Rajoni tensionohet ndjeshëm: Grekët djegin flamurin turk, reagon ashpër Ankaraja

 

Ankaraja zyrtare ka reaguar ashpër pas djegies së flamurit turk gjatë protestave kundër arrestimit të dy ushtarëve grekë nga ushtria turke.

Dy ushtarë grekë u arrestuan në kufirin mes dy vendeve më 1 Mars, pasi sipas medias greke kishin kaluar 250 metra në kufirin turk. Kjo ka sjellë reagimin e Greqisë, e cila ka kërkuar edhe përfshirjen e Brukselit, ndërsa në krahun tjetër janë mbajtur protesta antiturke në Athinë. Gjatë një protestë në kryeqytetin grek ditën e hënë, disa protestues i kanë vënë flakën flamurit turk.

Ky veprim ka sjellë reagimin Ministrisë së Jashtme turke, e cila në një deklaratë me shkrim dënon ashpër “djegien e flamurit tonë gjatë një proteste të mbajtur më 5 mars në Athinë kundër vendit tonë nga një parti raciste në Greqi. Ne presim nga autoritetet greke që të kapen sa më shpejtë dhe të nxirren para drejtësisë autorët që kanë kryer këtë veprim të urryer kundër flamurit tonë.”

Arrestimi i dy ushtarëve grekë nga ana e Turqisë vjen në një kohë që marrëdhëniet mes dy vendeve janë të tensionuara për shkak të përplasjeve për ishujt në Egje dhe për shkak të mosekstradimit në Ankara të disa ushtarëve turq që kanë kërkuar azil politik në Greqi pas tentativës së dështuar për grusht shteti në Korrik 2016.

Ministria e Jashtme turke ka reaguar ashpër përmes zëdhënësit të saj edhe lidhur me deklaratat e Presidentit grek, Prokopis Pavlopulos.

“Ne i bëjmë thirrje Prokopis Pavlopulos të respektojë të drejtën ndërkombëtare dhe kufijtë e vendit tonë. Shmangni deklaratat që nuk përshtaten me pozicionin tuaj dhe shkaktojnë tension”, ka thënë zëdhënësi i Ministrit të Jashtëm turk, Hami Aksoy.

Pavlopulos deklaroi nga Pieria: “Ne u themi atyre, këtu jemi, të jetojmë në mënyrë paqësore, kreative. Ç’është më e thjeshtë sesa të respektojmë të Drejtën Ndërkombëtare, çka është më e thjeshtë sesa të respektojmë Ligjin e Detit, Traktatin e Lozanës”.

Pavlopulos i bëri thirrje Turqisë të masë të ardhmen e saj me masën e kulturës, demokracisë dhe lirisë.

“Ja ku jemi. Përndryshe, ne e dimë që jemi të kundërt. Ne nuk e duam atë, por nëse historia na e kërkon do ta bëjmë atë, siç e bënë paraardhësit tanë”.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Klima e biznesit, qeveria e re dhe problemet e vjetra

Vonesat e sistemit gjyqësor, mungesa e konkurrencës, pronësia e paqartë mbi tokën,...
Read More