Rama-Meta-Basha-Blushi: Kush e fitoi betejën në TV

katershjaMAPO mësoi prej matësve të shikueshmërisë se katër emisionet kishin një ndjekje që kapte gati 60 për qind të audiencës në vend. Rama, Basha, Meta e Blushi japin mesazhe të forta për zgjedhjet e ardhshme, ndërsa duket se po përvijohen koalicionet

Rama, Basha, Meta dhe Blushi, pushtuan prime time mbrëmë në katër prej televizioneve më të rëndësishme në vend, si rrallëherë. Kjo duket si pjata e parë e një fushate elektorale që pritet të fillojë në shkurt të vitit që vjen dhe duket se ishte nata që ishte zgjedhur për të dhënë mesazhet më të rëndësishme para mesit të dhjetorit, kur Shqipëria pret avancimin ose jo të integrimit në BE. Emisionet politike të të enjtes mbrëma, aty ku Shqipëria është gati e pakonkurrueshme, ishin këtë herë, me gjasë edhe një formë gare elektorale. MAPO mësoi prej matësve të shikueshmërisë se katër emisionet kishin një ndjekje që kapte gati 60 për qind të audiencës në vend, ndërsa pritej që kjo dalje e njëkohshme të ishte edhe një garë mesazhesh të forta.

Lulzim Basha, në “Opinion”, ishte ai që u duk në këtë pikë më i qarti dhe më i fituari në aspektin e vëmendjes. Basha njoftoi, për herë të parë pas një kohe të gjatë qëndrimesh të dyzuara, se PD nuk do të ketë koalicion me LSI-në e Ilir Metës. I pyetur për këtë Basha ishte i qartë ndërsa vuri theksin te “Jo me Metën” dhe madje e përsëriti “Jo-në”. Basha tha se Meta duhej të merrte përgjegjësi të keqqeverisjes. Qasje kjo që u duk se u konfirmua edhe pse jo me të njëjtën vendosmëri nga vetë Meta, i cili foli te “Të Paekspozuarit” në News 24, duke marrë në mbrojtje qeverinë në disa pika, edhe pse pa lëvizur nga mesi politik që ka marrë prej kohësh, la të kuptohej se nuk kishte ndërmend të angazhohej në koalicione të reja.

Edi Rama po ashtu ishte i qartë. Ai foli në “Top Story” për një koalicion me tre koka, duke lënë të kuptohej se PS dhe LSI do të kishin partneritetin me PDIU në zgjedhjet e ardhshme.

Blushi nga ana e tij u fokusua më shumë në mesazhe të tjera. Ai akuzoi opozitën se kishte tradhtuar reformën zgjedhore. “Opozita braktisi kauzat e veta. Foli për votimin elektronik, nuk flet më”, tha Blushi në “Arena” në Ora News. Por përndryshe nga kjo gjuhë Basha ishte më i butë me ish-deputetin e PS dhe drejtuesin e Libra. Ai tha se e kishte telefonuar Blushin për ta uruar edhe pse nuk dha të kuptohej nëse mund të kishte një flirt politik mes tyre.

Nga ana tjetër të katër pretendentët për fronin e kryeministrit, edhe pse nisen nga pozita të ndryshme, folën për zgjedhjet e ardhshme, qeverisjen, integrimin, hashashin dhe korrupsionin në vend, duke dhënë sidoqoftë pikëpamje krejt të ndryshme.

Basha ishte në sulm sa iu përket akuzave që vijon të bëjë për situatën në vend. Ai vuri në dukje sërish mosbesimin te qeveria si organizator i zgjedhjeve. Ndërkohë ishte në pozita jo komode sa i përket integrimit, në një studio me analistë ai iu kthye disa herë shpjegimeve për qëndrimet e opozitës në rastin e negociatave, ndërsa tha se Shqipërisë nuk do i hapen negociatat. Ndërkohë ai pati shikueshmëri më të lartë, sipas informacioneve që ka MAPO, por që nuk lidhet vetë me mbrëmjen e djeshme dhe ka arsye të tjera, por që sigurisht mund të lexohet si një kureshtje më e madhe për opozitën në vend.

Përkundër kësaj Edi Rama, i cili pati një natë më të qetë, për shkak edhe të formatit në të cilin u intervistua tha se nuk priste një datë për negociatat, por priste në mes të dhjetorit “miratimin e raport-progresit”. Njëfarë rekomandimi pozitiv ky që do e shtynte caktimin e datës së negociatave vitin e ardhshëm, por që mund t’i hapë rrugë procesit të “skanimit” të legjislacionit.

Ilir Meta ishte ai që pati natën më të sikletshme. I vënë përballë opinionistëve që janë të njohur për qëndrimet e ashpra kundër tij, Meta u përball me akuza për “hipokrizi”, “mos marrje përgjegjësish në bashkëqeverisje” dhe “klientelizëm”, por i gjendur komod në mesin e politikës ai pati mundësi të dredhonte, duke qenë kryesisht i balancuar për çështje si kanabisi apo ekonomia. Blushi ndërkohë ishte i ashpër me të dyja partitë e mëdha politike në vend. Raportet e shikueshmërisë e vendosën emisionin ku ai ndodhej në një pozicion më të mirë seç mendohej.

Basha: Nuk bëj koalicion me LSI, Nishani kandidat për President

Partia Demokratike nuk do bëjë koalicion elektoral me Lëvizjen Socialiste për Integrim në zgjedhjet e ardhshme elektorale.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka vendosur dje në emisionin Opinion “pikën mbi i” duke i thënë “Jo” një koalicioni parazgjedhor me Ilir Metën dhe Lëvizjen Socialiste për Integrim.

Sipas tij, i vetmi bashkëpunim me LSI-në mund të jetë ai për të siguruar zgjedhje të lira dhe të ndershme por jo për të dalë së bashku në zgjedhje.

Sipas tij bashkëpunimi elektoral me LSI-në është i pamundur pasi ajo duhet të mbajë peshën e keqqeverisjes së vendit në këto 3 vite.

Basha sqaroi gjithashtu edhe deklaratat e tij të mëparshme duke theksuar se bashkëpunimi me LSI-në vlen vetëm për të siguruar zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Por ndërkohë Basha nuk përjashtoi mundësinë e një koalicioni me partinë “LIBRA” të Blushit, për të cilën tha se “potencialisht e ka derën e hapur”.

Kryetari i PD-së ka bërë të ditur gjithashtu se ai në kuadër të përpjekjeve të hapjes së PD do të aplikojë një skemë demokratike, ku të gjithë kandidatët për kryetar bashkie dhe për deputetë të zgjidhen nga qytetarët.

Po ashtu ai bëri të ditur se do t’i propozojë Kuvendit Kombëtar që të miratojë detyrimin që kryetari i PD-së të ketë një mandat dyvjeçar me të drejtë që të zgjidhet deri në katër herë.

Basha ka folur edhe për zgjedhjet e ardhshme për president, duke bërë të ditur se PD do të mbështesë kandidaturën e Bujar Nishanit.

Gjithashtu Basha tha se kryeministri Rama e ka ditur se negociatat për anëtarësimin në BE nuk do të hapeshin, para se të shkonte në Berlin.

Në intervistën e tij, Basha tha se ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati i ishte komunikuar nga homologu i tij gjerman se negociatat nuk do të hapeshin.

Blushi: PD tradhtoi reformën zgjedhore; qeveria, dështim me integrimin

Themeluesi i partisë LIBRA, Ben Blushi, i ftuar në emisionin “Arena” të gazetarit Dritan Hila në “ Ora News” deklaroi dje se procesi i integrimit po shitet nga partitë në pushtet si medalje elektorale.

“Kjo është një nga gjërat që e ka penguar integrimin, pra nevoja e partive në pushtet për ta shitur si medalje elektorale procesin e integrimit dhe askush nuk merret realisht me integrimin e vendit, merren kush e ka fajin. Pra, kjo është një garë kush vonon më shumë dhe jo kush shpejton më shumë. Klasa politike nuk po gjen konsensusin e duhur për të përshtatur reformat me ato të BE. Reforma në Drejtësi, e cila është kryer vetëm në letër, dekriminalizimi, një proces gjysmak, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, reforma zgjedhore. Reforma zgjedhore e cila nuk është bërë për shkak të të dyjave palëve. Do të shkojmë në këto zgjedhje pa reformë zgjedhore. Pas një jave Presidenti do të shpallë datën e zgjedhjeve. Pra, do të shkojmë në zgjedhje ku me para të zeza mund të blihen zgjedhje. Edhe reforma e administratës që është e politizuar. Këto janë 5 prioritetet. BE flet në emër të shqiptarëve. Kjo klimë politike nuk është e favorshme, kjo zhurmë jehon edhe në Bruksel. Nëse ne nuk kemi një datë, ky proces do të jetë shumë i gjatë”, u shpreh Blushi.

