Rama e Basha japin mesazhe shprese: E nesërmja do të shkëlqejë si kjo ditë vere

 

Sot është Dita e Verës. Festa është përqendruar në qytetin e Elbasanit, aty ku kanë nisur tashmë festimet.

Mbrëmjen e djeshme është organizuar një koncert i madh festiv në sheshin ku sot janë dyndyr njerëzit që kanë vendosur ta festojnë këtë ditë pikërisht në Elbasan.

Sot do të ketë aktivitete të shumta, duke nisur me një garë çiklizmi, paradë karnavalesh të shkollave 9-vjeçare dhe Panairi i Zejeve me veshje tradicionale.

Por rreth orëve të para të mëngjesit të ditës së sotme u regjistrua një tërmet në Elbasan.

Tërmeti ishte me magnitudë 3.2 ballë dhe epiqendra e tij ishte në Kuturman.

Mësohet se lëkundjet e tokës u ndjenë rreth orës 4:20 të mëngjesit të ditës së sotme.

Nuk raportohet për të lënduar apo dëme materiale dhe duket se ky tërmet nuk do të bëhet pengesë për festimin e Ditës së Verës në Elbasan ku pritet një numër i madh vizitorësh nga e gjithë Shqipëria.

Dita e Verës ka bërë që dy politikanët kryesorë në vend të japin mesazhe shprese.

Kryeministri Edi Rama edhe këtë vit ka zgjedhur Elbasanin për të festuar Ditën e Verës, e cila përkon edhe me axhendën dy ditore të qeverisë që zgjodhi këtë qark për të mbledhjen e radhës.

Kreu i qeverisë siguroi kryebashkiakun e Elbasanit se po punohet për të siguruar më shumë punësim e mirëqenie, por që të realizohen duan kohën e tyre.

“Ka filluar të mos mbahet dot mend që kur kemi ardhur në Elbasan për Ditën e parë të Verës, por mbaj mend shumë mirë si ka qenë Elbasani, përsëri edhe këtë vit shquhen ndryshimet e rëndësishme nga viti i kaluar, të tjera do të ndodhin, do t’i bëjmë të ndodhin.

Dhe ajo që është më e rëndësishme është të fuqizojmë vazhdimsht mundësitë e njerëzve për të pasur më shumë punësim, për të pasur më shumë ekonomi, për të pasur më shumë siguri për të nesërmen.

Hap pas hapi, çdo ditë diçka po bëhet në funksion të një të nesërme që do të shkëlqejë si kjo ditë vere”, tha Rama.

Pas kryeministrit Edi Rama, edhe kryetari i opozitës Lulzim Basha ka uruar të gjithë shqiptarët për Ditën e Verës. I pranishëm në Panair, Basha uroi të gjithë shqiptarët për Ditën e Verës.

“Dua t’ju uroj nga zemra të gjithë sipërmarrësve, tregtarëve të cilët paraqesin punët e tyre në panair. Jam impresionuar nga të gjitha punimet e dorës të të gjitha zonjave shtëpiake.

Gjithashtu jam i impresionuar që në Elbasan ndodhet një nga fabrikat më të mëdha të prodhimi të paneleve fotovoltaike për prodhimin e energjisë.

Këto sektorë meritojnë mbështetje nga shteti. Gëzuar Ditën e Verës të gjithë qytetarëve të Elbasanit dhe të gjithë shqiptarëve.

Ashtu siç çelin lulet në pranverë, çeltë shpresa dhe optimizmi në zemrën e shqiptarëve”, tha kryeopozitari Basha.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Vetëvritet gruaja e gjyqtarit Dritan Hallunaj, hidhet nga pallati

    Hidhet nga pallati bashkeshortja e gjyqtarit te Krimeve të Rënda,...
Read More