Rama e Basha nuk flasin, por shqiptarët e nuhasin kurthin ‘ku kemi ngecur’

Këto ditë po diskutohet kaq shumë për lidhjen e krimit me politikën dhe shkëputjen e këtyre lidhjeve. Por shkaqet e krizës sonë janë më të thella

Nga Enton Palushi

“Ngado që të hedhësh sytë ka kriminelë. Situata është e dëshpëruar”. Këto ishin fjalët e fundit që shkroi në blogun e saj Daphne Caruana Galizia, pak përpara se të hipte në makinë për t’u larguar nga shtëpia e saj në fshatin Bidnija. Pak sekonda më vonë, një shpërthim i fuqishëm e hodhi makinën e saj 80 metra më tutje në një fushë. I biri vrapoi në vendngjarje, ndërsa boria e makinës vazhdonte të binte. “Pjesët e trupit të mamasë sime gjendeshin kudo,” shkroi ai pak më vonë në FB. Kështu e përshkruan “The Economist” atë ngjarje të 16 tetorit të këtij viti, kur ndërroi jetë gazetarja nga Malta, Daphne Caruana Galizia.

***

Shpërthimi që i mori jetën gazetares së guximshme bëri jehonë në mbarë botën, përfshi edhe Shqipërinë. Pasi kishte braktisur gazetën ku punonte, Galizia shkruante në një blog personal, duke bërë akuza nga më të fortat. Në momentin që vdiq, në ‘shpinë’ kishte mbi 40 padi për shpifje. Ishte një personazh kontrovers, por që kishte arritur të prekte në telat e rrezikshëm të korrupsionit. Se kush mund të ishte i interesuar për vdekjen e saj, kjo nuk mund të thuhet me saktësi, por ‘armiqtë’ mund të nisin që nga familja kryeministrore e deri tek mafia italiane apo ajo ruse. Nuk është çudi që në shkrimin e revistës “The Economist” theksohen të paktën dy elementë të rëndësishëm: i pari, që pavarësisht se opozita e quan këtë ngjarjen më të errët në historinë politike të vendit, në tubimin-protestë për vdekjen e gazetares mezi u mblodhën një grusht njerëzish; dhe e dyta, që Malta e vogël ka arritur që të ‘flirtojë’ me krimin e korrupsionin, jo pa rezultate, pasi rritja ekonomike ka shkuar deri në 7 përqind.

***

Nuk janë të pakta vendet e vogla që tentojnë dhe ‘flirtojnë’ me krimin për të rritur mirëqenien e përgjithshme. Por rreziku është i madh dhe ashtu siç shkruan revista Monitor në një analizë të saj, modeli ekonomik i krimit nuk ka çuar përpara asnjë vend. A është e mundur që edhe Shqipëria të ketë ‘flirtuar’ me këtë model për hir të zhvillimit? Askush nuk e thotë me saktësi, por para disa ditësh agjencia franceze AFP citonte një diplomat të huaj teksa thoshte se të ardhurat nga kanabisi janë sa një e treta e GPD-së.

Avokat Spartak Ngjela, që i thotë gjërat hapur, shprehej disa muaj më parë se kanabisi është lejuar qëllimisht. “Ça ndodhi dy vitet e fundit? Kush ishte sekreti i dy viteve të fundit? Dy vitet e fundit, qeveria ishte në embargo. Qeveria ishte në dekadencë, mund të shpëtonte ose jo. Atëherë futi në treg kanabisin. E futi në treg dhe e la të lirë. Është ndryshe ta fusësh në treg dhe ndryshe ta lësh në ajër. Po e fute në treg, shteti merr para. Kur e futi në treg, e shpërndau në shumë duar dhe ne ndjemë. Pa fshatarët kjo gjë nuk bëhej. Duke e futur në treg, qeveria nuk kishte nevojë për para, sepse i merrte në forma të tjera të korrupsionit. E futi në treg për shtetin, pasi kjo shumësi e madhe që merr nga kanabisi, del në treg, në blerje dhe të gjithë janë të kuotuar dhe paguajnë taksa”, shprehej Ngjela. Kështu duket se ka shumë të fituar, njerëzit që e mbjellin dhe e shesin, qeveria që fiton të ardhura, politikanët që mbledhin para për të jetuar mirë dhe zyrtarët e interesuar për të blerë vota. Por vetëm se fundi është i hidhur. Ai vjen zakonisht me një ‘bum’. Siç po ndodh me historinë e Saimir Tahirit.

