Rama-Basha: Marrëveshja përfundoi, cili do të jetë vazhdimi?

Largimi i ministrave teknikë nga qeveria i dha fund “pranverës politike” dhe skenarit për bashkëqeverisje. Por cili do të jetë fati i marrëveshjes së 18 majit, ku Rama e Basha kanë nënshkruar për nisjen e reformës kushtetuese, zgjedhore dhe mbi të gjitha, mbylljen e asaj të drejtësisë

Nga Sebi Alla

E bukur për t’u besuar, e domosdoshme për kohën që u ngjiz, por fundi i një marrëveshjeje të madhe mbërriti shpejt. Bashkëqeverisja direkte mes PD dhe PS ka ndodhë, ndërsa mbetet ende hapur “kanata” e një dritareje për të rënë në marrëveshje të tjera, po aq të madha, si reforma kushtetuese dhe ajo zgjedhore. Lajmërimi se një “dashuri e përhershme” nuk mund të vazhdonte mes pozitës dhe opozitës, erdhi pas dorëheqjes së gjashtë ministrave teknikë dhe zëvendëskryeministres, të propozuar nga PD. Bashkë me kërkesën e dorëheqjes, lanë raportin e tyre në lidhje me problematikën e zgjedhjeve. Konkluzionet dhe rekomandimet që paraqitën, shkaktuan tollovi, por jo deri në atë pikë sa opozita të bojkotojë parlamentin apo mos njohë rezultatin e zgjedhjeve. Mirëpo një arsye për të ngjallur alibi dhe gjetur shkak-humbjen, PD e ka në duar, edhe pse nga kryeministri është konsideruar raport i njëanshëm, jo teknik, por politik. “Ky raport plotëson panoramën e denoncimit të manipulimit të zgjedhjeve nga çdo faktor publik vendës dhe i huaj. Raporti dëshmon se në këto zgjedhje u përdor çdo metodë dhe mjet i mundshëm për ndikimin e votës: u ble vota me para dhe favore, u kërcënuan direkt dhe indirekt votuesit me dhunë fizike, psikologjike dhe presion ekonomik, u manipulua numërimi i votave”, deklaroi kryedemokrati Basha. Sipas tij “ministrat teknikë u sabotuan, u lanë pa fonde dhe pa burime; drejtuesit e lartë refuzuan bashkëpunimin dhe nuk iu bindën udhëzimeve të tyre; institucionet përgjegjëse vepruan sa për sy e faqe ose nuk u angazhuan fare. E gjitha kjo ndodhi për mungesë totale të vullnetit politik nga Edi Rama për të përmbushur detyrimet që mori përsipër përpara shqiptarëve dhe komunitetit ndërkombëtar”. Sipas Bashës, parlamenti i dalë nga këto zgjedhje nuk reflekton vullnetin e lirë të zgjedhësve, por shitblerjen masive të votës dhe përdorimin e kontingjentit kriminal dhe parave të drogës, të cilët janë sot varrmihësit e demokracisë së brishtë shqiptare. Në duart e kryeministrit, ky raport komentohet sa me seriozitet, aq edhe me ironi, duke dhënë konsiderata për bashkëpunimin me ministrat e propozuar nga PD, por edhe sarkazma në lidhje me raportin për zgjedhjet. “Një epilog krejt i pavend që komprometon gjithçka të mirë që u ndërtua në funksion të zgjedhjeve më të mira që Shqipëria ka zhvilluar ndonjëherë”. Ky qe thelbi i reagimit të Ramës në lidhje me raportin e ministrave teknikë, por sërish kreu i qeverisë ka komoditetin të tregohet dorështrirë dhe vlerësojë marrëveshjen.

