Rama: Janë 36 mijë vende të lira pune. Kemi program agresiv

Zyrat e Punës dhe roli i tyre do të ridimensionohen si objektiv i Qeverisë për të nxitur punësimin.

Kryeministri Edi Rama thotë se qeveria ka një program tepër agresiv në mbështetje të punësimit, por përsëriti thirrjen drejtuar sipërmarrjes për të mos iu shmangur detyrimeve ndaj shtetit dhe punëmarrësit.

“Praktika ‘një pjesë po ta jap me letra dhe një pjesë në të zëzë’, duhet të marrë fund. Sipërmarrjet nuk duhet t’u shmangen më detyrimeve ndaj shtetit, që dëmtojnë punëmarrësin”, deklaroi ai.

Kryeministri tha se reforma në arsim ka nisur të reflektohet në punësim.

“Arsimi profesional ka nisur të japë frutet e para, por thellimi i reformës është i domosdoshëm dhe do të na sjellë shumë më tepër rezultate në katër vitet që kemi përpara”, u shpreh ai.

Rama tha të enjten, në një takim me rreth 300 të rinj të punësuar në biznese private, se aktualisht në të gjithë vendin kërkohen rreth 36 mijë punonjës.

Janë 36 000 vende të lira pune sot në Republikën e Shqipërisë. Nuk janë vende të lira pune uniforme dhe për nivelin më të ulët të pagave, jo! Janë të të gjitha kategorive, për të cilët sipërmarrjet i janë drejtuar Shërbimit Kombëtar të Punësimit për ndihmë. Nisin që nga niveli më i lartë për pagat më të larta, deri tek pagat më të ulëta, për ata që s’kanë as diplomë, as shkollë, por janë të gatshëm të punojnë.

Kryeministri tha se një ditë më parë kishte pritur në kryeministri një sipërmarrës që kishte hapur 800 vende pune me metal, me 450 mijë lekë të vjetra, por deri më tani ka arritur të sigurojë vetëm 170 punëtorë.

Nuk ekziston një shqiptar i vetëm që t’i bëjë naze punës më të rëndë jashtë, këtu një në dy shqiptarë duan të punojnë, por në shtet, me orë të tëra të lira për tu marrë me punën tjetër të rëndësishme që janë llafet”, tha Rama.

Rama tha se ka edhe një të vërtetë tjetër “që ne e shikojmë si sfidë, puna e mirëpaguar dhe mirëshpërblyer. Këtu ne kemi një mal të tërë për të ngjitur. 800 kompanitë më të mëdha të vendit, deklarojnë se 42 për qind e punonjësve të tyre janë me paga nën 300 mijë lekë, dhe shkruajnë në librat e tyre inxhinier -300 mijë lekë, 250 mijë lekë.

Kryeministri përsëriti thirrjen se kompanitë nuk do munden dot t’u shmangen më detyrimeve ndaj shtetit.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Shqiptarët shpenzuan 62 milionë euro në spitalet private në 2016-n

Biznesi i spitaleve private në Shqipëri ka vijuar rritjen edhe gjatë vitit...
Read More