***

Me krim apo pa krim, duket se politikanët shqiptarë e kanë kuptuar diçka, por nuk e thonë dot hapur. Prej vitesh duket se Shqipëria ka ngecur, se përparimi është i vakët dhe se dëshpërimi është i madh. Edhe qytetarët nga ana e tyre e kanë nuhatur, ndryshe nuk shpjegohet dëshira e tyre e madhe për të emigruar pikërisht në këtë kohë, pasi kurrë më mirë se më parë nuk kanë qenë shqiptarët. Njerëzit nuk dinë t’i vënë një emër kësaj që po ndodh, por ashtu siç thotë gjeniu i Ogilvy, Rory Sutherland, sa herë që nuk kemi një emër për atë që shohim apo ndjejmë, në ndihmë na vijnë ekspertët.

***

Dhe ekspertët ia kanë vënë një emër prej kohësh gjendjes ku ndodhet Shqipëria. Bëhet fjalë për një teori interesante ekonomiko-politike, të quajtur “kurthi i të ardhurave të mesme”. Teoria është trajtuar për herë të parë nga profesori i Universitetit të Kalifornisë, Geoffrey Garrett në një shkrim për “Foreign Affairs” në vitin 2004. Eseja e tij u përdor më vonë nga dy ekonomistë të Bankës Botërore, të cilët shpikën edhe termin. Sigurisht edhe kjo si shumë teori të fushës ekonomike është e shumëdebatuar, por kohët e fundit po përdoret kaq shumë. Arsyeja është shumë e thjeshtë: Shumë ekspertë druhen se Kina mund të bjerë në këtë kurth. Ajo nuk do jetë e zonja që të mbërrijë te vendet me të ardhura të larta.

***

“Kurthi i të ardhurave të mesme” ndodh përgjithësisht kur një vend njeh rritje të shpejtë ekonomike, e cila e nxjerr atë nga varfëria. Por ‘ngec’ aty në mes, pa pasur mundësi që të shkojë më lart. Shumë vende tani po diskutojnë se si të shpëtojnë nga ky kurth. Për të ilustruar se sa e vështirë është që të dalësh nga ky kurth, mjafton të thuhet se shumica e vendeve që ishin vende me të ardhura të mesme në vitin 1960, ishin të tilla edhe në vitin 2008. Vetëm 13 vende ia dolën që të bëhen vende me të ardhura të larta. Mes tyre edhe Greqia.

***

Shqiptarët nuk kanë faj. Shumë afër kanë vende që janë me të ardhura të larta. Por e dinë se që të kapin nivelin e tyre, duhet të hyjnë në një garë të fortë. London School of Economics thotë se të kalosh nga vend me të ardhura të mesme, drejt të ardhurave të larta, kërkohen të tjera kapacitete, të ndryshme nga ato që janë përdorur në fazën e parë të zhvillimit. Mirëpo Shqipëria e ndjen se nuk i ka kapacitetet për të konkurruar me vende kaq të fuqishme dhe të përparuara në fushën e inovacionit. Madje, madje në kohën kur konkurrenca është kaq e madhe, rrezikon të humbasë edhe avantazhet e tregut të lirë të punës. Ky makth ku kemi mbetur mund të zgjidhet me reforma të mëdha e të guximshme. Prandaj marrëveshja e 18 majit ishte një sinjal pozitiv, por ajo duket se ka vdekur. Sepse lufta politike duhet bërë e tillë për të marrë pushtetin. Shihni vetëm faktin se si i qaset opozita problemit të mbetjeve, duke refuzuar tre opsionet e zgjidhjes: riciklimin, landfillet dhe incineratorët. Në këto kushte, duket se mazhoranca po i kthehet projektit të ‘gjërave që bien në sy’, me investime në infrastrukturë duke shpresuar se ato do sjellin jo vetëm mirëqenie ekonomike, por edhe vota. Megjithatë kur sheh rajonin e varfër të Kukësit, që nuk ‘ia pa hajrin’ Rrugës së Kombit për një dekadë, e kupton se përse ata ishin të parët që hapën eksodin e ri…

Ku gabojnë shqiptarët që duan të largohen nga vendi

Për të kuptuar më thellë dëshirën e shqiptarëve për t’u larguar nga vendi, duhet të kthehemi pas në vitin 2015, në një tjetër studim interesant nga OECD. Atëherë organizata e njohur pyeste se cila është çështja më e rëndësishme për njerëzit në të gjithë botën?

