QSUT: Realizohet për herë të parë Shintigrafia e Miokardit

Identifikimi i hershëm i pacientëve me sëmundje të arterieve koronare ndihmon në reduktimin e shpenzimeve të kujdesit shëndetësor, si dhe në uljen e sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë 

Shintigrafia e Miokardit me SPECT, një ekzaminim tejet i rëndësishëm në diagnostikimin e stratifikimin e riskut të sëmundjes koronare dhe në vlerësimin e viabilitetit miokardial, mund të realizohet tani e tutje edhe në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Tiranë. Ky ekzaminim rekomandohet si ekzaminim fillestar në pacientët me dhimbje gjoksi që kanë EKG të painterpretueshme, si dhe kur qëllimi është vlerësimi i viabilitetit miokardial. Kjo sipërmarrje i hap rrugën e zhvillimit Kardiologjisë jo invazive, nëpërmjet kryerjes së testeve imazherike funksionale të munguara deri tani. Në studimet e kryera në mbarë botën është parë që Shintigrafia e Miokardit rrit ndjeshëm saktësinë diagnostike e prognostike të variablave klinike e të EKG-së ushtrimore. Shintigrafia e Miokardit me SPECT është një test funksional me sensitivitet të lartë në diagnostikimin e sëmundjes koronare, e cila ka munguar në qendrën spitalore. Ndër testet imazherike funksionale, rolin kryesor e luajnë Stress-Ekokardiografia dhe Shintigrafia e miokardit me SPECT (Single Positron Emission Computed Tomography), të cilat vlerësojnë përkatësisht anomalitë e kinetikës dhe perfuzionin e miokardit si tregues të sëmundjes koronare. Sëmundja e arterieve koronare është një ndër shkaqet kryesore të sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë në botë. Ajo ka marrë përmasa endemike me një impakt të rëndësishëm në kostot e kujdesit shëndetësor. Identifikimi i hershëm i pacientëve me sëmundje të arterieve koronare ndihmon në reduktimin e shpenzimeve të kujdesit shëndetësor, si dhe në uljen e sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë. Testet jo invazive janë të rëndësishme, nga njëra anë për të përjashtuar sëmundjen koronare me siguri të lartë dhe nga ana tjetër për të zbuluar pasojat e saj hemodinamike që në stadet e hershme, duke bërë të mundur menaxhimin optimal të pacientëve kardiakë.

ISHP

Sëmundjet kardiovaskulare shkaktojnë vdekje të parakohshme. Në fakt, në botë SKV shkaktojnë çdo vit 17.3 milionë vdekje dhe shifrat janë në rritje. Deri në vitin 2030, pritet që çdo vit, 23 milionë njerëz në botë do të vdesin nga SKV. Sëmundjet kardiovaskulare shkaktohen në përgjithësi nga kombinimi i një sërë shkaqesh të përbashkëta e të shumta, duke filluar me karakteristikat social-biologjike, si: presioni i lartë i gjakut, kolesteroli i lartë, mbipesha e obeziteti, diabeti, apo faktorët e mënyrës së jetesës, si dieta jo e shëndetshme, duhanpirja, mungesa e aktivitetit fizik, konsum i shtuar i alkoolit, të cilat rrisin probabilitetin për të pësuar një problem të enëve koronare apo cerebrovaskulare. Për sa i përket barrës së vdekjeve, faktor kryesor rreziku i SKV është presioni i lartë i gjakut, të cilit i atribuohet 13 % e vdekjeve globale, e ndjekur nga përdorimi i duhanit 9 %, sheqeri i ngritur i gjakut 6%, pasiviteti fizik 6 % dhe mbipesha e obeziteti 5%. Parë në këtë kënd vështrim shumica e sëmundjeve kardiovaskulare (SKV) janë shkaktuar nga faktorë të rrezikut që mund të kontrollohen, trajtohen ose të modifikohen. Të gjithë ekspertët e shëndetësisë sot në botë, besojnë se sëmundjet kardiovaskulare janë dukshëm të parandalueshme, duke evituar një numër të madh vdekjesh të parakohshme.

Në vendin tonë ka një rritje të sëmundjeve kardiovaskulare të përvitshme në 20 vitet e fundit. Sëmundjet kardiovaskulare, në Shqipëri, shkaktojnë mbi gjysmën e vdekjeve duke zënë vendin e parë si shkak i të gjitha vdekjeve, ndaj mund të konsiderohen si sëmundjet me peshën më të madhe në shoqërinë shqiptare. Në Shqipëri vdekjet nga sëmundjet kardiovaskulare janë duke u rritur në numër absolut; nga 200 vdekje në vitin 1991 nga SKV në 286.2 raste vdekje në vitin 2009, duke zënë rreth 60% të të gjitha vdekjeve(15.662 vdekjet në total nga këto 9.143 nga SKV). Dhe nëse do të shikonim rastet e vdekjeve, shohim se 2 janë sëmundjet që shkaktojnë më shumë vdekje sëmundjet e arterieve koronare apo infarkti i zemrës dhe goditja në tru.

Shkaqet

Edhe për vendin tonë pavarësisht se kjo rritje i dedikohet në radhë të parë rritjes së moshës mesatare të popullatës, apo rritjes së numrit të të moshuarve, e theksojmë se 61% e shkaktarëve janë faktorët që i kemi ne vetë në dorë, si kontrolli apo trajtimi i rregullt i hipertensionit, shmangia e duhanpirjes, ushqyerja me fruta e perime, të qenit më aktiv etj. Sëmundjet kardiovaskulare edhe tek ne nuk janë problem vetëm i burrave por janë problem edhe i grave, të dyja gjinitë sëmuren dhe vdesin njëlloj nga sëmundjet kardiovaskulare. Sidomos gratë mbas menopauzës sëmuren dhe vdesin më shumë se burrat dhe vdekjet nga SKV janë pothuajse gjysmë për gjysmë midis të dyja gjinive. Ka një veçanti të vdekjeve te ne, sepse gratë vdesin më shumë nga sëmundjet e enëve të gjakut të trurit në masën 38.3%;ndërsa burrat vdesin më shumë nga sëmundja ishemike e zemrës në masën 32.4%.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Për të ndihmuar të varfërit, paga minimale duhet hequr

Axhenda Liberale /11 Nga Besart Kadia Ditët e fundit po flitet gjithnjë...
Read More