“Rama 2”, si ndryshon qeveria e re, Ruçi drejt kreut të Kuvendit

Tre ditë para mbajtjes së Asamblesë Kombëtare shtohet akthi në radhët e socialistëve për qeverinë “Rama 2”. Emrat e sigurt se do jenë në qeveri janë ata të Xhafajt, Gjiknurit dhe Bushatit. Gramoz Ruçi pritet të drejtojë parlamentin, ndërsa Balla grupin parlamentar

Afrimi i datës së mbajtjes së mbledhjes së Asamblesë Kombëtare ka shtuar edhe akthin në radhët e socialistëve dhe në mënyrë të veçantë të atyre që presin që të jenë të zgjedhurit e Edi Ramës për të qenë pjesë e qeverisë së re.

Media të ndryshme kanë raportuar këto ditë për variante të ndryshme të asaj që mund të jetë qeveria “Rama 2” por edhe kupolën drejtuese të jetës parlamentare, përfshi këtu kryetarin e parlamentit dhe të grupit parlamentar.

Gjithsesi ajo që mësohet deri më tani dhe që është konfirmuar në fakt nga vetë kryeministri Edi Rama është fakti që qeveria e tij e re do të jetë më e vogël, ndërsa sa u përket emrave, ata që fliten të sigurt deri më tani janë vetëm Damian Gjiknuri dhe Fatmir Xhafaj.

Arkitektura

Burime nga PS por edhe mediat kanë raportuar se kabineti i ri qeveritar do të variojë nga 12 deri në 15 portofole. Kjo pasi në krahasim me qeverinë aktuale pritet që të ketë një riorganizim të kabinetit qeveritar në përputhje me objektivat qeverisëse si dhe përfundimet e arritura nga analiza e funksionimit të qeverisë në këto 4 vite që shkuan. Kështu në emër të grupit të punës të ngritur nga vetë kryeministri Edi Rama do të jetë Niko Peleshi ai që do të paraqesë para anëtarëve të Asamblesë Kombëtare raportin mbi analizën e organizimit administrativ në çdo sektor dhe të një Dokumenti Rekomandimesh për reformën e administratës shtetërore, ku natyrisht përfshihet edhe struktura e re që duhet të ketë qeveria e ardhshme.

Më konkretisht, sipas burimeve nga Partia Socialiste ky dokument përmban një analizë të gjendjes ekzistuese si edhe një draft-projekt ristrukturimi të rrjetit të agjencive, inspektorateve, zyrave kombëtare, rajonale e lokale, me propozime për shkrirjen, bashkimin apo zgjerimin, rast pas rasti, të institucioneve ekzistuese, përfshi edhe kabinetin qeveritar. Media të ndryshme kanë raportuar mbi mundësi bashkimesh apo krijimin e ministrive të ndryshme. Kështu Top Channel raportoi dy ditë më parë mbi mundësinë e bashkimit të Ministrisë së Bujqësisë me Ministrinë e Mjedisit, krijimin e një Ministrie të Turizmit, Kulturës dhe Sportit, pak a shumë siç edhe ka qenë më parë.

Gjithashtu, bashkimin e Ministrisë së Ekonomisë me Ministrinë e Energjisë dhe Ministrinë e Zhvillimit Urban me Ministrinë e Pushtetit Vendor. Ndërkohë që Tv Klan raportoi dje se po diskutohet edhe varianti për bashkimin e Ministrisë së Brendshme me atë të Drejtësisë, megjithëse duket një variant i vështirë për t’u besuar, pasi në botën demokratike nuk ka raste që të kenë një organizim të tillë.

Ndërkohë që burime të MAPO bënë të ditur se një variant që është diskutuar nga grupi i punës është edhe ai për bashkimin e Ministrisë së Jashtme me atë të Integrimit, si dhe Ministrisë së Transporteve që mund t’i bashkëngjitet Ministria e Zhvillimit Urban. Gjithashtu një variant që është diskutuar nga grupi i punës është edhe ai për të krijuar një ministri të posaçme që duhet të mbulojë çështjen e pronave dhe të ketë në varësi institucione si hipotekat, ALUIZNI dhe ATP që me shumë mundësi gjithashtu do të shkrihen dhe të funksionojnë si një institucione më vete. Gjithsesi enigmat rreth arkitekturës së re të qeverisë “Rama 2” pritet t’i zbardhë raporti i grupit të punës, ku veç Niko Peleshit bëjnë pjesë edhe Damian Gjiknuri, Bledi Çuçi, Lindita Nikolla dhe Ogerta Manastirliu.