Rënia e marrëveshjes jetëshkurtër

Pak pas orës 01:00 të 18 majit, nga zyrat e Kuvendit, Basha dhe Rama dolën të lodhur, por të çliruar në vetvete, se një krizë e madhe ishte zgjidhur. Që të dy konfirmuan se kishte një marrëveshje mes pozitës dhe opozitës për futjen në zgjedhje, ndërsa detajet e marrëveshjes do të bëheshin në vijim. Emërimi i gjashtë ministrave teknikë dhe një zëvendëskryeministre që do të merreshin me procesin zgjedhor ishte garancia që Rama lëshoi për kundërshtarin politik, me kusht që PD dhe blloku opozitar të futej në zgjedhje, duke e shtyrë afatin me vetëm një javë, nga data 18 qershor që ishte parashikuar në datën 25. Klima politike u zbut, urrejtja ia la vendin fushatës pak programore, por me më shumë batuta. Në publik u krijua perceptimi se marrëveshja mes Ramës dhe Bashës nuk ishte vetëm për mbarëvajtjen e zgjedhjeve, por do vijonte përtej këtij procesi të rëndësishëm. Prania për një kohë të gjatë në kabinetin Rama e ministrave teknikë, la përshtypjen se ishin aty si “dallëndyshet” e para që do sillnin “pranverën politike” të bashkëqeverisjes PD-PS. Por kjo nuk ndodhi, qoftë edhe për shkak të raportit mbi zgjedhjet e 25 qershorit. Ministrat teknikë secili më vete dhe në fund të gjithë bashkë paraqitën raportin përfundimtar ku këmbëngulnin se pati probleme në përfshirjen e grupeve kriminale, blerje votash dhe përdorim të administratës zgjedhore. Këto reagime Rama nuk i priti mirë, po gjithsesi pa shumë shqetësim. Sipas kreut të qeverisë, “raporti në fjalë fatkeqësisht komprometon si një epilog krejt i pavend, gjithçka të mirë u ndërtua në funksion të zgjedhjeve më të mira që Shqipëria ka zhvilluar ndonjëherë. Ky raport është një dokument politik, krejt i njëanshëm dhe aspak në nivelin e lartë profesional të zëvendëskryeministres teknike, si drejtuese e Task-Forcës në fjalë”, shton Rama. Kryeministri gjithsesi në çdo fjalë në reagim, është i kujdesshëm për t’u treguar diplomat e politikisht korrekt teksa falënderon ministrat teknikë për gjithçka të mirë bënë apo u përpoqën të bënin gjatë mandatit të tyre të posaçëm. Por raporti me reagimet dhe kundër-reagimet e mëpasshme nuk e sfumon aspak atë që u arrit më 18 maj mes Bashës e Ramës, e që pritet të vijojë në një tjetër formë. Konsumi politik ditor është njëra anë e medaljes që kurrsesi nuk mund të anashkalohet. Pjesa tjetër, që është edhe në interes në vendit mbetet klima e butë politike, vijimi i reformave dhe çelësi që “hap” çdo portë, rritja ekonomike e vendit. Ndonëse janë detyra të qeverisë edhe opozita ka rolin e saj, sidomos në opinionin ndërkombëtar që në dy dekadat e fundit është sfilitur nga konfliktet e mëdha që prodhon vendi i vogël i Ballkanit. Vijimi i marrëveshjes politike mes PD dhe PS për reformën kushtetuese, atë të drejtësisë dhe reformën zgjedhore nuk nxjerr detyrimisht të humbur e fituar mes palëve, por si Rama ashtu edhe Basha kanë në duar ndryshimin e kursit politik në vend.

