Rama-Basha: Axhenda mban pezull takimin e të hënës



Edi Rama dhe Lulzim BashaDy palët kanë ranë parimisht dakord që takimi të mbahet të hënën, por mungojnë modalitetet e tryezës. Stafet nuk kanë komunikuar prej së hënës, sot pritet të vendosen njerëzit që do të shoqërojnë Ramën dhe Bashën, si dhe temat e dialogut

Edi Rama dhe Lulzim Basha pritet të shtrëngojnë duart ditën e hënë më 6 qershor, në orën 17:00 në Pallatin e Kongreseve.

Dy temat kryesore të diskutimit pritet të jenë Reforma Zgjedhore dhe ajo e Drejtësisë, edhe pse deri mbrëmë vonë ende mes palëve nuk janë diskutuar modalitetet e takimit që pritet të zyrtarizohen ditët në vijim.

I pyetur për këtë takim, kryetari i demokratëve, Lulzim Basha, tha për mediat se ka ende kohë për t’u shprehur ndërkohë që nga selia blu nuk është përcjellë asnjë informacion shtesë.

Menjëherë pas kësaj përgjigjeje të Bashës që është ndjekur live edhe në tv, mësohet se shefja e kabinetit të kryeministrit Rama, Vali Bizhga, ka telefonuar në paradhomën e zyrës së kryetarit të opozitës, për të saktësuar një ditë takimi.

Bisedimet mes tyre ishin pezulluar që prej ditës së hënë, për shkak të vendimit që u mor pak ditë më parë për përjashtimin e Sali Berishës me 10 ditë nga Kuvendi me kërkesë të deputetëve socialistë.

Dita e hënë përkon edhe me mbarimin e këtij afati, ndërsa ende është në diskutim formati dhe axhenda për të cilën demokratët kërkojnë një marrëveshje paraprake.

Në letrën e mëparshme, Rama kishte propozuar Fatmir Xhafën dhe Bashkim Finon, ndërsa nga PD-ja përveç Bashës, gjasat janë që të jetë edhe Oerd Bylykbashi, i cili mban rolin kryesor te Reforma Zgjedhore, por së fundmi edhe te Reforma në Drejtësi pas largimit të Eduard Halimit për arsye personale.

Siç ka ndodhur edhe më parë (me takimin e bujshëm Nano-Berisha) në lojë për këtë takim janë futur sërish ndërkombëtarët dhe kryesish ambasadori amerikan, Donald Lu, i cili deri më tash ka ditur që të manovrojë për të gjetur një gjuhë të përbashkët mes tyre.

Këto ditë, ambasadori Lu ka qenë në takime intensive të veçanta me Sali Berishën dhe Lulzim Bashën.

Në takimin me Berishën pak ditë më parë, ambasadori amerikan Donald Lu e njohu ish-kryeministrin me përpjekjet e komunitetit ndërkombëtar për të arritur në një kompromis midis pozitës dhe opozitës, për të votuar amendamentet kushtetuese brenda afatit të përcaktuar.

“Në takim, Berisha shprehu vlerësimin e tij të sinqertë për përpjekjet e ambasadorit Lu për arritjen e një kompromisi, në vlerësimin tij plotësisht të mundshëm, midis palëve për votimin e reformës”, -thuhej në njoftimin për shtyp të zyrës së Berishës.

Në të njëjtën ditë, në një intervistë të mëvonshme në Ora News, Berisha u shpreh pro një takimi mes tyre.

Më pas, me mbërritjen në Tiranë, pas një aktiviteti të zhvilluar në PPE, ishte Basha që zhvilloi një takim me ambasadorin amerikan.

Deri këtu gjithçka është publike.

Ajo që mbetet e rëndësishme këto ditë është pikërisht axhenda dhe pikat që do të diskutohen, nga e cila do të varet fort edhe takimi i pranuar në parim nga palët

loading...
Shkruar Nga
More from revista mapo

1990/Incidenti diplomatik: Si rrahu sigurimi i shtetit ambasadorin francez me gruan

Historiania ruse, Nina Smirnova, në librin “Historia e Shqipërisë përgjatë shekullit XX”,...
Read More