Emrat

Ndërkohë që edhe sa u përket emrave media të ndryshme kanë raportuar emra të ndryshëm, ku të vetmet pika që bashkohen janë pikërisht emrat e Fatmir Xhafajt dhe Damian Gjiknurit. Xhafaj flitet si i sigurt te Ministria e Brendshme, aty ku edhe u largua pak muaj më parë si pasojë e marrëveshjes Rama–Basha në mes të muajit maj, që i dha dhe zgjidhje ngërçit politik. Ndërkohë që emri i dytë që flitet si i sigurt se do të jetë pjesë e kabinetit të ri qeveritar është edhe emri i Gjiknurit. Dhe kjo për shkak të dy treguesve që janë në favor të tij: së pari, ai drejtoi një nga reformat më të vështira atë në energjetikë, nga e cila qeveria e shkuar siguroi të ardhura të mëdha dhe së dyti, se Gjiknuri ka drejtuar dy nga betejat më të vështira elektorale duke e nxjerrë PS-në fituese.

Bëhet fjalë për zgjedhjet në Bashkinë e Dibrës, ku PS kishte pak shpresa se do t’i fitonte dhe drejtimin e fushatës në Vlorë në zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit, ku sërish PS korri një nga rezultatet më të mira. Në rastin e Dibrës nuk munguan edhe vlerësimet publike nga ana e kryeministrit Edi Rama. Por ndryshe nga kabineti aktual ku ai drejton Ministrinë e Ekonomisë, në kabinetin e ri Gjiknuri flitet se mund të drejtojë Ministrinë e Transporteve.

Gjithashtu, emër tjetër që flitet se do jetë i sigurt në kabinetin e ri është Ditmir Bushati, i cili natyrisht mund të drejtojë tashmë edhe përpjekjet integruese të Shqipërisë drejt BE-së. Mediat kanë folur për një vend të sigurt edhe të Lindita Nikollës dhe kjo për vetë rezultatin pozitiv që arriti të marrë në Qarkun e Lezhës. Gjithsesi pozicioni që mund të mbajë Nikolla në qeverinë e re është i paqartë pasi tashmë në pozicionin e ministres së Arsimit po flitet gjithmonë e më shumë emri i Milena Haritos.

Ndërkohë që emra të përfolur këto ditë në media por edhe nga burime pranë PS-së se mund të jenë pjesë e kabinetit të ri qeveritar janë ata të Ogerta Manstirliut, që flitet se mund të rikthehet në Ministrinë e Shëndetësisë, Olta Xhaçkës te Mirëqenia dhe Blerina Gjylameti tek Ekonomia. Ndërkohë që Eglantina Gjermeni është raportuar se mund të jetë në krye të Ministrisë së Bujqësisë dhe Mjedisit.

Parlamenti

Siç edhe shihet nga emrat e përfolur deri më tani që mund të jenë pjesë e kabinetit të ri qeveritar mungojnë figurat e vjetra të PS-së, me përjashtim të Fatmir Xhafajt. Kështu në media është përfolur se Rama po mendon që një numër të konsiderueshëm prej tyre t’i angazhojë në jetën parlamentare. Mes tyre flitet se Gramoz Ruçi është i sigurt se do të marrë drejtimin e Kuvendit të Shqipërisë duke zëvendësuar në të Ilir Metën.

Ndërkohë që një emër tjetër që flitet se nuk do jetë pjesë e kabinetit qeveritar as kësaj here është Taulant Balla. Mediat kanë raportuar se ai për shkak të eksperiencës së gjatë parlamentare që ka tashmë mund të zëvendësojë Ruçin në krye të grupit parlamentar socialist.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Për herë të parë në 18 vjet, Mbretëresha Elizabeth po e kapërcen një detyrë solemne vjetore

Monarkja 91-vjeçare gjithmonë ka marrë pjesë dhe është përkulur solemnisht në ditën...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.