Rama kërkon 71 mandate, ku qëndron problem këtu?!

Nga Ervis Iljazaj

Edi Rama fushatën e tij zgjedhore më shumë e ka fokusuar te mënyra e qeverisjes se sa te përmbajtja e saj. Në çdo takim elektoral që zhvillon, e thekson gjithmonë e më shumë synimin e tij për të qeverisur i vetëm. Dje, në një intervistë me moderatoren Ilva Tare, po ashtu përjashtoi mundësinë e qeverisjes në koalicion me Lëvizjen Socialiste për Integrim, duke i qëndruar gjithmonë besnik objektivit të tij kryesor.

Mënyra e qeverisjes, që gjithashtu është një instrument shumë i rëndësishëm edhe për përmbajtjen e saj. Shpesh në këtë fushatë është kritikuar, në rastin më të mirë paqartësia e programeve dhe në rastin më të keq mungesa totale e tyre. Por, elementi kryesor që kërkon të zgjidhin këto zgjedhje, të paktën nga kampi socialist, është pikërisht sistemi politik që deri më tani me koalicionet e krijuara në mënyrë të sforcuar dhe të paqëndrueshme ka qenë një nga pengesat kryesore të një raporti të drejtë midis vendimmarrjes, përgjegjësisë dhe qeverisjes. Një raport i cili është një nga elementet thelbësore të demokracisë.

Pikërisht këtë kërkon Edi Rama të krijojë në këto zgjedhje. Alternativa politike të cilat janë të bazuara në platforma, vizione dhe parime të përbashkëta. Një mangësi kjo e politikës shqiptare në vitet e fundit edhe si pasojë e partive që kanë luajtur rolin përcaktues të mazhorancave parlamentare, të cilat kanë lëvizur sa në një krah në një krah tjetër politik, duke krijuar kështu qeverisje me llogari të mirëfillta politike dhe aspak mbi vizione të përbashkëta.

Dhe, për këtë mënyrë të re qeverisjeje, Edi Rama nga shumë kritikë të tij, është konsideruar si diktator, si një njëri që kërkon të gjitha pushtetet, vetëm për faktin se kërkon timonin e qeverisjes.

Ky mund të konsiderohet absurditeti më i madh i logjikës politike që është dëgjuar ndonjëherë më parë.

Që një forcë politike e rëndësishme, me tradita në një shoqëri të caktuar të kërkojë mandatin e plotë dhe të qeverisë e vetme sepse beson që vlerat e saj i duhen një vendi, është gjëja me logjikën më normale që ekziston. Aq më tepër një forcë politike e cila në zgjedhjet e kaluara shkoi afër këtij objektivi duke marrë 65 mandate parlamentare. E kundërta do të ishte jonormale.

Çdo forcë politike, kudo në Europë apo edhe përtej saj ka si synim marrjen e pushtetit duke përfaqësuar pjesën më të madhe të shoqërisë që beson në vlerat e saj.

Një synim i cili ka si objektiv vetëm pushtetin ekzekutiv me një mazhorancë që lejon një qeveri të qëndrueshme dhe jo kontrollin e pushteteve të tjera.

Por le të kthehemi te shqetësimi fals që është krijuar nga mbipushteti i Edi Ramës. Duke filluar që nga posti i Presidentit të Republikës që i përket rivalit të tij kryesor brenda të majtës, te pushteti gjyqësor që është i zgjedhur pothuajse i gjithi nga mazhorancat e kaluara e duke përfunduar te pushteti ekzekutiv që për shkak të marrëveshjes politike është duke u ushtruar nga tri forca politike, Kryeministri aktual i vendit mund të konsiderohet pa frikë si Kryeministri më me pak pushtet gjatë gjithë tranzicionit shqiptar.

Për të gjitha këto arsye, qeverisja e vetme nuk është as një krim politik dhe as një tentativë për të uzurpuar të gjitha pushtetet e tjera, por një logjikë normale politike e cila është detyrim i çdo partie që beson vërtet te vlerat e saj.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Ruset në Shqipëri: Si na trajtonin hetuesit në burgje

Libri “Shpresuam dhe mbijetuam” shkruar nga Taisa Pisha është një libër autobiografik...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *