Rama kërkon shkundje të administratës dhe “thellim” të Metës

Kryeministri Edi Rama kritikon qëndrimet e Presidentit Ilir Meta gjatë fushatës elektorale dhe i kërkon që të reflektojë sa më parë, për të qenë një drejtues shteti mbi palët. Premtimi për ndryshimet rrënjësore në administratë dhe reforma që pritet të ndodhë nga shtatori dhe në vazhdim

Kryeministri Edi Rama mblodhi skuadrën e deputetëve, kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 25 qershorit dhe të gjithë kryebashkiakët socialistë për t’i falënderuar, por më shumë se përgëzimet për ta, gjeti mundësinë të japë disa mesazhe politike, kryesisht drejtuar ish-aleates LSI. Tashmë një rrugë e gjatë me përplasje parashikohet të nisin që nga muaji shtator, por shigjetat janë përqendruar vetëm në një objektiv, ai është presidenti i zgjedhur Ilir Meta. “Dua të falënderoj ish-bashkëkryetarin e koalicionit, Ilir Metën. Natyrisht jo për gjërat që i çoi edhe njëherë për dreq, me arsyen kronike të mosarsyes së tij, duke e hedhur përsëri në erë projektin strategjik të së majtës së bashkuar, po për çdo kontribut pozitiv e të pamohueshëm që dha në punën e përbashkët. Po në emrin tuaj, por edhe të deputetëve socialistë që e votuan e s’janë sot këtu, dua t’i lutem publikisht, të reflektojë një orë e më parë e të kthjellohet njëherë e mirë, si Presidenti që i mori votat tona për të qenë konsensual, jo konfliktual, për të qëndruar mbi palët e jo për të qenë palë kundër palëve të tjera”, -tha Rama. Më shumë se një tërheqje vëmendjeje për “thellim” nga ana e Metës, ishte paralajmërim se valë shkarkimesh pritet të ndodhin në administratën shtetërore, kryesisht në sektorët që drejtoheshin deri dje nga Lëvizja Socialiste për Integrim. Për të kryer një spastrim në radhët e administratës dhe krijuar frymë tjetër edhe në anën organizative, Rama ngarkoi pesë grupe pune me deputetë dhe personalitete të tjera të PS-së që të marrin propozime dhe riorganizojnë institucione të ndryshme. Riorganizimi i institucioneve nënkupton edhe reforma të shumta që mjaft vende që sot drejtohen nga “lista” e LSI-së mund të shkrihen dhe kjo mbetet një formë për të shmangur edhe betejat me gjykatën për rikthim në punë apo dëmshpërblim monetar.

LSI, mike dhe armike

Më shumë se gjysma e kohës së fjalës së Ramës ishte për ish-aleaten LSI. I relaksuar nga rezultati i zgjedhjeve, kryeministri shkoi më tej kur konsideratat për LSI-në i kishte në nivelet më të ulëta, para asaj që ai e konsideron interes të vendit. “LSI-ja përpara Shqipërisë është një vrimë në ujë dhe përjetimi tragjik i daljes së partisë së tij personale nga roli i çelësit për shumicën qeverisëse, nuk duhet në asnjë mënyrë ta damkosë si komike pa hyrë ende në zyrë figurën e Presidentit të zgjedhur të shtetit të shqiptarëve, pa dallim”, -tha Rama. Krejt ndryshe nga herët e tjera Lëvizja Socialiste për Integrim nuk iu përgjigj flakë për flakë me personazhet e saj të lartë politikë, por u mjaftua me një status në facebook të deputetes Kejdi Mehmetaj. “Kryeministri po bën mbledhje të PS në kryeministri. E paligjshme, e pamoralshme, e padrejtë. Abuzim me pushtetin! Kjo nuk është Shqipëria që duam”, deklaroi ajo. Me atë që shfaqet publikisht duket se në qeverisje nuk do jenë ngjyrat e LSI dhe Rama e ka bërë të qartë kur premtoi se qeveria njëngjyrëshe socialiste do të qeverisë në koalicion me qytetarët, por nuk do të mungojë edhe dora e shtrirë drejt opozitës për interesat madhorë të vendit. “Të jemi shumë të qartë se edhe pse qeveria do të jetë politikisht njëngjyrëshe, ne nuk do të qeverisim vetëm, po në një koalicion të madh me njerëzit e zakonshëm të këtij vendi. Dora jonë e bashkëpunimit për interesat e mëdhenj të vendit do të jetë e shtrirë për ta e për kolegët e tyre, njësoj si edhe për opozitën kryesore, Partinë Demokratike. Dua ta rikonfirmoj përsëri, që marrëveshja politike e 18 majit me Partinë Demokratike do të mbetet për ne, një busull orientuese në marrëdhëniet qeveri-opozitë”, -tha qartazi Rama. Fjala e tij u mbajt në një ditë që në zyrat e PD-së gjithçka zien, në grindje e fraksione dhe firmëtari i marrëveshjes së 18 majit Lulzim Basha do të duhet të kalojë një betejë jo të lehtë në partinë e tij, pas humbjes gati katastrofike të 25 qershorit.

Rikthehet debati i tepsisë…

Që në nisje të fjalës së tij Rama iu la detyrë deputetëve që të kontrollojnë cilësinë e punës së zyrave të shtetit, për të cilat ka premtuar një reformë të thellë. Gjithashtu, ka tentuar të lexojë në mënyrën e tij votën e shqiptarëve më 25 qershor, teksa është i bindur se qytetarët nuk e votuan PS-në masivisht për punën e kryer në katër vitet e mandatit të parë, por për atë që presin në këtë 4-vjeçar të ri. “Më 25 qershor nuk kemi marrë të gjithë tepsinë për vete, por kemi marrë mandatin e shqiptarëve për ta çuar atë tepsi për skrap! Në fushatën që u mbyll janë bërë publike raste ulëritëse nepotizmi, bashki të pushtuara nga familjarë e kushërinj të kryetareve”, -tha Rama. Këtë nepotizëm nuk e sheh vetëm tek ish-bashkëqeverisësi LSI, por edhe mes socialistësh. “Çdo kryetar bashkie, apo deputet që e do aq shumë gjakun e tij sa është gati të prishë gjakun e organizmit të shtetit dhe të komunitetit ku ka nderin e jashtëzakonshëm të jetë i zgjedhur, duke i dhënë rroga shteti të pamerituara sojit e sorollopit të tij, le ta lërë detyrën që sot”, -tha Rama, duke iu drejtuar kryebashkiakëve, deputetëve dhe kandidatëve për deputetë. Menjëherë pas formimit të qeverisë së re në shumë institucione do të ketë ndryshime si në rolin drejtues deri në nivelin e specialistëve. Forma që do të ndiqet mbetet ende për t’u parë, por të vetmin “kalë beteje” që Rama pati në fushatën e zgjedhjeve të 25 qershorit e lidhi me premtimin se nuk do ketë më ndarje tepsie (vende pune e pushtet për aleatët), pritet që ta mbajë që në nisje të punës në shtator të këtij viti.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

SHBA: Turp që udhëheqësit e korruptuar të Ballkanit mirëpriten në Europë

Zv.ndihmës/sekretari i Shtetit, Hoyt Yee, komenton situatën në Ballkanin Perëndimor dhe ndalet...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.