Kreu i LIBRA tha se ishte naive të sulmosh një deputet të Bundestagut sikur është ai fajtor.

Unë nuk mendoj se PD ka aq fuqi sa të korruptojë një deputet të nivelit kaq të lartë. T’i thuash një deputeti gjerman që është korruptuar nga Lulzim Basha, unë nuk e imagjinoj dot. Nuk po flasim për një deputet rumun. Në këtë klimë të ashpër ne kemi bërë një propozim, duke qenë të bindur se palët nuk do ta merrnin parasysh. Mund të ketë një pakt për Europën, është shumë e mundur që Vettingu të hyjë në fuqi shumë shpejt. Është shumë e mundur që reforma zgjedhore të kryhet shumë shpejt. Në çfarë aspekti? Të ketë kufizim të financime të partive politike, të ketë ndryshim të mënyrës si numërohen votat. E dini kush e tradhtoi reformën zgjedhore? Opozita. Opozita braktisi kauzat e veta. Foli për votimin elektronik, nuk flet më. Ju e tradhtuat reformën zgjedhore për të krijuar alibi, e futët në sirtar dhe ju e dini për çfarë arsyesh” –tha Blushi.

“Të gjitha këto, dekriminalizimi, dekanabizimi, reforma zgjedhore, procesi i vettingut, reforma në administratën publike mund të ktheheshin në një pakt të madh për Europën ku palët të uleshin dhe t’i vinin në funksion të integrimit” –tha Blushi.

Edi Rama: Në dhjetor ne nuk presim një datë për hapjen e negociatave

Në 15 dhjetor vendi ynë nuk pret që të marrë një datë për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE, por vetëm miratimin e rekomandimit për hapjen e tyre.

Kështu ka deklaruar kryeministri Edi Rama në intervistën e tij në “Top Story” me gazetarin Sokol Balla.

Rama tha se nga takimi me kancelaren gjermane Merkel, me të cilën ai foli për një marrëdhënie speciale si me të, ashtu edhe me Gjermaninë, ai ka marrë një garanci.

Ndërkohë për deklaratat e deputetit Krichbaum në Tiranë, Rama pasi theksoi se ai nuk ka qenë në cilësinë e kryetarit të komisionit për Europën në Bundestag, por ka folur thjesht si një deputet gjerman, shtoi se në qëndrimin e tij s’ka asgjë të jashtëzakonshme.

Sa i takon vetos së fqinjëve Rama tha se “Greqia historikisht na ka mbështetur në këtë proces. Situata artificialisht e tensionuar për shkak të një mungese disponibiliteti, për të kuptuar se çfarë kuptojmë ne për çamët besoj se nuk do të ketë ndikim. Ne vetëm sa kemi thënë të vërtetat e thjeshta të shqiptarëve, ne nuk mund të bëjmë sikur nuk kuptojmë pasi kjo mund të na kthehet në pasojë. Nuk besoj që fqinjët tanë të bien aq poshtë sa të shfrytëzojnë pozicionin në BE për të kundërshtuar integrimin në BE. S’ka asnjë interes Greqia të hapë një avaz të tillë me vendin tonë”.

Duke thënë të vërtetat e Çamërisë ne sqarojmë se nuk kemi asnjë pretendim territorial, ne duam vetëm partneritet me Greqinë, shtoi kryeministri.

