Rama-Basha: Takimi i fateve politike



22 Ftesa doreRama dhe Basha mund të përcaktojnë historinë e vendit, në takimin që pritet të ndodhë në fillim të qershorit, duke i dhënë rrugë Reformës në Drejtësi dhe digjitalizimin e zgjedhjeve të 2017-s, por edhe të vendosin fatin e tyre politik

Nga Vladimir Karaj 

Takimi që pritet të ndodhë, por që mund edhe të mos ndodhë, është futur në kanalet burokratike të caktimit të vendit e orës. Me gjithë ironinë që lexohet në dy letrat e shkëmbyera prej kabinetit të kryeministrit Edi Rama dhe asaj të kreut të opozitës Lulzim Basha dhe atmosferën armiqësore të akuzave publike për krime, të cilat palët nuk i kanë ndaluar gjatë gjithë ditës, takimi mund të ndodhë të mërkurën që vjen ose menjëherë pas kësaj.

Rama dhe Basha ulen në fakt për të diskutuar jo vetëm fatet e dy reformave, asaj në drejtësi që pret votimin dhe asaj zgjedhore, që duhet të kryhet në vijim, por edhe fatin e tyre politik. Por takimi mund edhe të përfundojë në barsoletë nëse opozita e sheh si përshkallëzim lufte përjashtimin e ish-kryeministrit Sali Berisha nga kuvendi, ndërsa shumica ta përdorë këtë si shenjë se opozita kërkon sërish pretekst. Pritshmëritë prej një takimi variojnë prej arritjes së një “armëpushimi” dhe krijimi të një mjedisi të ri politik, deri te aludimi për pakte konspirative, por sigurisht gjasat për një marrëveshje të madhe, nuk duken bindëse. Reforma në Drejtësi dhe fillimi i punës për zgjedhje të digjitalizuara (e paqartë nëse kjo mund të arrihet teknikisht) mund të krijojnë premisa për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE.

Historia

Shqipëria është mësuar me takime krerësh që vendosin për fatet e vendit. Takimi Fatos Nano-Sali Berisha në 2002, ishte përcaktues për jetën politike në vend dhe madje edhe për fatin politik të një sërë figurash, të angazhuara ose jo atëherë në politikë. Dyshja e vjetër e pluralizmit përcaktoi fatin e një liste të gjatë institucionesh dhe po ashtu edhe fatin e zgjedhjeve të ardhshme dhe ndarjen përfundimtare të Ilir Metës me socialistët e krijimin e Lëvizjes Socialiste për Integrim, që përfshiu në atë kohë një numër jo të vogël figurash të goditura gjatë paktit për zgjedhjen e një presidenti konsensual. “Takimi (i vitit 2002) ishte produktiv pasi u parapri nga shumë komunikime dhe përgatitje paraprake nën një atmosferë politike në përmirësim e qetësim deri në atë takim e që vijoi e këtillë për thuajse 1 vit pas takimit”, thotë analisti Artan Hoxha, për MAPO. Ai e sheh situatën politike të fillimit të viteve 2000, më të ndryshme nga e sotmja edhe pse diferencat mes palëve mund të kenë qenë më të mëdha.

Një marrëveshje e ngjashme u bë edhe pse pa një takim mes Ramës dhe Berishës në 2009. Marrëveshja erdhi pak kohë para zgjedhjeve të reja, solli ndryshime rrënjësore kushtetuese dhe u duk se vuri një stabilitet të ri në politikë edhe pse ajo u përmbys e gjitha menjëherë pas zgjedhjeve.

Përpjekjet e tjera për të krijuar një dakordësi të gjerë, kanë qenë kryesisht përmes ekraneve televizive. Palët gjithmonë kanë qenë dakord me një “por” që përcaktonte takimin në mënyrë të tillë që ai të mos kryhej. Qëndrimet ekstreme dhe gjestet e rralla të normalitetit mes politikanëve në vendin tonë janë me shumë gjasë edhe një mbulesë e mungesës së diferencave të qarta në program dhe i pamundësisë për ide që do i veçonin palët. Për ta ilustruar, PD sot në opozitë po propozon pak a shumë të njëjtat politika fiskale që propozonin socialistët në të njëjtin pozicion, si ulja e TVSH-së për një listë produktesh.

Stërkëmbëshat

Socialistët mund ta kenë hedhur në erë vullnetin e treguar, madje lutjen me të cilën kryeministri iu drejtua Bashës duke dënuar 10 ditë ish-kryeministrin Sali Berisha për gjuhën e përdorur në kuvend. PD ka njoftuar një mbledhje grupi sot për të vendosur se si do të reagohet pas këtij vendimi, ndërsa kryetari i PD-së, Basha, ndodhet jashtë vendit në një takim të Partive Popullore.

“Më është krijuar bindja pasi është e disata herë që sapo i afrohemi momentit të votimit të Reformës në Drejtësi, një grup brenda PS-së është i interesuar që ta shohë PD-në jashtë parlamentit dhe ndaj ndërmarrin iniciativa të tilla, që realizohen lehtësisht me mekanizmin e votës që kanë në Byronë e Kuvendi”, tha dje pas vendimit, Edmond Spaho, duke lidhur kalimin e reformës tashmë të ngecur, edhe me këtë vendim të fundit të shumicës.

Por Rama dhe Basha mund ta neglizhojnë këtë, nëse kanë vendosur se ka diçka për të biseduar dhe nëse vërtet besojnë se mund të arrijnë dakordësi politike për një apo disa tema të shtruara për zgjedhje prej foltoreve të partive. Në të kundërt, ftesat dhe përbetimet publike për hapje dhe gatishmëri, mund të jenë thjesht pjesë e skemës për të treguar faqen e mirë, para se të tregohen gishtat për atë që po e prish idilin.

A mund të jetë historike?

Gjasat janë që një dakordësim për një apo dy prej pikave të mbetura pezull të reformës mund të sjellin një ndryshim jo të vogël në të ardhmen e afërt politike. “Nëse ky takim do të sjellë miratimin e Reformës në Drejtësi, që është jetike për vendin, ai sigurisht do të jetë historik për të ardhmen e vendit”, thotë për MAPO, Mentor Nazarko. Por ai nuk ngutet të parashikojë rezultate të mundshme, duke u bazuar me gjasë edhe te historia e mëhershme e negocimeve, prej të cilave palët kanë devijuar me lehtësi. Por sidoqoftë, sipas tij, Basha ka përgjegjësinë më të madhe dhe madje edhe provën. “Politika nuk është shkencë ekzakte, por ky është një lloj testi për autoritetin e Bashës, për primatin e tij në PD”, thotë Nazarko.

Por Artan Hoxha nuk e sheh me optimizëm. “Nëse takimi ndodh, me ç’është thënë deri tani, druaj shumë se ai nuk do të jetë produktiv apo më mirë do të jetë shumë pak produktiv, krahasuar me takimin Berisha-Nano në pranverën 2002”, thotë ai. Duke iu referuar vitit 2002, Hoxha vë në dukje se ka një ndryshim të madh në skenën politike. “Trepolariteti i sotëm 2016, si gjendje fakti e tri poleve, është e vetmja ngjashmëri numerike me kohën e takimit Nano-Berisha 2002, ndërsa në të gjitha zhvillimet e tjera, qoftë sasiore, qoftë cilësore, qoftë si interesa palësh, pritshmëri të tyre apo perceptime të risqeve, nuk kanë ngjashmëri me trepolaritetin 2002, ndaj me shumë gjasa, takimi Rama-Basha s’mund të ketë të njëjtin produktivitet, ndonëse dëshiroj e uroj të kundërtën”, thotë Hoxha. Ai madje kujton se dy takime të tjera mes Ramës dhe Berishës në periudhën mes 2010-2012 nuk sollën asgjë.