Reformat e mëdha Rama-Basha

Secili lider bën llogaritë e veta, por Rama dhe Basha janë të “dënuar” për të bashkëpunuar dhe krijuar një formë tjetër të të bërit politikë, duke lënë pas pjesën e lodhshme dhe dëmshme konfliktuale. Po synojnë të futen në “erën e re”, por njëkohësisht do mendojnë t’i japin goditjen edhe kundërshtarëve brenda llojit. Për të mos e konsideruar më një marrëveshje të errët Basha dhe Rama nga shtatori dhe në vazhdim njëri-tjetrin pritet ta shohin si kundërshtarë, por jo si armiq. Themelet e ndërtesës së re u hodhën më 18 maj, por prapaskenat e asaj çfarë u diskutua pritet të zbardhen shpejt. Për Ramën përveçse të qeverisë mirë dhe vijojë reformat e dhimbshme por të domosdoshme të mandatit të parë, do të duhet të ndahet përfundimisht nga LSI. Deri më tani ngjan se betejat e para dhe shumë të rëndësishme i ka fituar. Arriti që edhe pa aleaten LSI të mbante pushtetin, duke marrë 74 mandate. Personin e fortë politik Ilir Metën mundi ta shkëpusë nga LSI, duke e çuar më “ngritje” në postin e lartë të Presidentit të vendit. Në tablonë e radhës Rama mund të hedhë ngjyrat që do mbulojnë e tresin ngadaltë të LSI, duke e kthyer anëtarësinë e saj drejt PS-së. Sa do e arrijë mbetet të shihet, por “letrat” në tavolinën e pokerit politik i ka të mira. Në anën tjetër, ata që menduan se Basha u shkatërrua totalisht nga zgjedhjet e 25 qershorit gabuan. Për Bashën si protagonist politik, zgjedhjet e 22 korrikut për kryetar partie ishin më të rëndësishme qoftë edhe se ato të 25 qershorit. Lideri demokrat arriti të faktorizohej brenda partisë, pasi mundi jo vetëm të fitojë në mbi 90 për qind ndaj rivalit Eduard Selami, por nxori në votime mbi 60 mijë anëtarë të PD-së. Pjesëmarrja e lartë e anëtarësisë mund të quhet humbje për kundërshtarët e shumtë të Bashës brenda e PD-së. Jo më larg se dje, dy nga kundërshtarët e ashpër të Bashës, Jozefina Topalli dhe Astrit Patozi, reaguan pas publikimit të raportit të ministrave teknikë mbi zgjedhjet dhe shigjetat e tyre si gjithnjë kishin për objektiv kryetarin. “Rama mori më shumë nga çfarë mendonte dhe Basha më pak nga çfarë kishte llogaritur. 74 mandatet e Ramës hodhën në erë projektin për të bashkëqeverisur, por Lulzim Basha qëndroi deri në fund me shpresë se Rama do e fuste në qeveri. Deri këtu s’ka asgjë që nuk dihet. Shitja e opozitës është njëra anë e Bashës. Ana tjetër është manipulimi i zgjedhjeve brenda PD prej tij” -tha Topalli. Në të njëjtën frymë, por me “stil” tjetër reagoi edhe Astrit Patozi. “Lulzimi ka vetëm dy mundësi tani: ose ta besojë plotësisht raportin e teknikëve, që i bie të bojkotojë parlamentin dhe të hapi prapë “çadrën e lirisë”. Ose, në rast të kundërt, ta qepë gojën e të mos flasë më për vota të blera dhe të vjedhura, por të lëpijë ndonjë kockë që mund t’i vijë nga Edi Rama, nëse ky i fundit do ta ketë zemrën e gjerë. Kam bindjen se ai nuk do të bëjë, as njërën dhe, as tjetrën. Siç ka ndodhur gjithmonë gjatë këtyre katër vjetëve. Sepse gjëja që urren më shumë në jetë ai është që të marrë vendime”. Mjaftojnë qoftë edhe këto dy zëra për të kuptuar se Basha në karrigen e forcuar të kryetarit të PD-së do ketë gjithnjë zëra kundër. Kryedemokrati u ka bërë qasje dhe “llogarinë” e ka me anëtarësinë e thjeshtë të PD-së që i dhanë besimin në drejtimin e partisë. Në çdo kohë do nxjerrë marrëveshjen e 18 majit jo më për shpëtim personal, por mënyrë për t’i ofruar vendit një kahje tjetër politike, edhe kur je në opozitë. Bëhet fjalë për ndryshimet kushtetuese dhe reformën zgjedhore. Kundërshti nga Rama nuk mund të ketë, që gjithsesi në qeverisje i vetëm kërkon një opozitë bashkëpunuese dhe në fund të dy kanë interes. Më e rëndësishme mbetet reforma zgjedhore, duke nisur që me ndryshimet teknike për mënyrën e votimit deri në diskutimin thelbësor të sistemit zgjedhor. Në ndryshimet teknike pritet që votimi dhe numërimi elektronik të jetë një opsion që në zgjedhjet e ardhshme lokale, apo edhe votimi e emigrantëve janë në diskutim. Basha dhe Rama mund të ulen të dy sërish për të diskutuar edhe variantin e një sistemi me “prim” që do sillte automatikisht për partinë e parë në zgjedhje edhe formimin e qeverisë, pa pasur nevojë koalicionesh. Nga ana tjetër, sistemi aktual, rikthimi te mazhoritari, apo proporcional kombëtar mbesin opsione që në fund do peshohen mirë nga dy liderët Rama dhe Basha. Ndonëse kjo mund të sillte reagimin e LSI dhe partive të tjera të vogla, votat e bashkuara PD-PS janë në gjendje të ndryshojnë kushtetutën. “Reformimi thellësor i sistemit zgjedhor, përfshi votimin dhe numërimin elektronik, është prioritet i Partisë Demokratike. Partia Demokratike qëndron e palëkundur në bindjen e saj se vendi ka nevojë për një reformë të thellë të sistemit politik, për të risjellë ndarjen, kontrollin dhe balancimin e pushteteve; për të garantuar të drejtat e individit dhe kontrollin demokratik të pushtetit nga opozita; për ta vënë politikën në shërbim të njerëzve dhe jo anasjelltas”, deklaroi Basha, i cili njëkohësisht dha “lajmin” se bashkëpunimi me PS-në do të vijojë për çështje madhore. Në dhjetëvjeçarin e fundit katërshja Berisha-Rama-Basha-Meta ishin lojtarët e vërtetë të politikës, ndërsa tashmë Basha-Rama kanë në duar të luajnë “vetëm” dhe forma më e mirë për t’i bërë protagonistë mbetet bashkëpunimi në vijimësi.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Donald Lu foli politikisht, as juridikisht dhe as diplomatikisht

Nga Ervis Iljazaj Siç ndodh zakonisht në situata të tensionuara politike, nga...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.