Për konfliktin e lindur së fundi për përkthimin e gabuar të ligjit të vettingut, Rama tha se është e qartë se “PD është e angazhuar me mish e shpirt për të mos lejuar zbatimin e reformës në drejtësi, për të mos pastruar gjykatësit e prokurorët e korruptuar nga sistemi e që në këtë moment janë aleatët më të mirë të saj. PD nuk ka të drejtë të bllokojë reformën në drejtësi dhe njëkohësisht hapjen e negociatave me BE. Të gjithë ato që PD thotë për të justifikuar atë që bën ajo fshehin vetëm një të vërtetë: PD asnjëherë nuk e ka dashur reformën në drejtësi”, tha Rama.

Ndërkohë në pritje të një opinioni për këtë ligj nga Komisioni i Venecias, Rama tha “Do të çuditesha shumë nëse Komisioni i Venecias të bëjë si PD, të kundërshtojë atë që e ka mbështetur një herë vetë”.

Ndërsa sa i takon Gjykatës Kushtetuese Rama tha se “Ne mund të presim çudira nga një pushtet i errët i lidhur me PD-në që kundërshton reformën e drejtësisë. Gjykata Kushtetuese ka dhënë një shenjë me ligjin e pronave, por shpresoj se në rastin e vettingut do të prevalojë arsyeja”.

Meta: S’jam i detyruar të bashkëpunoj me Bashën për Presidentin

Kreu i LSI e ka quajtur dje në “Të paekspozuarit” e Ylli Rakipit, shqetësuese situatën e kanabisit në vend, por ka thënë se ai është një fenomen që ka ekzistuar edhe më parë, ndërsa përmendi Lazaratin si një vend ku kultivimi ishte i përhershëm.

Të njëjtën linjë arsyetimi mbajti Meta edhe për qeverisjen e mazhorancës këto 3 vite e ca. Ai qëndroi mes akuzave të opozitës dhe variantit të qeverisë duke anuar nga kjo e fundit, si për të lënë të kuptohet se mandatin tjetër do të jetë sërish në koalicion me PS dhe Ramën.

Pa përgjigje përfundimtare mbeti edhe çështja e dekretit të Presidentit Nishani për ligjin e mbetjeve.

Dihet që PS nuk i ka 71 votat që ta rrëzojë atë, pasi LSI ende nuk ka vendosur se si do të votojë.

“Ligji duhet zbatuar që të mos ketë asnjë impakt negativ dhe boll ka një perceptim që ligji krijon pasoja negative sepse kemi të bëjmë me shëndetin e njerëzve dhe turizmin”, tha dje Meta.

Sipas tij LSI ia ka lënë qëndrimet dhe përgjegjësinë, zotit Petrit Vasili pasi ai ka dhe njohuritë e duhura për këtë çështje.

“Sepse unë nuk jam që edhe bizneset të mos falimentojnë”, -tha Meta, duke mos u çekuilibruar për asnjë moment.

Andi Bushati, i cili ishte i pranishëm në studio së bashku me analistin Fatos Lubonja dhe gazetarin Çim Peka këmbënguli që Meta të shprehej për dekretin e Nishanit dhe se LSI s’mund të rrinte me një dorë në bakllava dhe një dorë në kadaif, por kreu i Kuvendit u përgjigj se “Me po apo jo unë s’mund ta them”.

Meta vlerësoi situatën ekonomike, të cilën e quajti më pozitive nisur nga niveli që ka qenë kur kjo mazhorancë erdhi në pushtet.

“Kemi një situatë ekonomike më pozitive, rritje ekonomike, përmirësim të ekonomisë shqiptare, përpjekje për të tërhequr investime të huaja”.

I pyetur për deklaratën e Ramës në studion e Sokol Ballës se koalicioni pas 2017 do të jetë me tre koka, Meta tha se “E ka thënë për të rritur kolegjialitetin dhe është pozitive”.

Në fund po me një pyetje të ardhur nga qëndrimi në një emision tjetër, atë të Blendi Fevziut se PD do të ketë si kandidat për president, zotin Nishani dhe për ta zgjedhur do të kërkohet edhe aleanca me LSI, Meta gjykoi se “LSI nuk është e detyruar që të bashkëpunojë me PD për zgjedhjen e Presidentit”.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Konspiracion dhe lobing: Beteja diplomatike qeveri-opozitë

Vizita e Lulzim Bashës dhe Ditmir Bushatit në SHBA është vetëm shpërfaqja...
Read More