Rama: Emigracioni është i mirë, numri i të larguarve nga Shqipëria ka rënë

 

Kryeministri Edi Rama, i pranishëm në konferencën “Sfida e migracionit”, deklaroi se “nuk largohen vetëm shqiptarët drejt vendeve më të pasura”, duke shtuar se njerëzit ikin edhe nga vendet që janë anëtare të Bashkimit Europian.

“Në të gjitha vendet e reja të BE-së, Poloni dhe Kroaci për shembull, shohim se njerëzit largohen për të njëjtat arsye. Vetëm vitin e kaluar, nga Kroacia janë larguar plot 50 mijë njerëz, 90% e të cilëve të rinj. Por, ndryshe nga ne, ata nuk shënohen si azilkërkues sepse janë forca të lira pune që lëvizin për mundësi më të mirë punësimi dhe për integrim shoqëror në një vend më të zhvilluar të BE-së”, u shpreh Rama.

“Emigrimi jashtë vendit sot lidhet me mundësitë për punësimin, ndryshe nga vitet ‘90”, shtoi kreu i qeverisë.

Rama theksoi se emigracioni nuk është fenomen i keq, përkundrazi: “Secili ka të drejtën që të shkojë e të jetojë ku të dojë. Kush e vajton emigracionin si e keqe që ka mbërthyer Shqipërinë, e ka gabim. Kemi arritur shumë falë emigracionit, në dije, eksperiencë dhe kulturë. Fatkeqësia jonë është që e kalojmë këtë proces në një kohë ku gjithçka është “online”, ku dhe një grabitje në një fshat të Europës bën lajm. Të tjerët e kanë kaluar në kohëra të tjera. Nuk ka asnjë vend të zhvilluar sot që nuk e ka kaluar periudhën e emigracionit”.

Sipas Kryeministrit, në vitin 2017 nga Kroacia janë larguar 50 mijë qytetarë, ndërsa nga vendi ynë kjo shifër është më e ulët për të njëjtin vit, rreth 40 mijë.

Kreu i qeverisë theksoi se numri i emigrantëve apo azilkërkuesve shqiptarë ka ardhur në rënie në harkun kohor 2011-2017. Shifrat më të fundit nga Censusi tregojnë se krahasuar me vitin 2013, numri i shqiptarëve që emigrojnë ka rënë me 20%, ndërsa ka rënie akoma më të madhe në krahasim me 2011.

“Po të shikojmë më tutje trendin e lëvizjes në një periudhë 2011-2017, numri i emigrantëve ka shkuar në rënie. Nga censusi më i fundit është lehtësisht e lexueshme që në vitin 2017 në krahasim me vitin 2013 kemi 20% më pak emigracion ose 9500 persona më pak. Ndërsa në krahasim me vitin 2011 numri i emigrantëve ka rënë me rreth 15 mijë persona më pak”, deklaroi kryeministri Edi Rama.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Angeline Jolie dhe Brat Pitt në luftë për të fituar kujdestarinë e fëmijëve të tyre

Gati dy vite pasi që e ka dërguar kërkesën për divorc, çifti...
Read More