me shumë mundësi do të rikthehet Ogerta Manasterliu. Te Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë fliten dy emra, Olta Xhaçka dhe Blerina Gjylameti. Emri i Xhaçkës flitet gjithashtu edhe për postin e ministres së Integrimit, gjithmonë nëse Rama në këtë rast nuk do të bëjë ndonjë emërim surprizë. Në qeveri pritet të rikthehet edhe një nga emrat më të përfolur dhe sulmuar të qeverisjes së këtyre 4 viteve, Ilir Beqaj, i cili në varësi të arkitekturës së re të qeverisë mund të drejtojë një nga dikasteret që mund të ndryshojnë siç mund të jetë energjetika dhe ekonomia, nëse ato të do të bashkohen. Një dikaster që mbetet bosh me largimin e LSI-së nga qeveria është edhe ai i Drejtësisë. Por me shkëputjen e hipotekave dhe zbatimin e vettingut, kësaj ministrie i mbeten pak kompetenca dhe funksione. Nuk përjashtohet që në këtë ministri të kemi si ministër ndonjë emër surprizë. Ndërkohë që Mimi Kodheli pritet të rikonfirmohet në postin e ministrit të Mbrojtjes, Lindita Nikolla tek Arsimi dhe Ditmir Bushati te Ministria e Jashtme. Pjesë e kabinetit do jetë dhe Peleshi, të cilin Rama do kërkojë sërish ta ketë zëvendësues në kabinet si zëvendëskryeministër, për t’i lënë atij edhe drejtimin e mbledhjeve të qeverisë. Natyrisht që pritshmëritë e Peleshit shkojnë përtej një posti honorifik, pa kompetenca dhe strukturë.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Arresti kardiak, çdo vit vdesin tre mijë persona

Doktor Skënder Brataj, drejtor i Përgjithshëm i Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore,...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *