Rama duhet të shkojë tek origjina e problemit, të gjejë kush është primum movens?


Nga Arjan Çuri

Tashmë është bërë zakon që njerëzit, jo vetëm komunikojnë drejtpërsëdrejti me Kryeministrin në rrjetet sociale, me anë të komenteve të tyre, duke shfryrë mllefin për pakënaqësitë e çdo lloji, që kanë të bëjnë me qeverisjen, por që nga ana tjetër, po kënaqen pa fund me gjithfarë lëvizjesh alla koloseane, si të perandorëve romakë dikur, që ulnin ose ngrinin gishtin e madh të dorës, për të falur apo dënuar një gladiator me vdekje, pas betejës së bërë prej tyre, mbasi kishin ezauruar gjithë fuqitë jetësore që i mbanin në këmbë. Dhe perandorët që ishin mjeshtër të politikës dhe vetadhurues deri në hyjnizim të vetvetes, siguroheshin, që t’ua linin njerëzve të pranishëm, ose më mirë të bënin sikur ua linin, gjykimin për jetën apo ekzekutimin e luftëtarëve argëtues.

Në këtë fazë, Kryeministri duhet të shkojë tek origjina e problemit, dhe jo thjesht te konstatimi i tij, nëpërmjet bërtitjes publike të simptomave, pasi simptomat mund t’i kurosh përkohësisht, duke shkarkuar në masë drejtorë e ambasadorë, por nëse nuk ke kujdes se me çfarë gjaku të ri do e zëvendësosh atë të vjetrin, që është i prishur që në themel, do ta zgjatësh më tepër agoninë e pacientit shtet, dhe nëpërmjet një transfuzioni gjaku të papërshtatshëm, do ta çosh atë drejt një shkatërrimi të pashmangshëm. Gjaku i vjetër do ta prishë të riun, nëse nuk hiqet e flaket tej çdo qelizë e infektuar. Gabimi që mund të bëjë tani Kryeministri që ka marrë në duar bisturitë e këtij operacioni delikat, që po bëhet në afate ekstreme, pasi kohët nuk presin më, do ta bënte më pas të pamundur nga dikush tjetër përsëritjen e po të njëjtës procedurë, pasi ky është shansi i fundit për restaurim të këtij shteti, që duket sikur nuk do që të bëhet qysh prej shpalljes së tij, për më shumë se një shekull më parë.

Le të na lejojë, i mandatuari me fuqi absolute tashmë prej popullit, që në këtë fazë, t’i japim atij një sugjerim që na vjen nga bota e filozofisë, dhe nga historia e mendimit njerëzor, siç kjo histori e mendimit e ka regjistruar në kronikat e saj. Shqetësimi i vetëm që kishin filozofët e lashtësisë, ishte jo që të konstatonin problemet apo realitetin, pasi atë e konstatonin dhe vdekatarët e zakonshëm, por që të shkonin tek arhe, te shkaku, apo te principi i gjërave, objekteve, apo edhe vetë jetës, pasi kështu besonin se do të kuptonin më mirë çdo fenomen natyror apo psikik që shqetëson njeriun, duke dhënë më pas edhe zgjidhjen e duhur, për ta shpëtuar atë nga ankthi ekzistencial që vjen si pasojë e injorancës e për ta çuar atë drejt paqes së brendshme dhe lumturisë së qëndrueshme.

Kështu, Talesi i Miletit, që ishte një prej shtatë të urtëve të Greqisë, matematicien dhe astronom, përveçse filozof, i konsideruar prej Aristotelit si i pari në zinxhirin e filozofëve grekë të lashtësisë, madje edhe emri i parë i njohur prej historisë së mendimit njerëzor, si rrënja dhe themeli i të gjithë mendimit filozofik perëndimor dhe shkencave natyrore, që i atribuohet edhe një teoremë në emër të tij në gjeometri, përveçse njihet edhe si zbuluesi dhe themeluesi i disiplinës së matematikës, u mor dhe u preokupua vetëm me një gjë, me origjinën e universit dhe të vetë jetës. Vetë Aristoteli në studimin e tij të ligjësisë së shkakësisë do t’i referohej Talesit me respekt absolut, duke na zbuluar se me anë të meditimit dhe vëzhgimit filozofik, ai konsideroi si origjinë absolute të natyrës dhe materies, dhe rrjedhimisht jetës, vetëm një element, ujin. Përfytyroni se ky mendim, i thënë që në shekullin e shtatë para Krishtit, është sot në themel të çdo sonde të dërguar në hapësirë, ku për të gjurmuar jetën, astronomët nuk bëjnë asgjë tjetër veçse gjurmojnë praninë e ujit, pasi është vërtetuar tashmë ideja e Talesit, që nuk kishte asnjë instrument tjetër veç mendjes së vetë të fuqishme filozofike, se jeta lind vetëm brenda ujërave.

Në të njëjtën mënyrë mendimi, filozofët pasardhës u morën me ligje të shkakësisë, ligje që sot janë në qendër të shkencave natyrore dhe humane dhe që përdorën gjerësisht prej tyre për hetimin shkencor të realitetit. E aplikuar kjo metodologji e kauzalitetit, që na vjen prej lashtësisë, në shqetësimin që ka Kryeministri për të bërë shtet e për të shëruar administratën shtetërore nga individët e kontaminuar që e kanë helmuar atë me korrupsion, do të shkonte në hetimin e ligjit të shkakësisë, gjë që Rama e ka filluar ta mendojë me kohë. Pra, e korrupton njeriu administratën apo kjo e fundit njeriun, dhe mendojmë që mbasi e ka kapur shkakun fillestar, ka filluar spastrimin e individëve për të shpëtuar administratën. Por Talesi i Miletit do ta shtynte timonierin ta çonte makinën e mendimit të tij, në një hetim më të thellë e të guximshëm të realitetit shtetëror. Rama, duhet të fillojë një udhëtim kontemplativ zinxhir, të shkakësisë së gjërave. Fillimin e ka bërë vetë, administratën e prishin njerëzit, po njerëzit kush po i prish? Ata që i emërojnë që edhe ata janë të prishur, pra drejtorët e tyre, dhe drejtorët e drejtorëve të tyre e kështu me radhë, deri te deputetët e ministrat.

E në mendimin final, cili është shkaku primar i gjithë këtyre gjërave? Shkaku fillestar i çdo pasoje, është ai që i lëviz gjërat që varen prej tij. Kështu nëpunësi, drejtori, drejtori i drejtorëve, deputeti e ministri, lëvizin njëri-tjetrin, sipas një piramide hierarkike në një ligjësi absolute shkak-pasojë. Dhe në fund të gjithë kësaj piramide, në majë të saj, vjen shkaku primar i gjërave, ai që lëviz çdo gjë tjetër, por që nuk lëviz vetë, pasi po të lëvizte vetë, do të kishte një shkak tjetër, sipër tij. Aristoteli do ta quante këtë gjë, që ishte në maj të zinxhirit të tij kontemplativ të kauzalitetit si kinoun akineton (lëvizësi i palëvizshëm). Latinët këtë term do ta përkthenin si primum movens, i pari pra, që i lëviz të gjithë, por që nuk lëviz vetë, se nuk e lëviz dot askush. Kështu, sipas mandatimit të universit popull, të gjithë mund të lëvizin këta katër vjet në këtë shtet, përveç Kryeministrit që është i palëvizshëm, apo primum movens, që i lëviz ama të gjithë të tjerët.

Kështu pra, duke kërkuar timonin, Rama, si pa e kuptuar as vetë, i kërkoi sovranit që është natyra themel e shtetit ta bënte atë shkakun e të gjitha gjërave, të paktën për katër vjet akoma. Në këtë mënyrë, origjina e zgjidhjes së problemit të shtetit, apo e agravimit të mëtejshëm të tij, është vetë ai, dhe askush tjetër, pasi vetëm ai është shkak i palëvizshëm i çdo shkaku tjetër poshtë tij, por që të gjithë të lëvizshëm. Në këtë mënyrë, Rama dhe askush tjetër, sipas një qasjeje reduksioniste, por edhe tërësisht realiste është emëruesi, shkaku, i çdo ministri, deputeti, drejtori të madh e të vogël, dhe me radhë deri te nëpunësi më i ulët i administratës.

Prandaj, për të bërë shtet e administratë të shëndetshme, Rama duhet të mbështesë fort këmbët në një ratio shtetformuese, që e kërkon Kryeministrin të jetë në lartësinë e detyrës së tij. Vetëm kështu, ai do të shkaktojë në saktësi dhe në mënyrë të shëndetshme, çdo vartës të tij, prej të cilëve janë edhe ambasadorët leshko, që ai evidentoi. Le t’i japë vetes dinjitetin që meriton, duke i dhënë dhe çdo pasojë që rrjedh prej tij të njëjtin dinjitet sipas rangut. E ambasadorëve mundësinë që t’i blejnë vetë kostumet e tyre, e të mund të paguajnë sipas dinjitarisë së tyre, makinat, sallat e ambientet e përshtatshme, në të cilat do të bëjnë diplomacinë e tyre ekonomike, publike apo klasike.

Sepse nëse ambasadorët do të lihen në dinjitetin e leshkove, atëherë çdo i kontaktuar prej tyre do të mendojë se leshko është edhe shteti që ata përfaqësojnë, si shkaktar i tyre, e kjo, deri te primum movens

Shkruar Nga
More from Redaksia

Anëtarësimi në BE/ Hahn u ‘fik’ shpresat shqiptarëve: Me kismet…

Pas takimit me kryeministrat e Ballkanit Perëndimor, komisioneri Johanes Hahn pohoi se...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.