Të dhënat e bazuara në informacionet e 2011-2014 të Indeksit të Jetesës nga OECD, Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, jepnin një panoramë të gjerë rreth shqetësimit kryesor që njerëzit kanë.

Po të shihej grafiku me kujdes, harta e vendit tonë është në ngjyrë portokalli, ngjyrë kjo që tregon të ardhurat. Pra, ajo çfarë u intereson shqiptarëve në mesin e punës, sigurisë, raportit punë-kohë e lirë, edukim, sa të kënaqur janë nga jeta, shëndeti, komuniteti, mjedisi: janë pikërisht të ardhurat.

Ajo çfarë vihej re sërish nga grafiku i përditësuar me të dhënat respektive është se i gjithë rajoni ka si shqetësim kryesor shëndetin, madje edhe Greqia, sipas të dhënave të OECD. Ndërsa, Serbia, Bosnja dhe Hercegovina dhe Kroacia kanë si çështje kryesore sa të kënaqur janë nga jeta e tyre.

Pra shqetësimi kryesor për shqiptarët janë të ardhurat. Disa mund të thonë për shkak se jemi të varfër. Por prapë jemi vend me të ardhura të mesme-të larta. Duket se shqiptarët i duan të ardhurat pasi mendojnë se duke i pasur ato, do të zgjidhin shqetësimet e tjera.

Pra të ardhurat… Prej tyre presim një jetë më të mirë. D.m.th të jemi më të lumtur. A nuk është ky qëllimi final? Por a do jemi më të lumtur? Edhe pse lumturia është një nocion i vështirë dhe i gjerë, për të cilin mund të flitet e të shkruhet pafundësisht, një nga ekspertët më të mirë të kësaj fushe në botë, psikologu më i mirë dhe fitues i Nobelit, Daniel Kahneman, flet për një teori shumë interesante. Ai e quan atë iluzioni i fokusimit.

“Të ardhurat janë një përcaktues i rëndësishëm i kënaqësisë së njerëzve me jetën e tyre, por është shumë më pak të rëndësishme sesa mendojnë shumica e njerëzve. Nëse të gjithë do të kishin të ardhura të njejta, dallimet mes njerëzve në kënaqësinë ndaj jetës do të reduktoheshin me më pak se 5 përqind,” thotë Kahneman.

“Të ardhurat janë akoma më pak të rëndësishme në përcaktimin e lumturisë emocionale. Fitimi i lotarisë është një ngjarje e lumtur, por kjo nuk zgjat. Mesatarisht, personat me të ardhura të larta janë në humor më të mirë se njerëzit me të ardhura të ulëta, por dallimi është rreth 1/3 më i madh se ç’presin shumica e njerëzve. Kur mendoni për njerëzit e pasur dhe të varfër, mendimet tuaja janë pashmangshmërisht të fokusuara në rrethanat, në të cilat të ardhurat janë të rëndësishme. Por lumturia varet më shumë në të tjerë faktorë, se ç’varet tek të ardhurat”.

“Nëse shikoni çështjen e kënaqësisë në jetë dhe se çfarë i bën njerëzit të kënaqur me jetën e tyre, kjo ka shumë lidhje me qëllimet në jetë. Kur i pyetëm njerëzit se sa të rëndësishme janë të ardhurat kur ishin 18 vjeç, dhe kur pamë të ardhurat kur ishin 45 vjeç, zbuluam se njerëzit që thanë në moshën 18 vjeç se të ardhurat nuk kanë shumë rëndësi, në moshën 45-vjeçare nuk shqetësoheshin shumë për to. Por ata që thanë se të ardhurat kanë shumë rëndësi për ta në moshën 18-vjecare, më vonë në moshën 45-vjeçare, ishin në gjendje të mjeruar psikologjike. Pra qëllimet janë shumë të rëndësishme për kënaqësinë në jetë”.

Mësimet e profesor Kahneman kanë ndryshuar shumë gjëra në jetën e njerëzve në botë. Por nëse vërtet nuk u bëjnë përshtypje, të paktën do u bëjnë të mendojnë se rendja pas të ardhurave mund të mos e bëjë jetën shumë të mirë. Ose aq të mirë sa e mendonit. Kjo nuk do të thotë që të mos vazhdoni kërkimin…

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Matura Shtetërore: Studentët zgjedhin universitetet private

Nga të dhënat e fundit të Maturës Shtetërore shifrat tregojnë qartë që...
Read More