Për Nazarkon, e rëndësishme është që nëse arrihet në vendimmarrje, palët t’i qëndrojnë asaj. “Të shohim nëse do ju qëndrohet vendimeve që mund të merren në këtë takim apo do të marrin më pas ngjyra të tjera”, thotë ai, duke mos nxituar të flasë nëse takimi do të ketë një peshë për historinë e vendit edhe pse sheh miratimin e reformës si “themeltare” dhe si diçka për të cilën palët nuk duhet të ndalen pavarësisht se si ndikon në fatet politike.

Letrat

Dje sigurisht, ishte dita e letrave. “Duke marrë shkas nga shprehja publike e gatishmërisë së zotit Lulzim Basha për t’u takuar me kryeministrin, zotin Edi Rama, jam e autorizuar t’ju komunikoj se ftesa që kryeministri i ka dërguar zotit Basha mbetet gjithmonë e hapur. Kryeministri është i gatshëm të takohet me kryetarin e Partisë Demokratike që nesër në orën 11:00. Zoti Basha është sigurisht i mirëpritur të caktojë orën e takimit në çdo rast”, thuhet në letrën e Vali Bizhgës, shefe kabineti e kryeministrit. Bizhga, duke marrë të mirëqenë deklaratat publike të kreut të opozitës, kishte përcaktuar edhe vendin e takimit, madje dhe pjesën e delegacionit në krahun e qeverisë. Rama e ftonte Bashën në kryeministri, në sallën e hartave, ndoshta edhe për t’i treguar se ai është i zoti i asaj shtëpie. Në krahun tjetër, PD nuk refuzoi. Përgjigja ishte po aq kordiale dhe po aq jo përcaktuese. “Për shkak të një agjende ndërkombëtare të konfirmuar më parë, kryetari Basha është i mundur të realizojë takimin duke nisur prej ditës së mërkurë, datë 1 qershor 2016. Për ditën, vendin dhe formatin e takimit, jam e gatshme të vendosim kontakt menjëherë me ju për të nisur rakordimet e nevojshme”, thuhet në letër-përgjigjen e shefes së Kabinetit të PD-së, Greta Deljani. Me gjasë, Basha mund të mos e pranojë takimin në sallën e hartave në këmbim të një vendi më neutral, por detajet e tilla nuk do të kenë shumë rëndësi. Takimi mund të vendosë se si do të zgjidhet kërkesa e opozitës për 2/3 e votimit të anëtarëve të disa institucioneve të drejtësisë, po ashtu mund të jetë i rëndësishëm edhe për të përcaktuar nëse pjesërisht apo plotësisht Shqipëria do të shkojë në zgjedhje të digjitalizuara në elemente të identifikimit apo edhe votimit.

Rama dhe Basha nuk ulen në një takim që thjesht përcakton se si mund të kapërcehet ngërçi dhe miratohet Reforma në Drejtësi apo as hapjen e rrugës për Reformën Zgjedhore, pasi e dinë që ai mund të caktojë edhe fatet e tyre politike. Një pakt Rama-Basha është përfolur që herët në nivele konspirative dhe me gjasë një të tillë nuk mund të ketë, por qëndrimet që ata do marrin mbi çështjet e ditës do të kenë jo pak rëndësi edhe për lëvizjen e aktorëve të tjerë në politikë. Ilir Meta mund të ketë sërish të drejtën të ndihet i përjashtuar dhe i kërcënuar nëse dy të mëdhenjtë përcaktojnë pa të kushtet e lojës. Nga ana e tij, Sali Berisha nuk duket se është gati të lëshojë gjithë terrenin dhe do jetë e vështirë të pranojë pakte që mund ta lënë atë jashtë. Risku i takimit është që ai mund të mos prodhojë asgjë, madje edhe të mos ndodhë duke e kthyer debatin në pika zero, prej nga palët do vijojnë betejë llogoresh.

loading...
Shkruar Nga
More from revista mapo

Fshati shitet

Trendi i fundit i dyndjes drejt fshatit për biznes në bujqësi, blegtori,...
Read More